E Shtunë, 31 Tetor 2026

Milani, poker për Kasanon,Udineze e Lacio në krye

SAN SIRO-Milani ka përmbushur me sukses misionin për të marrë pikët e plota përpara pushimit për ndeshjet e kombëtareve, duke mundur thellësisht 4-0 Katanian në “San Siro”. Kuqezinjtë kanë realizuar një poker për Antonio Kasanon, ndonëse duhet thënë se shifrat janë pak të ekzagjeruara duke parë atë çfarë ndodhi në fushë. “Do të kthehesh më i fortë se më parë”, “Gjigandi 99, të presim shpejt”, ishin disa nga pankartat e tifozëve për Kasanon, që të shtunën në mbrëmje la spitalin për të shkuar në shtëpi. Me dyshen Ibra-Robinjo në superformë, kampionët e Italisë kanë mundur të marrin pikët e plota përballë një kundërshtari që vinte pas një serie rezultatesh pozitive dhe që në fushë ka treguar mjaft gjëra të mira. Robinjo ka qenë i pari që ka ndezur sfidën, me disa veprime klasi, ndërsa në minutën e 7-të fitoi një penallti pas ndërhyrjes së Lanzafames. Nga pika e bardhë Ibra mposhti qetësisht Anduhar, duke kaluar Milanin në avantazh. Katania mund të kishte fituar një 11-metërsh 5 minuta më vonë, kur Zambrota preku me bërryl një kros të Lanzafames, por për arbitrin Gervasoni gjithçka qe e rregullt. Siçilianët e kanë rritur shumë ritmin e lojës, por në minutën e 24-të dorëzohen përballë Robinjos, që mposht për herë të dytë Anduhar. Në pjesën e dytë, Milani ka luajtur me shumë kujdes, por ka realizuar edhe dy herë të tjera. Robinjo detyron Lodin ta dërgojë topin në portën e tij, ndërsa Zambrota realizoi golin e katërt pas një pritje të Anduhar në goditjen e Akuilanit. Në fund, Alegri i dha pak minuta edhe Pipo Inzagit, që rikthehet pas gati një viti në fushë.
Udineze e Lacio
Ndërsa Milani ka fituar ndaj Katanias, duke kaluar Juventusin, Udineze e Lacio kanë vazhduar serinë e tyre pozitive, duke u ngjitur në krye të Serisë A, të paktën përkohësisht. Në Friuli, Udineze e Guidolin ka harruar mbrëmjen e errët në Madrid, duke mposhtur 2-1 Sienën. Vendasit kanë qenë dominues dhe shumë më lart nga pikëpamja fizike, por në fund kanë vuajtur reagimin e skuadrës mike, e cila për pak sa nuk barazoi. Siena e ka parë veten në disavantazh pas vetëm 45 sekondash, kur Basta, i shërbyer nga Di Natale, realizoi golin e parë. Më pas, takimi ka qenë disi i përgjumur, por deri në minutën e 64-t. Pasi kishte humbur një rast me portën bosh, Di Natale realizon golin e dytë për friulianët. Siena më pas hidhet në sulm dhe shkurton diferencën me Bolzonin, duke i kthyer në një makth minutat e fundit për Udinezen. Kjo e fundit do të qëndrojë në krye të Serisë A për dy javët e ardhshme. Ndërkohë, fitore edhe për Lacion, që mposhti 1-0 Parmën. Bardhekaltërit kanë vuajtur tmerrësisht shumë përballë “murit” të skuadrës mike. Goli mban firmën e Xhuzepe Skulit 6 minuta para fundit, ndërsa Parma ka humbur edhe Xhovinkon për një dëmtim.

SERIA A
Palermo-Bolonja 3-1
Novara-Roma 0-2
Sot
Xhenoa-Inter (shtyrë)
Atalanta-Kaljari 1-0
Milan-Katania 4-0
Çezena-Leçe
Kievo-Fiore 1-0
Lacio-Parma 1-0
Udineze-Siena 2-1
Napoli-Juventus (shtyrë)
RENDITJA
Udineze 21
Lacio 21
Milan 20
Juventus 19
Palermo 16
Napoli 14
Katania 14
Roma 14
Kaljari 13
Siena 13
Atalanta 12
Fiorentina 12
Xhenoa 12
Parma 12
Kievo 12
Bolonja 10
Inter 8
Leçe 8
Novara 7
Çezena 3

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›