Doktor Alban Merepeza, “ilaç kanadez” për sportistët shqiptarë

Bledar KUKA- Një djalosh që i bie baterisë, madje që 10 vjec si dhe që është marrë me futboll në moshë tepër të re, fare pak pritet që të krijojë personalitetin e një specialisti të mjekësisë. Por për Alban Merepezën, djalin e një familjeje të vjetër tiranase, kjo rezultoi një aventurë e suksesshme. Sot, në vitin 2008, Albani është Doktor në shkallën kiropraktike (Chiropractic Degree) dhe i graduar si Bachelor në psikologji, ndërsa është tepër i nderuar dhe i respektuar në Kanada, duke bërë specializime të tjera për të marrë diplomën shkencore për kiropraktikën sportive.
Këtij njeriu një ditë prej ditësh i lindi dëshira për të bërë dicka për Shqipërinë dhe sportin e saj, duke u përpjekur që të hyjë në lidhje me Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF). "Megjithë dëshirën e mirë të mikut tim, Shpëtim Duro, nuk u bë asgjë dhe nuk pata përgjigje nga z. Duka", - shprehet Merepeza për gazetën. Këto përpjekje u bënë pas një takimi me ambasadorin shqiptar në Kanada, zotin Besnik Konci dhe bisedave me një të afërt të Koncit në Tiranë.
"Ju keni marrë vesh edhe një variant tjetër sesi u lidha unë me sportin në Shqipëri, - thotë me të qeshur, - pra që kam parë apo dëgjuar një intervistë të Romela Begajt dhe pastaj kam marrë në telefon në Tiranë. Edhe ky variant është i vërtetë. Romela thoshte se nuk kishte mjek dhe se kishte probleme dëmtimi, ndërsa sportistja rivale e saj kishte 3 mjekë". Pas kësaj, Merepeza mori në telefon zyrën e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes në Tiranë.
"Në krahun tjetër të telefonit më doli Ilir Kraja, sekretari i përgjithshëm, - vazhdon ai, - i cili u gëzua kur unë i thashë se doja të ndihmoja ekipin kombëtar, madje pa pagesë, të paktën për një periudhë të caktuar kohe". Veprimtaria e radhës ishte në Kali të Kolumbisë, kampionati botëror, dhe unë u mora vesh me Krajën që të shkoja atje".
Në atë aktivitet Erkand Qerimaj doli nënkampion i botës për të rinj, duke përsëritur suksesin e vitit 2005 dhe 2006, ndërsa më parë ka qenë kampion i Europës për U15 dhe nënkampion i kontinentit për U17. Pastaj, ai shkoi sërish me shpenzimet e veta në Pekin, pasi mezi u lidh me Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH). "Dërgova një e-mail në KOKSH, madje arrita të flisja edhe me zotin Bello, por nuk m'u përgjigjën më, - tha ai, - ndërsa në Pekin u treguan të përzemërt me mua". Nëpërmjet Fidel Yllit, shefit të delegacionit shqiptar, ai arriti të siguronte kontaktin e duhur me sportistët duke ndihmuar që ata të arrinin rezultate të mira. Vetë Romela Begaj apo Erkand Qerimaj kanë pohuar se pa ndihmën e Merepezës ata nuk do të kishin dalë, përkatësisht, në vend të 6-të dhe 13-të në Olimpiadë.
Fluturimi i fundit i tij nga Kanadaja ndodhi këto ditë, për kampionatin evropian për të rinj që u zhvillua në Durrës dhe ku Shqipëria mori 10 medalje të ndryshme, mes të cilave 5 ari (3 Qerimaj, 2 Godelli). "Përvecse me peshëngritësit bashkëpunova edhe me ekipin e atletikës të Tiranës, mes të cilëve edhe me Klodiana Shalën, - sqaron Merepeza, - shpresoj që të kem një bashkëpunim më të qëndrueshëm".
Shqetësimi kryesor i tij është pikërisht trajtimi i sportistëve, por edhe sqarimi mbi atë që ai mund të bëjë. "Së pari dua të sqaroj se unë nuk merrem vetëm me dëmtimet e ndryshme, por më shumë se kaq, - thotë ai, - unë merrem me trajtimin e muskujve të cilët mund të mos jenë aspak të dëmtuar, por që pas trajtimit të japin një rendiment më të madh".
"Shikoj se këtu shteti premton shpërblime financiare për arritjet sportive dhe pastaj nuk është korrekt për t'i dhënë në kohë, - vazhdon ai, - në Itali tashmë janë dhënë shpërblimet për medalistët olimpikë. Vonesat sjellin efektin e kundërt të atij që kërkohet, në vend të nxitjes do të ketë demoralizim". Sidoqoftë, ai është i vendosur të vazhdojë kontributin e tij në sportin e këtij vendi. Me katër gjuhë që i flet rrjedhshëm (shqip, anglisht, italisht, spanjisht) si dhe profesionin që e njeh thellësisht, nuk do të bëjë pak.
"Ika nga Shqipëria si qytetar i klasit të dytë"
"Arsyeja që u largova unë në 1990 ishte politike, ose më mirë efektet e politikës së atë kohëshme. Nga që isha me "biografi të keqe" nuk më dhanë të drejtën e shkollës së lartë dhe u detyrova të punoj megjithë aftësitë dhe dëshirën e kisha të vazhdoja shkollën e lartë. Kur shikoja shokët e gjimnazit që ishin nëpër shkolla të larta dhe të privilegjuar në këtë drejtim më dukej vetja si një qytetar i klasës së dytë. Atëherë u detyrova ta kërkoja këtë oportunitet jashtë Shqipërisë sapo mu dha mundësia. Këtu në emigracion e realizova ëndrrën dhe jam tani mjek i respektuar si në komunitetin shqiptar por edhe tek komuniteti kanadez ku ushtroj profesionin... Unë nuk kam ndërmend të kthehem në Shqipëri sepse kam investuar gati gjysmën e jetës në Kanada dhe kushtet në Shqipëri janë jo cilësore në përgjithësi kur e krahason me ato që tashmë je ambjentuar në emigracion. Por jam në kontakt me disa institucione të sportit, që është pjesë e specialitetit tim, dhe mendoj ti ofroj ndihmë sportit shqiptar me ekspertizën time".
Marrë nga "BBC në shqip"
21 shtator 2008