E Shtunë, 31 Tetor 2026

Milioneri nga Fieri në Kosovë

SHKRUAN: Aida Tuci 27-01-2011 12:20

Drama satirike “Milioneri” e Teatrit “Bylis” të Fierit, me tekst dhe regji të Pëllumb Kullës, është shfaqur në natën e pestë të Festivalit të Dramës Kombëtare ”Talia e Flakës”, që po mbahet në kuadër të manifestimit “Flaka e Janarit 2011”, në Gjilan të Kosovës. “Milioneri” që nxjerr në pah problemet familjare dhe ato shoqërore, u mirëprit nga publiku dhe u vlerësua nga juria e Festivalit. Kryepersonazhi është një pensionist plak, i dëshpëruar nga mospërkrahja e fëmijëve në emigracion, nga telefonatat e rralla të tyre dhe nga dëshpërimi i jetës, vendos t’i japë fund jetës. Ai gjatë tërë jetës, kishte blerë bileta lotarie, por as aty nuk i kishte buzëqeshur fati, por pikërisht pasi pi helmin dhe pret që të shkojë në përjetësi, ai bëhet fitues i lotarisë. Pikërisht këtu merr start komedia me situata nga më të ndryshmet. Në komedinë “Milioneri” luajnë: Luftar Paja, Hasan Bregu, Astrit Hasani, Elona Hyseni, Vasil Vaso, Arqile Lipe, Doriana Caushi, Xhulieta Kulla, Fatmir Xhelili, Shpëtim Shehu, Syzana Prifti, Todi Llupi, Myzafer Zilfaj, Donika Ramallari, Grizelda Rushanaj, Sotir Sefa, Sajmed Hajdaraj, Eugerta Meta e Dorian Lule. Në debatin pas shfaqjes, kritikët vlerësuan lart lojën e aktorit të popullit, Luftar Paja, sikurse edhe tekstin dhe regjinë e Pëllumb Kullës.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›