Paketa, ndërkombëtarët: Pati konsensus të gjerë
Ambasadori i KE-së dhe ai i OSBE-së mbështesin kalimin e paketës kushtetuese
TIRANË- Kalimi i paketës kushtetuese me 115 vota dy ditë më parë në Kuvend, për ndërkombëtarët përbën konsensusin më të gjerë të mundshëm. Përpos përpjekjeve të partive të vogla, e veçanërisht atyre të majta, për ta denoncuar këtë paketë edhe tek të huajt, Ambasadori i Komisionit Evropian në Tiranë, Helmut Lohan, gjatë një takimi me studentë në një universitet privat, ka deklaruar se për këto ndryshime votoi shumica në Kuvend. "Ky organizëm do të bëjë një analizë përsa i përket pjesës së ndryshimeve kushtetuese, por ajo që është më e rëndësishme, ka të bëjë me faktin që shumica në Parlamentin shqiptar i gjykon njësoj të rëndësishme këto ndryshime. Për sa i përket ndryshimeve në sistemin zgjedhor dhe kushtetues i takon Parlamentit shqiptar të vendosë",- është shprehur Lohan, duke shtuar edhe njëherë se ka pasur një konsensus të gjerë në parlament për këto ndryshime. Edhe Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch, përmes një njoftimi për mediat, ka mirëpritur progresin e bërë veçanërisht në reformën zgjedhore në Shqipëri "Ky është një hap i qartë dhe i sigurt drejt adresimit të rekomandimeve të bëra në vitin 2005 nga OSBE-ja dhe Zyra e saj për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR)",- tha Ambasadori Bosch. "Megjithatë, çështje si administrimi i zgjedhjeve, ankimet dhe apelimet në lidhje me rezultatin e zgjedhjeve, financimi i partive politike dhe pjesëmarrja e grave mbeten ende për t'u adresuar. Debati për Kodin Zgjedhor duhet t'i zgjidhë përfundimisht edhe këto çështje",- shtoi ai. Megjithatë, ambasadori Bosch nuk ka komentuar thelbin e ndryshimeve kushtetuese, që nuk lidhen me reformën zgjedhore, duke vënë në dukje mungesën e kohës së mjaftueshme për një debat të gjerë me përfshirjen e shoqërisë civile dhe aktorëve të tjerë. Në të njëjtën kohë, ambasadori Bosch shtoi se, Prezenca e OSBE-së mbetet e gatshme të ndihmojë autoritetet dhe institucionet shqiptare, në përputhje me mandatin e saj. Dy ditë më parë, Kuvendi kaloi më një numër të konsiderueshëm votash paketën për ndryshimet kushtetuese. Krahas sanksionimit në Kushtetutë të sistemit proporcional-rajonal me lista të mbyllura, dokumenti themeltar pësoi ndryshime të thella edhe sa i përket mocionit të besimit ndaj Kryeministrit si dhe zgjedhjes së Presidentit, që për herë të parë pas katër vitesh, ai do të zgjidhet në Kuvend me 70+1 të votave, në dy raundet e fundit të votimeve.