Milani, Ançeloti nuk e merr Borrielon në Tiranë
Edhe pse i gjithë përqendrimi i opinionit futbollistik në botë është e përqendruar tek eliminatoret e Botërorit 2010, vëmendja e shqiptarëve është e ndarë mes dy ndeshjeve të Kombëtares (dje në Hungari dhe të mërkurën në Portugali) dhe ngjarjes së madhe që pritet të ndodhë të martën e 14 tetorit në stadiumin "Qemal Stafa". Në orën 19:00, në impiantin ndërkombëtar të kryeqytetit, do të zbresë Milani i madh i Ronaldinjos, Shevçenkos, Sedorfit, Maldinit&Co., për të luajtur një ndeshje miqësore të vlefshme për turneun "Taçi Oil Albania Reads", kundër Tiranës. Kuqezinjtë italianë kanë filluar përgatitjet për ndeshjen festive të 14 tetorit në Shqipëri. Mëngjesin e djeshëm janë paraqitur në qendrën sportive vetëm Borriello, Dida, Favalli, Pirlo, Senderos, Inzagi e Nesta, të cilët kanë zhvilluar programet respektive të rikuperimit. Ndërkohë është mësuar se nga lista e shpallur zyrtarisht para pak ditëve, do të mungojnë Marko Borriello. Bëhet fjalë për sulmuesin e ri të Milanit, i cili në sezonin e kaluar u shpall golashënuesi i dytë më i mirë i Serisë A, pas Aleksandro del Pieros. Sipas informacioneve të fundit, pas dëmtimit të pësuar në Rexhio Kalabria, kur dukej se vendi i titullarit ishte i tiji, sulmuesit i dalin probleme të tjera. Nuk gëzon ende formën e duhur fizike. Borriello nuk do të luajë në ndeshjen e së martës ndaj Tiranës: përgatitësit kuqezinj kanë programuar një javë, që e pengon atë të udhëtojë për në Shqipëri. Konfirmohet që mbrojtësi kampion bote në fuqi, Aleksandro Nesta, i rikthyer pas një dëmtimi të gjatë, do të luajë të paktën 20-25 minuta ndaj bardhebluve. Tjetër gjë mund të thuhet për Senderos: rikuperimi i tij është i ngadalshëm dhe nuk është ende e sigurt nëse do të luajë në Tiranë apo jo.