E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paqartësi në Federatën e futbollit të Maqedonisë

- Dy lajme kontraditore: Emil Bozhinovski ka fituar besimin e 54 delegatëve të pranishëm në Kuvendin e jashtëzakonshëm të së shtunës të organizuar nga Këshilli Iniciativ për ndryshime në Federatën e futbollit të Maqedonisë. Në Këshillin Drejtues të FFM-së që përbëhet pre 15 anëtarëve janë zgjedhur edhe katër shqiptarë, Nexhbedin Sinani - Tetovë, Adi Kreka - Strugë, Zilkadri Iseini - Gostivar dhe Menduh Nuhiu - Likovë. Në komisionin arbitrar prej 7 anëtarëve bëjnë pjesë Abdulla Ramadani, Bejtulla Tefiku dhe Ilami Iseini, ndërsa në komision mbikqyrës prej 5 anëtarëve është edhe Vasfi Doko nga Ohri. "Më vjen keq që zoti Haxhiristeski nuk i ka përfillur sugjerimet e UEFA-s dhe FIFA-s, të cilët përmes zëdhënësit të UEFA-s deklaruan publikisht që unë dhe ai bashkërisht t'i tubojmë të gjithë delegatët dhe të zgjidhim problemin në futbollin e Maqedonisë", deklaroi Bozhinovski.
"Të bëjmë përpjekje të gjithë së bashku, pra jo vetëm unë, të bëjmë dicka, pra tu afrohemi standardeve të futbollit evropian", u shpreh Bozhinovski.
Ai thotë se qëllimi i tyre nuk është që të bojkotojnë kampionatin ose të bëjnë ndonjë problem deri në përfundim të edicionit të sivjetmë.
"Proceduara është e qartë, të hënën do t'i dërgojmë të gjitha dokumentet te regjistri qendror i Republikës së Maqedonisë, ku federata e Futbollit udhëhiqet si shoqatë e qytetarëve ku edhe do të bëhet verifikimi. Të gjitha materialet nga mbledhja e sotme do të dërgohen deri te UEFA dhe FIFA, ndërsa ne do t'i respektojmë të gjitha vendimet e tyre", shtoi Bozhinovski. Sipas rrjedhës së deritanishme rreth federatës së Futbollit është vështirë të zgjidhen problemet pa ndihmën e instancave më të larta të futbollit.

Kundërshtohet Bozhinovski
Pas Kuvendit të jashtëzakonshëm të Këshillit Iniciativë për ndryshime në FFM (i cili u mbajt të shtunën), të hënën ka reaguar menjëherë Harallampie Haxhiristeski. Sipas tij në Kuvendin e jashtëzakonshëm janë vërejtur parregullsi të ndryshme, duke mos u respektuar statuti i FFM-së.
"Edhe të shtunën janë thyer rregullat e FFM-së, ku janë bërë zgjedhje të reja pa 2/3 e delegatëve. Delegati Mustafa Ahmeti, emri i të cilit është i nënshkruar në listë me numër 94 nuk është valid, pasi i njëjti nuk ka
marrë pjesë në takim. Pastaj Risto Stojmenov, i cili në listë ishte me numër 95, në Kuvendin e rregullt të mbajtur më 17 mars në Strugë është zëvendësuar nga delegati Vasko Trajkoski. Në Kuvendin e Strugës është zëvendësuar edhe delegati Jovica Nikollovski, ndërsa në vend të tij është emëruar Vlladimir Gasheski. As delegatët e LFK të Likovës, Menduh Nuhiu dhe Ibraim Alili të evidentuar në numrat 46 dhe 47 nuk janë delegatë të FFM-së, që mund të shihet edhe në listën e delegatëve të Kuvendit të FFM-së, të verifikuar në Kuvendin e përgjithshëm të 1tetorit 2005", u shpreh Haxhiristeski para gazetarëve. Ai tha se për të gjitha këto parregullsi do të informohen UEFA dhe FIFA, Qeveria e Republikës së Maqedonisë dhe Agjencia për Rini dhe Sport.
"Për këtë situatë do ta njoftojmë UEFA-në dhe FIFA-n, të cilët përmes vebfaqes së tyre kanë dhënë mendimin për ndodhitë në FFM. Po ashtu do të informohen edhe Qeveria e Republikës së Maqedonisë dhe Agjencia për Rini dhe Sport. Të gjitha këto dokumente do të përcillen deri te regjistri Qendror i Maqedonisë", tha Haxhiristeski. Ndërkohë delegati nga Kërcova, Mustafa Ahmeti tha se nuk ka marrë pjesë në Kuvendin e jashtëzakonshëm të së shtunës. "Më vjen keq që më është keqpërdorur emri im, sepse unë më 17 mars në Strugë i kam dhënë mbështetje kësaj federate. Ndërsa ai që ka nënshkruar në emër tim duhet të përgjigjet", tha ai.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›