E Shtunë, 31 Tetor 2026

Milani, Alegri ka vetëm 5 mesfushorë për Napolin

TIRANE-Nuk ka nevojë për dramë, nuk jemi kthyer në “të vdekur”. Trajneri i Milanit Masimiliano Alegri ka lënë mënjanë diplomacinë në prag të ndeshjes së nesërme me Napolin, i lodhur nga kritikat e shumta për humbjen me Lacion në mesjavë. Duke folur për “Milan Channel”, tekniku kuqezi ka deklaruar se skuadra e tij nuk u bë papritmas “e mbaruar”. “Duhet të vazhdojmë të punojmë pa dramatizuar asgjë, - deklaroi Alegri. – Duhet të analizojmë humbjen me Lacion dhe të përimirësojmë disa aspekte të lojës. Gjejmë shumë vështirësi me skuadra që mbyllen, duhet të minimizojmë gabimet në fazën ofensive”, shton ai. Është fakt që Milani i këtij viti ka fituar thuajse ndaj të gjitha skuadrave të vogla, por me të mëdhatë ka patur një ecuri tejet negative. Kampionët e Italisë janë mundur nga Napoli, Juventusi, Interi dhe Lacio, ndryshe nga një vit më parë, kur ata trembnin çdo kundërshtar në Serinë A. “Ky vëzhgim tregon edhe disa gjëra të tjera: këtë vit kemi një pikë më pak se sezoni i shkuar. Llogaritë do të bëhen në maj, nuk ka rëndësi nëse pikët vijnë ndaj skuadrave të mëdha apo të vogla. Veç të tjerash, kur isha i vogël dëgjoja që për të fituar titullin duhet të mundje skuadrat e vogla”, tha më tej tekniku i Milanit. Në ndeshjen me Lacion, Milani pësoi dy gola në minutat e fundit, por Alegri kërkon ta harrojë paraqitjen e ekipit të tij në “Olimpiko”. “Kur kundërshtarët mblidhen në zonë, gjithçka bëhet më e vështirë, - deklaroi Alegri. – Ndaj Lacios gjithsesi krijuam shumë raste para se të pësonim golin e parë. Tani duhet ta lëmë pas këtë takim, sepse një fitore me Napolin do të bënte që të gjithë t’i shihnin gjërat ndryshe”, shtoi ai. Por, problemi më i madh i Milanit mbeten dëmtimet, pasi infermieria e skuadrës kuqezi duket e mbushur. “Nuk kam shumë lojtarë në dispozicion. Kam vetëm 5 mesfushorë, do të luajnë 4 dhe njëri do të qëndrojë jashtë. Por, nuk ka kuptim të rrimë e të qahemi për këtë”, shpjegoi trajneri i kampionëve të Italisë. Në lidhje me duelin me Juventusin, Alegri ka hedhur poshtë fjalët e Kontes se skuadra bardhezi është një surprizë. “Mendoj se ai e nënvlerëson skuadrën e tij. Nuk më pëlqen të flas për ekipet e tjera, por është kështu. Ne gjithsesi do të luajmë deri në fund dhe nëse fitojnë ata, do të thotë se janë më të zotë se ne”, tha ai. Në fund, Alegri tregoi edhe për një bisedë me Berluskonin. “Fola në mëngjes në telefon dhe diskutuam për ndeshjen me Lacion. Ishte shumë i qetë, më inkurajoi si gjithmonë”, u shpreh trajneri i Milanit. Takimi mes Milanit e Napolit, ashtu si të gjitha ndeshjet e tjera të kësaj jave, do të luhet në orën 15.00. Seria A zhvillon sot 9 sfida, ndërsa ndeshja e djeshme mes Çezenës dhe Katanias u shty për shkak të motit të keq.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›