E Shtunë, 31 Tetor 2026

Haliti, i riu më i mirë në botë në 400 m/p

Eusebio Haliti, talenti shqiptar i atletikës vazhdon të mahnisë me paraqitjet e tij. 17-vjeçari i lindur në Shkodër, që prej tetë vitesh jeton në Itali, kryeson klasifikimin botëror për vitin 2008 të garave të 400 metrave me pengesa (lartësia e pengesave 84 centimetra), në kategorinë për të rinj, Under-18. Lajmi ka bërë shumë bujë përtej Adriatikut, ku Haliti cilësohet si një prej talenteve më të mëdhenj. Madje, specialistët, mediat dhe vetë sportisti vazhdojnë të ngulmojnë se djaloshi duhet të jetë pjesë e kombëtares italiane, si një nga sportistët që meritojnë të jenë në Lojërat Olimpike, Londër 2012. Së fundmi, Haliti ka triumfuar në kampionatin italian në garat për 18-vjeçarë, që u zhvilluan në Rieti në datat 4 dhe 5 tetor. Në këtë aktivitet, talenti dominoi pa vështirësi garën e tij të preferuar (400 metra me pengesa), titull të cilin e fiton për herë të tretë. Medalja për Eusebion u dorëzua nga ish-kampioni i botës, italiani Fabricio Mori, i cili nuk i kurseu fjalët e mira për shqiptarin, të cilin e cilësoi edhe si pasardhësin e tij të denjë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›