E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rruga "Ibrahim Rugova" në Tiranë, Mustafa: Kosova e priviligjuar

TIRANË- Në katër vjetorin Pavarësisë së Kosovës Tirana do ti japë një rruge në kryeqytet emrin "Ibrahim Rugova". Bashkia e Tiranës me këtë rast priti sot kreun e Komunës së Prishtinës Isa Mustafa.

Kryebashkiaku Lulzim Basha pas takimit me Isa Mustafën, gjeti rastin të urojë qytetarët e Kosovës dhe gjithë shqiptarët kudo që ndodhen për festën e Pavarësisë së Kosovës, ndërsa shtoi se mes Tiranës e Prishtinës do të nënshkruhet një marrëveshje bashkëpunimi.

“Dua t’i uroj për 4 vjetorin e Pavarësië, për këtë ditë shumë të rëndësishme për shqiptarët kudo që jetojnë dhe qytetarët e Kosovës. Gjatë bisedës u ndalëm në fushat e përbashkëta të qeverisjes lokale dhe problematikat me të cilat ndeshemi, me përvojat dhe me një plan bashkëpunimi që do ta konkretizojmë në vizitën time në Kosovë”, tha Basha.

Basha tha më tej se takimin me Mustafën do ta pasojë e dhënia e emrit  "Ibrahim Rugova", të një rruge pranë pallatit të Shallvareve, ku i pranishëm do të jetë edhe kryeministri z Sali Berisha.

Kreu i Komunës së Prishtinës Isa Mustafa, gjatë fjalës së tij u shpreh se ndjehej i priviligjuar që në 4 vjetorin e Pavarësisë, Tirana i dhuron Kosovës një rrugë me emrin e presidentit legjendar të Kosovës.

“E ndjej vetën të priviligjuar që 4 vjetorin e Pavarësisë ta festojmë në Tiranë bashkarisht. Ju falenderoj për hapjen e një rruge me emrin e presidentit historik. Ky është një nder i vecantë për ne, jo vetëm për respektin që tregoni ndaj figurës së tij, por edhe për kosovarët që janë flijuar për vlerat e demokracisë që sot po i jetojmë”,- u shpreh Mustafa.

Mustafa nënvizoi nevojën e eksperiencës dhe ndihmës që Kosova ka për Shqipërinë në rrugën e saj të zhvillimit, ndërkohë u shpreh entuziast për programe të përbashkëta në fusha të ndryshme.

“Ne kemi fusha të përbashkëta që do ti zhvillojmë. Kemi nevojë të përshpetojmë bashkëpunimin, të përjetojmë përvojat që ka kaluar Shqipëria, për shkak të gjendjes së vonë tonë. Kemi nevojë për mendimet, por edhe ekpertizën ndërmjet Tiranës dhe Prishtinës, pasi ne jemi afër dhe mund të komunikojmë si cdo qytet në Kosovë. Fushat e përbashkëta do ndihmojnë përparimin dhe hapave që bashkarisht do ndërmarrim drejt integrimit të familjes së madhe Europiane”,- përfundoi fjalën e tij kreu i Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa.
(el.me/ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›