Milani nuk lejon revansh, Reali ndalet në San Siro
SAN SIRO-Milani ka mundur të ndalë sërish yjet e Realit të Madridit në ndeshjen e zhvilluar mbrëmë në "San Siro", e cila përfundoi në barazim 1-1. Për skuadrën "galaktike" duhet të ishte mbrëmja e kthesës, megjithatë italianët edhe këtë herë kanë ditur të marrin një pikë më shume vlera në rrugën e tyre drejt kualifikimit. Takimi i mbrëmshëm ka qenë me dy fytyra, madrilenët që kanë dominuar në pjesën e parë dhe Milanin që ka kontrolluar gjithçka në të dytën. Reali e ka nisur ndeshjen me synimin e vetëm për të marrë fitoren, duke u hedhur që në fillim në sulm. Milani është treguar i kujdesshëm, por Kaka e Benzema kanë qenë tepër të rrezikshëm. Në minutën e 29-të braziliani godet fuqishëm nga hyrja e zonës, ndërsa topi i grushtuar nga Dida shkon në këmbët e Benzemasë, që e dërgon atë në rrjetë. 10 minuta më vonë është arbitri ai që bëhet protagonist duke dhënë një 11 metërsh të dyshimtë për Milanin, për një prekje me dorë në zonë. Nga pika e bardhë Ronaldinjo nuk fal dhe barazon shifrat. Milani shënon golin e dytë pak minuta më vonë, por gjyqtari anulon gjithçka për një faull të Patos, që për hir të së vërtetës nuk ishte. Në njëfarë mënyrë, një vendosje ekuilibrash sa u përket gabimeve. Në pjesën e dytë asnjë ndryshim në lojë, ndonëse Reali hodhi në fushë edhe Raul e Rud Van Nistelroi. Në takimin tjetër të këtij grupi, Marseja ka mposhtur thellësisht 6-1 Zyrihun, duke u ngjitur në kuotën e 6 pikëve. Gjithçka mbetet e hapur për takimet e mbetura, duke qenë se dyshja kryesuese Milan dhe Real Madrid kanë vetëm një pikë më shumë nga francezët.
Ndeshjet
Në sfidat e tjera të luajtura mbrëmë, spikat ndalesa e Mançester Junajtid në "Old Traford" ndaj CSKA Moskës. Rusët kanë kaluar në avantazh të parët me Xhagoev në minutën e 25-të, por 4 minuta më pas Ouen barazoi shifrat. Pjesa e parë u mbyll me avantazhin e CSKA-së falë golit të Krasiç, ndërkohë që dy minuta nga nisja e fraksionit të dytë ishte Berezutski që e çoi takimin në 3-1. Gjithsesi, në minutat e fundit Mançesteri barazoi shifrat falë golave të Pol Skols e Antonio Valencias. Po për këtë grup, Volfsburgu fitoi 3-0 në Turqi ndaj Beshiktashit, ku autorët e golave ishin Misimoviç, Gentner dhe Xheko. Ndërkaq, në takimet e grupit D, Çelsi ka barazuar 2-2 në Madrid ndaj Atletikos, një rezultat që thuajse e kualifikon skuadrën e Ançelotit. Vendasit shënuan të parët me anë të Serxhio Agueros në minutën e 86-të, por 8 minuta para përfundimit Drogba barazoi shifrat. Kur duheshin edhe dy minuta nga fundi, i njëjti autor kaloi në avanatazh blutë e Londrës. Gjithsesi, ndeshja u mbyll në barazim pasi Aguero shënoi edhe golin e dytë për Atletikon e Madridit. Takimi tjetër i këtij grupi, i zhvilluar në Qipro, përfundoi me fitoren 2-0 të Portos ndaj Apoel Nikozias.
(d.b/BalkanWeb)