Militantë të PD-së presin Topin në Durrës

Presidenti Topi ne Durres
Nga Artur Llana
Ndryshe nga çfarë pritej, Presidentit Bamir Topi i është bërë një pritje surprizë nga demokratët në Durrës, teksa nuk kanë munguar dhe drejtues institucionesh që janë emëruar nga PD-ja dhe koalicioni qeverisës, përfshi dhe prefektin Genci Alizoti. Por befasia për Presidentin ka qenë kur dhjetëra e dhjetëra militantë të PD-së, të njohur për reputacionin e tyre në Durrës, i kanë kërkuar publikisht të bëjë foto me to, mes të cilëve nuk ka munguar dhe aktori i madh i humorit, Fadil Hasa.
Gjatë vizitës në Durrës Topi është shoqëruar nga një numër i madh qytetarësh, në mesin e të cilëve kanë rënë në sy mjaft drejtues seksionesh, por edhe institucionesh dhe disa drejtorë të tjerë që janë me peshë në Durrës. Topi ka konsumuar minuta të tëra në shoqërinë e mjaft militantëve të PD-së, ndërsa shoqërohej nga deputeti Gazmend Oketa, shumë prej të cilëve ai është shprehur si i njihte personalisht dhe i respektonte për kontributin e tyre në të djathtën shqiptare. Por vizita e presidentit në Durrës është braktisur nga këshilltarët e djathtë dhe të koalicionit, të cilët kanë marrë urdhër mbrëmë vonë sipas burimeve që të mos jenë në një takim që ai do të zhvillonte me të zgjedhur të pushtetit vendor. Por braktisja që është menduar për ti bërë takimit, ka lënë të befasuar këshilltarët të cilët nuk kanë marrë njoftim për një takim të tillë, duke ndryshuar axhendën e takimit. Presidenti Topi ka qenë i pranishëm në Durrës për të nderuar tre nga figurat e mirënjohura të kulturës dhe sportit në këtë qytet si dhe Shoqatën Durrësi, e njohur si një nga shoqatat më me ndikim në të djathtën durrsake. Topi ka dekoruar me medalje aktorët Ajshe Stari dhe Roland Koço si dhe sportistin Nikolla Profkola. Më pas presidenti Topi ka bërë vizitë edhe në një nga kopshtet e fëmijëve me të meta mendore, ndërsa ka drekuar nën praninë e kryebashkiakut të Durrësit dhe të deputetit Oketa në një nga lokalet e këtij qyteti.