E Shtunë, 31 Tetor 2026

Milani, në Barcelonë pas një udhëtimi rraskapitës

SPANJË- Ka nisur me probleme transferta e Milanit për ndeshjen e nesërme ndaj Barcelonës, e vlefshme për çerekfinalet e Champions League. Skuadra italiane ka udhëtuar me 3 orë e gjysmë vonesë drejt Spanjës, për shkak të një greve të kontrollorëve ajrorë në Francë. Një gjë e tillë e bënte të pamundur kontrollin e qiejve në vendin transalpin, kështu që udhëtimi i çarterit të Milanit është shtyrë nga ora 14.30, për në 17.50, me lojtarët që pritën në aeroport. Pasi është marrë OK-i, skuadra dhe stafi kuqezi më në fund janë nisur, por kjo shtyrje e nisjes ka ndikuar sadopak në rritjen e tensionit në kampin e Milanit. Si rrjedhojë, ka ndryshuar edhe itinerari i skuadrës italiane në Barcelonë, pasi lojtarët nuk kanë shkuar në hotel për çlodhje, por direkt në stadiumin “Kamp Nou”.
Alegri
Milani udhëton për në Barcelonë me shumë mendime në kokë, duke nisur që nga barazimi me Katanian, afrimi i Juventusit e deri te mungesa e lojtarëve si Tiago Silva. Trajneri Masimiliano Alegri është munduar të “zbusë” situatën, duke deklaruar se Milani mbetet favorit për të triumfuar. “Juventusi po bën gjëra të mira, por kur je 5 pikë përpara, është më e vështirë ta fitosh kampionatin, sesa ta humbasësh, - deklaroi Alegri. – Shanset tona gjithsesi janë të mëdha”. Por, tani në mendjen e të gjithëve është Barcelona, ndaj të cilës asgjë nuk është më e pamundur, duke parë barazimin 0-0 në “San Siro”. “Ne jemi gati, - deklaroi Alegri. – Në Kamp Nou duhet të luajmë si në ndeshjen e parë dhe të mos i lejojmë të shënojnë gol. Do të jetë si një finale, ndërsa ne një gol mund ta shënojmë. Formacioni? Nesta është për t’u parë, ndërsa Abiati është i gatshëm”, shtoi tekniku kuqezi.
Skuadra
Milani shkon në Barcelonë me një mision thuajse të pamundur: të arrijë kualifikimin në gjysmëfinale të Champions League, ndaj një skuadre që konsiderohet më e mira e të gjitha kohërave dhe që në fushën e saj, është e frikshme. Alegri mund të besojë te një Boateng super i karikuar dhe një Robinjo në formë, ndryshe nga ndeshja e parë, kur ata u hodhën në fushë pas një mungese të gjatë. Do të mungojë sërish Mark Van Bomel, ndërsa në vend të tij do të luajë Ambrozini. Në bordin e Milanit, ka qenë edhe Aleksandre Pato, që pas kurimit në Amerikë, duket se i ka kaluar problemet. Përpos kësaj, shpresat e ekipit italian duken të varura te Zllatan Ibrahimoviç, lojtari i mirë dhe që mund të vendosë në çdo moment i vetëm një ndeshje. Alegri do të hedhë në fushë një skuadër me përvojë, pasi nuk do të mungojnë Nesta e Sedorf.

CHAMPIONS
1/4 e finales
Nesër
1-Barcelona-Milan(0-0)
2-Bajern-Marsejë (2-0)
Pasnesër
3-Real-Apoel (3-0)
4-Çelsi-Benfika (1-0)

Në 1/2 e finales ndeshen: Fituesi 1-Fituesi 4, Fituesi 2-Fituesi 3.
(el.me/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›