E Shtunë, 31 Tetor 2026

Milan merr vetëm barazim ndaj Romës, kore raciste kundër Balotelli-t

milan-dhe-romaMilan mori vetëm një barazim pa gola mbrëmjen e djeshme në takimin e Serisë A kundër Romës. Kësisoj atij i duhet të presë 90 minutat e fundit për të siguruar përfundimisht vendin e tretë në kampionat, një hap ky drejt Ligës së Kampionëve.

Me rezultatin e djeshëm Milan është vetëm dy pikë larg Fiorentinës. Mediat italiane raportojnë se shanset nga të dyja skuadrat nuk munguan gjatë ndeshjes me Markinjo dhe Toti nga njëra anë e Muntari e Boateng nga ana tjetër.

Në fundin e pjesës së parë gjërat u komplikuan për Milanin që mbeti me 10 lojtarë sepse Muntari mori karton të kuq për protesta të ashpra ndaj arbitrit të takimit.

Ndërkohë ndeshja u ndërpre për shkak të koreve raciste kundrejt Mario Balotelit. Në minutat shtesë edhe Roma mbeti me 10 lojtarë pasi Francesko Totti u ndëshkua me karton të kuq.

Ndërkohë në një tjetër takim Lacio doli me fitore në Olimpiko, ku mundi Sampdorian me rezultatin 2-0 duke u ngjitur në kuotën e 61 pikëve.

Po ashtu edhe Napoli arriti të triumfonte kundër Sienës me rezultatin 2-1. Udineze mundi Atalantën 2-1, fitore kjo që është e shtata radhazi për të.

Xhenoa barazoi me Interin 0-0 duke siguruar përfundimisht qëndrimin në Serinë A. Sakaq Fiorentina mundi Palermon 1-0, kurse Kievo dhe Torino u ndanë 1-1.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›