![]()
![]()
- Tekniku i Milanit, Karlo Anceloti, edhe pse pranoi se kishte përcaktuar formacionin që do të përballet me Liverpulin të mërkurën në finalen e Ligës së Kampioneve në Athinë, pohoi se ajo është "top sekret" për median. "Zgjedhjet i kam bërë, por vetëm ditën e mërkurë Inzagi dhe Xhilardino do ta dinë se kush do të luajë titullar", - shpjegon Anceloti. "Do të jetë një ndeshje e ekuilibruar, shtoi ai, dhe ne nuk ndihemi si favoritë. Nuk flasim për hakmarrje. Do ta luajmë finalen pa kujtimet e së kaluarës, pasi ajo është një tjetër histori". Anceloti shpjegon se, në raport me vitin 2005, Liverpuli është e njëjta skuadër dhe ndoshta ka dicka më shumë në sulm. "Unë do të firmosja të rishihja Milanin të luante me të njëjtën mënyrë si në Stamboll. Përjashtim bëjnë, natyrisht ato gjashtë minutat". Milani u nis për në Athinë për të luajtur një nga tetë finalet më të vuajtshme që ka luajtur në njëzet vitet e fundit. Kështu e përcaktoi administratori i deleguar kuqezi Adriano Galiani, përpara nisjes në prani të ultrasve milanistë. "Ky sezon ishte shumë i vështirë për gjithcka që ndodhi verën e kaluar. Milani i Ancelotit arriti atë të Sakit dhe Kapelos në nivelin ndërkombëtar. Është e pabesueshme të luash finalen kur kujtoj se kemi luajtur tetë finale në 20 vitet e fundit, Juventusi katër, Reali i Madridit dhe Barcelona nga tre".
Rruga e Milanit
Milani e filloi aventurën e tij në turin e tretë paraeliminator. Kundërshtari i parë i kuqezinjve ishte skuadra serbe "Crvena Zvezda".
Në fazën e grupeve Milani bëri pjesë në Grupin H me AEK, Lilën dhe Anderlehtin. Në fazën e një të tetave Milani eliminoi Sëlltikun skocez. Në cerekfinale formacioni i Ancelotit u përball me Bajernin e Munihut. Barazoi në "San Siro" 2-2 dhe fitoi në "Alianc Arena" 2-0. Sedorf shënoi pas 15 sekondash lojë. Në gjysmëfinale Milani u përball me kampionen e Anglisë, Mancester Junaitid. Humbi në "Old Traford" me rezultatin 3-2, për të realizuar një ndeshje të madhe në ndeshjen e kthimit në Milano, kur fitoi me rezultatin e pastër 3-0.
Rruga e Liverpulit
Aventura e "Reds" (të Kuqtë) nisi në muajin gusht me eliminatoret. Formacioni i Rafa Benitez eliminoi izraelitet e Makabi Hajfa (2-1, 1-1). Në fazën e grupeve Liverpuli ishte me PSV Eindhiven, Gallatasaraj dhe Bordo. Në raundin e parë me nokaut, Liverpuli eliminoi Barcelonën, kampionen në fuqi të Europës. Fitoi ndeshjen e parë në transfertë 2-1 dhe humbi në shtëpi 1-0, duke u kualifikuar me më shumë gola në fushën kundërshtare. Në cerekfinale fati e solli përsëri kundër holandezëve të PSV Eindhovenit, për t'u përballur në gjysmëfinale me Celsin, ndaj të cilit u kualifikua falë gjuajtjeve të penalltive. Portieri Reina ishte dhe heroi i Liverpulit.
Milan - Liverpul, finalja e Stambollit 2005