E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Parajsa e Humbur” e Gazmend Lekës

SHKRUAN: Aida Tuci 27-01-2011 12:21

Tabloja që qëndronte në krye të sallës së Galerisë Kombëtare të Arteve, ku për gati 1 muaj ekspozoheshin veprat e 27 artistëve pjesëmarrës në Konkursin Ndërkombëtar “Onufri 2010”, detyrimisht ka tërhequr vëmendjen e publikut si për nga hapësira dhe pozicioni që ishte përzgjedhur për të, por dhe për faktin se dora e piktorit Gazmend Leka natyrshëm dominonte nga pjesëmarrësit e tjerë, pjesa më e madhe në moshë të re, e disa nxënës të profesorit Leka. Përtej kësaj, juria e përbërë nga kryetar, Prof. Asoc. Alban Nimani, pedagog në Akademinë e Arteve në Prishtinë dhe dy anëtarët Arben Bajo, Pedagog në Akademinë e Arteve në Tiranë; dhe Prof. Ferid Hudhri, studiues dhe historian arti kanë, vlerësuar si veprën më të mirë të eskpozitës “Onufri” pikërisht “Parajsën e Humbur” të Gazmend Lekës. Vetë piktori Gazmend Leka e përshkruan kështu veprën e tij: “Në kontaktin e parë me pikturën përftohet përshtypja se është një vepër e angazhuar dhe refleks i menjëhershëm i realitetit që jetojmë. Edhe kështu mund të shihet, pasi informacionet në media janë të mbushura me “përmbytjen e plehrave”. Por një lexim nën rreshta të shpie diku më larg e më thellë. Njeriu pak e nga pak, me mendjemadhësinë, miopinë dhe tërbimin e tij drejt një urie për konsum, po e humb natyrën që e rrethon dhe po e çon atë dhe veten drejt një kolapsi. Plehrat janë vetëm një shenjë në morinë e shenjave të tjera. “Fruti i Parajsës” është konsumuar aq shumë dhe egër, sa njeriu vetë ka humbur memorien për vendin e bekuar që me bujari i jepte atij dikur frutet e veta. Është një përmbytje mbetjesh, ku ka nevojë për një pastrim radikal dhe për fillimin e një jete të re. Figura, tablo që mezi duket në memorien e mbetjeve, të lë përshtypjen e një braktisjeje të vendit të ndotur. Duket një situatë e pa shpresë, por një ylber i vockël në qiell është si për të na kujtuar edhe njëherë shenjën e aleancës qysh pas përmbytjes së përbotshme të ujërave”. Kjo është “Parajsa e Humbur” e piktorit Leka, që shpallet dhe fituese e “Onufri 2010”. Një tjetër vepër e vlerësuar nga juria me çmimin e dytë është “Clean the Dirt” dhe “Golden Bread”, fotografi të printuara në letër, vepër kjo e artistit të ri Genti Korini. Në dy fotot e Korinit, që paraqiten në një vepër, janë sapuni i bardhë, simboli i pastërtisë dhe një bukë që, përmes dritës që i ka dhënë autori fotos së printuar, të krijon përshtypjen e një Bukë të Artë. Edicioni i 17-të i “Onufri-t” u bazua në moton “Unë jam ARTI-sti. Për të tretin vit konkursi kishte në fakt karakter kombëtar. Nga 27 artistët pjesëmarrës, 14 artistë morën pjesë për herë të parë, ndërsa 3 artistë vinin nga Kosova.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›