Milani zyrtarisht në trofeun “Taci Oil Albania Reads”

Milani zyrtarizoi në faqen e klubit pjesëmarrjen në turneun "Taci Oil Albania Reads". "Milani do të marrë pjesë zyrtarisht në trofeun e parë ‘Taci-Oil Albania Reads', që do të zhvillohet në stadiumin ‘Qemal Stafa' në Tiranë, më 14 tetor ora 19 lokale", - shkruhet në komunikatën e publikuar. "Ndeshja miqësore midis skuadrës së parë kuqezi e KF ‘Tirana' ka qëllimin për të mbledhur fonde për projektin ‘Albania Reads' (Shqipëria lexon) e mbështetur nga UNICEF dhe parashikon ndërtimin e librarive moderne në të gjithë vendin, me objektivin për të përhapur midis të rinjve shqiptarë kulturën përmes leximit", - përfundon lajmi i publikuar në acmilan.com, e që ka bërë jehonë në të gjitha mediat e shkruara e elektronike jo vetëm italiane. Në Shqipëri do të vijnë Kaka, Shevcenko, kapiteni legjendar Paolo Maldini, talenti brazilian Pato, e dy figura karizmatike kuqezi si Masimo Ambrozini e Klarens Sedorf, i vetmi lojtar që ka mundur të fitojë Ligën e Kampioneve me tri klube të ndryshme. Lista zyrtare me të gjithë emrat e kuqezinjve që do të luajnë në Tiranë do të bëhet publike, më 6 tetor. Ekipi i Milanit do të shoqërohet nga një grup gazetarësh të njohur të medias sportive italiane. Ndeshja do të luhet në stadiumin kombëtar "Qemal Stafa", më 14 tetor ora 19:00. Kjo ditë është e parashikuar me shumë aktivitete me pjesëmarrjen e zëvendëspresidentit Adrian Galiani, trajnerit Anceloti, kapitenit të skuadrës Maldini dhe futbollistëve të njohur të Milanit. Takimi do të transmetohet direkt në "Milan Channel" dhe "Mediaset Premium".