Milionat e Berishës, ministrave e borxhi i Mediut
Ministrat e tjerë blejnë shtëpi, makina e shtojnë kursimet. Të gjitha detajet e financave të qeverisë
TIRANË- Ish- ministri më i përfolur i qeverisë Berisha, Fatmir Mediu, ka arritur që të blejë një shtëpi gjigante banimi në vlerën 186 mijë euro. Edhe pse të ardhurat e tij nuk janë në nivele të larta, kreu i PR-së ka bërë shpenzime kolosale për këtë vit. Këto shpenzime nuk mbulohen aspak nga niveli i tij i jetesës dhe pikërisht kjo do të jetë një nga pikat kryesore të verifikimit të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Ai paguan një kredi prej më shumë se tre mijë eurosh në muaj kur të ardhurat e tij mujore janë shumë më pak se sa kjo shumë. Lëvizje të ndryshme financiare, blerje shtëpish, makinash e të tjera, kanë bërë pothuajse të gjithë ministrat e qeverisë Berisha.
Mediu
Në listën e gjatë të deklarimeve të pasurive nga ana e zyrtarëve më të lartë shqiptarë, më e dyshimta është ajo e ish- ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Ai ka shënuar se këtë vit ka blerë me kredi një shtëpi prej 220 metrash katrorë. Edhe pse shtëpia është ndërtuar rreth vitit 1940, ajo është blerë për një shumë të konsiderueshme prej 186 mijë eurosh. Ndërkohë në zërin e të ardhurave personale Mediu dhe bashkëshortja e tij kanë shënuar pagat që marrin. Gjatë kohës që Mediu ishte ministër ka arritur që të marrë një total prej 1.893.735 lekësh të reja. Bashkëshortja e tij ka marrë 974.250 lekë të reja dhe në total çifti Mediu ka marrë paga e shpërblime në shumën e 2.867.985 lekësh të reja. Nga kjo llogari del se të ardhurat mujore të çiftit janë 238.998 lekë të reja. Por problemi i ish- ministrit është se ai ka marrë një kredi prej 300 mijë eurosh dhe paguan një këst mujor prej 3048 eurosh. E konvertuar në lekë kjo do të thotë se kësti mujor i kredisë së tij është rreth 384.048 lekë të reja. Pra Mediu ka një diferencë prej 145.050 lekësh të reja që nuk mund t'i justifikojë. Ai ka shënuar se të vetmet të ardhura që ka janë pagat por ato nuk arrijnë që të mbulojnë kredinë e marrë prej tij e jo më shpenzimet e tjera normale të jetesës së një familjeje në Shqipëri. Llogaritjet e thjeshta tregojnë se Mediu del çdo muaj me humbje të mëdha financiare. Për më tepër, deri në qershor të vitit të kaluar ai ka paguar edhe një tjetër kredi të vjetër në shumën 142.200 lekë të reja.
Ministrat
Ministri Kosta Barka ka shënuar në deklarimin e tij një pasuri shumë të rëndësishme siç është një apartament në Sarandë, i cili është 90 metra katrorë. Ai ka marrë edhe një kredi prej pesë milionë lekësh duke paguar gjatë një viti 316.538 lekë të reja. Të ardhurat e ministrit janë 1.585818 lekë të reja nga paga si dhe 116.600 lekë nga shpërblime të ndryshme. Ministri Nard Ndoka është një nga më të qetët e qeverisë Berisha pasi ai ka shënuar në deklarimin e tij vetëm disa depozita të vogla bankare dhe pagën vjetore të tij dhe të gruas. Nga ana tjetër femra e vetme e qeverisë, Majlinda Bregu, nuk ka pasur një vit të thjeshtë financiar. Asaj i janë shtuar në depozitat që ka në banka, në emër të saj 4064 dollarë dhe 3524 euro por i janë pakësuar nga një llogari 200 mijë lekë. Në total, vetëm në llogaritë e saj bankare ndodhet një total prej 652.580 lekësh të reja si dhe 1494 euro. Në llogarinë e bashkëshortit janë shtuar gjashtë milionë lekë të reja. Paga vjetore e ministres është 1.750.000 lekë të reja ndërsa e bashkëshortit të saj 52 mijë euro. Bregu nuk ka asnjë kredi për të paguar. Ministri Ylli Pango ka shënuar në pasurinë e tij vetëm pagën vjetore prej 2.5 milionë lekësh të reja si dhe paratë e fituara nga shitja e librave të tij. Këto kapin shumën e 750 mijë lekëve të reja. Ministrit Olldashi i është pakësuar pjesa që kishte në apartamentin e vjetër të familjes në Durrës pasi ai është shitur për 3.9 milionë lekë të reja. Ndërkohë ai vazhdon që të paguajë një kredi të vjetër të marrë vite më parë si dhe ka shlyer përfundimisht makinën e blerë një vit më parë së bashku me të shoqen. Të ardhurat e vetme të ministrit janë paga e tij dhe e bashkëshortes.
