E Shtunë, 31 Tetor 2026

Valencia, gara kthehet në paradë për Simonçelin

VALENCIA-Momente prekëse në pistën e Valencias, që ditën e sotme, më shumë sesa një piste garash, i ngjante asaj të një parade në nder të Marko Simonçelit, i cili humbi jetën dy javë më parë në Malajzi. Në orën 10.10, të gjithë pilotët e tre kategorive hynë në pistë pas Hondës RC212V të Marko Simonçelit, që drejtohej nga Kevin Shvanc, teksan dhe mik i madh i SuperSic. Më pas, një sfilatë përgjatë gjithë pistës, që i ka prekur të gjithë të pranishmit. Valentino Rosi ka veshur një fanelë të bardhë me numrin 58 të Sic. “Ishte një xhiro emocionuese, - deklaroi Valentino Rosi. – Ishte diçka e bukur të shihje Kevinin me motorrin e Markos, ishte diçka speciale që të gjithë motorrët zbritën në pistë. Është minimumi që mund të bënim”, tha më tej ai. Gara e Moto GP më pas u fitua nga Kejsi Stoner, që la pas Ben Spies, ndërsa në vendin e tretë u rendit Andrea Doviciozo. Gara nisi me një rrëzim masiv të nisur nga Bautista, që përfshiu Rosin, De Punje e Niki Hejdën.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›