E Shtunë, 31 Tetor 2026

Milani, 4 golat e fusin në historinë e rekordeve

ITALI- Tifozët më të vjetër e kujtojnë: 14 maj 1958, gjysmëfinalja e kthimit e Kupës së Kampioneve të dikurshme, kur Milani gjendej përballë Mançester Junajtid. Superndeshja përfundoi 4-0 për kuqezinjtë, ashtu si të mërkurën në mbrëmje ndaj Arsenalit.

Golat u realizuan nga Skiafino (dopietë), Liedholm dhe "Pantera" Danova. Më pas, Milani humbi në finalen ndaj Realit të Madridit të Di Stefanos, një histori tjetër kjo. Ajo që ka rëndësi është rekordi i kuqezinjve. Me fitoren 4-0 ndaj Arsenalit, Milani barazoi rekordin më të mirë italian të të gjitha kohërave ndaj ekipeve angleze. Skuadra e Arsen Venger, e pashikueshme në fushë, ka prekur fundin me këtë disfatë. Kurrë në 22 ndeshjet e luajtura deri më tani në Kupat e Evropës, "Topçinjtë" nuk kanë pësuar një humbje kaq të rëndë. Në "San Siro", Arsenali pësoi 4 gola edhe pse kishtev kontrollin më të lartë të topit në krahasim me Milani: 57 me 43 për qind. Sa u përket numrave të sfidës së të mërkurës, Milani rikuperoi 49 topa, ndërsa Arsenali vetëm 37. Ndërkohë, Ibrahimoviç ka qenë lojtari më altruist, duke dhënë 2 krosa, 3 sponde, 4 asist, 1 pasim filtrues dhe 2 topa të gjatë. Por, ai ka qenë edhe njeriu më jo korrekt i Milanit, me 4 faulla.

MEDIAT
Mjaftoi një ndeshje e vetme për të transformuar shprehjen e gazetës "Daily Mail" "ishte dikur Seria A që dominonte Evropën", të cilën e përditshmja britanike e pati publikuar dy ditë para sfidës Milan-Arsenal. Dje, kjo gazetë kishte titullin: "Të dhunuar!", duke e quajtur të mërkurën si "nata më e keqe europiane në historinë e Arsenalit". Londinezët janë poshtëruar nga një Milan superior në çdo aspekt, ashtu siç ka pranuar edhe vetë Arsen Venger për "Times", ku veç të tjerash ka thënë: "Its' over" (Mbaroi!), referuar kualifikimit. "Paraqitja e Arsenalit ishte si fusha e San Siros, katastrofë!", ka thënë tekniku francez. Pas kritikave të forta për futbollin italian, që përkuan edhe me largimin e Fabio Kapelos nga kombëtarja angleze, gazeta "Telegraph Sport" është detyruar të pranojë se "Seria A është në rritje" dhe se "Ibrahimoviç është një nga lojtarët më të mirë në Evropë". "Të poshtëruar!", është titulli i saj, me një foto gjigande të "Topçinjve", që dalin kokulur nga stadiumi i Milanos, ku festa ka qenë e gjitha kuqezi.

MASAKËR
Në Angli nuk mungon ideja se më fushën e tmerrshme të "San Siros", Milani ka zbatuar me përpikmëri një plan anti- Arsenal. Kjo, pasi skuadra e Arsen Venger nuk ka treguar asnjëherë se di të përshtatet me terrene të tilla edhe pse gjithçka ishte e njohur që para se të fillonte takimi. "Plan makiavelist", e quajnë disa analistë, por që pranojnë se përmasat e humbjes nuk duhet të ishin kurrsesi të tilla. Sa u përket notave, The Sun kursen vetëm Van Persin me notën 6 ("të paktën e provoi"), ndërkohë që ato vijojnë nga 3 për Sanja, te 4 e 5 për gjithë të tjerët. Ndërkohë, nota 9 për treshen e mrekullive të Milanit: Irahimoviç, Boateng e Robinjo. Së fundmi, "Masakër në Milano", është titulli i "Mirror Sports", e cila shkruan se "tani e tutje, "Topçinjtë" do ta kujtojnë San Siron jo vetëm për barin e keq". E ndërkohë, "Daily Express", nuk ka kursyer kritikat as ndaj Arsen Venger. "Si ka mundësi që Venger u shqetësua më shumë për vrimat e fushës sesa për shenjat e rinovimit të futbollit italian", shkruan kjo gazetë, që e quan sjelljen e teknikut francez "patetike".
(m.a/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›