Xhuveli trashëgon shtëpinë në Vlorës
TIRANË- Shqipëria ka ndërruar më shumë se dhjetë qeveri gjatë 18 viteve por një nga ministrat është gjithmonë në to. Lufter Xhuveli shfaqet në çdo qeveri dhe gjithmonë të ardhurat e tij vjetore janë të admirueshme. Kështu ministri ka pohuar se këtë vit atij i janë shtuar të ardhurat me 1.092.300 lekë të reja si dhe me 800 euro. Fati i ka buzëqeshur ministrit më të vjetër të qeverisë edhe në trashëgiminë e një apartamenti prej 58 metrash katrorë dhe një trualli prej 15.4 metrash katrorë në qytetin e Vlorës. Të ardhurat e tij vjetore nga pagat dhe shpërblimet janë 1.602.323 lekë të reja ndërsa të ardhurat e bashkëshortes pensioniste janë vetëm 140.000 lekë.
Alibeaj ndërroi shtatë detyra në një vit
TIRANË- Veprimi i parë që ka shënuar në deklarimin e pasurisë së tij ministri më i ri i qeverisë Berisha, Enkelejd Alibeaj është ai i hapjes së llogarisë në bankë në mënyrë që aty të hidhet paga e tij mujore. Ai ka marrë detyrën në fund të vitit të kaluar duke përfituar vetëm një pagë prej 166.320 lekësh të reja. Ndërkohë në një llogari të vjetër të tij ndodhen 1.194.991 lekë të reja. E veçanta e ministrit Alibeaj është se ai gjatë këtij viti ka kryer shtatë punë të ndryshme. Duke nisur nga juristi i thjeshtë ai ka arritur deri në kry të dikasterit të Drejtësisë. Vetë Alibeaj ka shënuar në formularin e tij se ka punuar si jurist pranë ATK-së, tek Avokati i Shtetit, tek komisioni i hartimit të tezës noteriale, në shkollën e magjistraturës në dy poste të ndryshme, drejtor në një drejtori të Këshillit të Ministrave dhe në fund, ministër Drejtësie. Në total, nga shtatë punët e ndryshme që ka kryer Alibeaj ka marrë 2.862.204 lekë të reja.
Bujar Nishani blen shtëpinë e re 152 m2
TIRANË- Vetëm pak muaj ditë pas emërimit në postin e Ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani ka preferuar të ndërrojë edhe shtëpi. Ai ka shënuar në deklarimin e pasurisë së tij blerjen e shtëpisë së re me sipërfaqe 152 metra katrorë në dhjetor të vitit 2007. Shtëpinë e ka blerë duke marrë një kredi prej pesë milionë lekësh të reja në bankë si dhe të ardhurat e tjera familjare. Gjysma e shtëpisë zotërohet nga bashkëshortja e tij. Kësti mujor i kredisë së Nishanit është 23.817 lekë të reja. Ndërkohë të ardhurat e familjes së ministrit të Brendshëm janë paga e tij 1.595.802 lekësh të reja, ajo e bashkëshortes prej 720 mijë lekësh të reja në vit si dhe të ardhurat nha një dyqan që ka dhënë me qira në qytetin e Durrësit. Për një vit nishani ka marrë 660 mijë lekë të reja nga dyqani.
Gjana hap llogari 10 mijë euro
Ministri Jemin Gjana ka arritur që gjatë vitit 2008 të hapë një llogari bankare në shumën e 10 mijë eurove. Në deklarimin e pasurisë së tij është shënuar se ajo ka ardhur si pasojë e kursimeve nga paga e tij prej 1.584.739 lekësh të reja, 819.077 lekësh të reja të bashkëshortes dhe 54.420 të djalit të tij Armand. Por Gjana ka edhe një kredi të vjetër për të paguar.
Pollo 666.449 lekë në emër të dy vajzave
TIRANË- Ministri i Arsimit, Genc Pollo është i vetmi anëtar i qeverisë Berisha që ka menduar për fëmijët e tij të vegjël. Pollo ka dy vajza të mitura dhe që tani i ka hapur secilës prej tyre nga një llogari bankare në mënyrë që të kur të arrijnë në moshë madhore të mos kenë asnjë problem financiar. Në deklarimin e pasurisë së tij është shënuar se ka hapur një depozitë me 385.393 lekë të reja në emër të vajzës së mitur, Ema Pollo. Ai ka hapur edhe një llogari tjetër prej 281.056 lekësh të reja në emër të vajzës tjetër të mitur Stefani Pollo. Përveç kësaj Pollo ka pasur edhe një shtim në llogarinë e tij bankare prej 305.776 lekësh të reja. Në një tjetër llogari atij i janë pakësuar 973 euro. Duke qenë se bashkëshortja e tij Dajena është vetë deklaruese pasurie, Genc Pollo ka shënuar në formular vetëm pagën e tij vjetore prej 1.954.200 lekësh të reja. Ai ka edhe një kredi të marrë që në vitin 2005 dhe mbaron në vitin 2115. Nga kjo kredi kanë mbetur pa paguar edhe 15.442 euro dhe kësti mujor është 215 euro.
Oketa shet makinën për 300 mijë lekë
TIRANË- Ministri i sapoemëruar i Mbrojtjes, Gazmend Oketa ka shitur gjatë vitit të kaluar makinën e tij të prodhuar në vitin 1993, për 300 mijë lekë të reja. Ndërkohë Oketa ka marrë gjatë një viti 2.079.666 lekë paga dhe shpërblime të ndryshme. Këtyre të ardhurave u shtohet edhe pagat e bashkëshortes në shumën e 346.536 lekësh të reja. Ministri ka një kredi të vjetër prej dhjetë mijë eurosh, nga e cila ka mbetur pa paguar edhe 7.785 euro.