E Shtunë, 31 Tetor 2026

Milani prezanton dy blerjet, Van Bomel dhe Emanuelson

MILANO- Milani ka prezantuar dy blerjet e reja të muajit janar, holandezët Mark Van Bomel dhe Urbi Emanuelson. Ish-futbollisti i Bajernit të Mynihut ka firmosur një kontratë 6 mujore, ndërsa ish-lojtari i Ajaksit, deri në vitin 2014.

Ata bënë të dy debutimin në ndeshjen e Kupës ndaj Sampdorias, gjë që sipas Van Bomel ishte pak e çuditshme. “Nuk isha stërvitur fare me ekipin, pasi të martën isha në Mynih, - tha mesfushori holandez. – Dua të falënderoj Adriano Galianin dhe trajnerin që më bënë pjesë të Milanit. Ndjehem mirë edhe pse sapo kam ardhur”, shtoi më tej Van Bomel.
Ai foli edhe për situatën te Bajerni, duke deklaruar se aty ndryshoi çdo gjë dhe se i duhej të shikonte përpara. Ndërkohë, zëvendës presidenti i Milanit Adriano Galiani pohoi se për të marrë Van Bomel u konsultua në fillim me Zllatan Ibrahimoviç. Për Urbi Emanuelson, vendimi që të linte Ajaksin dhe t’i bashkohej Milanit nuk ka qenë aspak i vështirë.

“Sigurisht që këtu do më mungojë familja dhe miqtë, por nëse një klub si Milani të kërkon, është e vështirë t’i thuash jo”, deklaroi mesfushori i majtë.

(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›