E Shtunë, 31 Tetor 2026

Milan rrëmben Bekhamin në formë huazimi

Duke ëndërruar Bekhamin. Titull kinematografik shumë i njohur, i realizuar kur miti Devid ishte gati një ëndërr. Te Milan e kanë dashur shumë. Tani ëndrra bëhet realitet, edhe pse me paksa vonesë. Në fakt ka diçka më shumë se sa thjesht të stërvitej me lojtarët kuqezi dhe lajmin e jep Adriano Galiani: Bekham jo vetëm do të stërvitet në Milanelo, duke filluar nga janari 2009, por edhe do të jetë pjesë e Milanit deri në fund të kampionatit. "A do të vijë? Po, besoj se po. Do të qëndrojë te Milani në formë huazimi për disa muaj. Po diskutojmë me agjentin e tij, ka thënë drejtuesi i Milanit. Bekham ka zgjedhur Milanin. Skuadra jonë është më se kompetitive dhe do të qëndrojë ashtu siç është, por Bekham është diçka e ndryshme dhe intriguese". Por edhe atyre që janë kundër u ka dhënë një mesazh: "Milani nuk bën pastrimin e figurave, por është shumë krenar për politikën që po bën. Jemi i vetmi klub në kundërtendencë: Njerëzit shkojnë në stadium për të parë Milanin. Nuk është rastësi që 65000 persona shkojnë të shohin Milan-Sampdoria. Nëse 65000 shkojnë në stadium, do të thotë se Milan është një prodhim që pëlqehet. Në krahasim me 65000, Bekham do sjellë akoma dhe më shumë tifozë". Por çfarë thotë Ançeloti? "Për mua do të jetë një kënaqësi. Bekham është një atlet serioz, një profesionist i madh. Nëse do të jetë i disponueshëm për 4 muaj, ne do të jemi shumë të kënaqur. Nëse do të bëhet i disponueshëm për Milanin, sigurisht që do të luajë si në Itali, ashtu edhe në Evropë". Mbyllja e sezonit futbollistik në SHBA (Los Anxhelos Galaksi nuk siguroi playoff-in), mesfushori anglez dëshiron të luajë, sepse nuk ka ndërmend të humbasë Botërorin 2010. Fabio Kapelo ka qenë i qartë: "Ose luaj, ose nuk të grumbulloj më". Telefonata e Milanit, një miks i futbollit me marketingun, mund t‘i japë një dorë talentit londinez. Goxha hapësirë ka zënë lajmi në median ndërkombëtare: në Angli, ku të gjithë janë të çmendur për Becks, në sajtin e BBC shkruhet: "Beckham to Join Ac Milan on Loan" ("Bekham transferohet te Milani në formë huazimi"). Edhe në Spanjë, ku Becks ka shkelur sezonet e fundit evropiane, "AS" ("Becks, te Milan") dhe "Marca" ("Bekham te Milani nga janari në qershor"). Surprizë e madhe edhe për gjermanët e "Kicker" dhe francezët e "L‘Equipe".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›