E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Militantët e PS nxisin provokime me qëllim tensionimin e situatës”

18-04-2011 / Gazeta 55

Fushata zgjedhore, incidente në Kamëz, reagon PD: Edi Rama dhe kandidati i tij në Kamëz Rakip Suli nuk njohin alternative tjetër përveçse dhunës

Një akt i rëndë kriminal i provokuar dhe drejtuar nga kandidati socialist për kryetar të bashkisë Kamëz, ndodhi dje në mesditë në qendër të këtij qyteti. Eksponentë të botës së krimit goditën rëndë punonjësin e policisë bashkiake Rasim Hoxhaj, me mjete të forta duke i shkaktuar plagë të rënda. Në këtë sulm banditesk është implikuar drejtpërdrejt vetë kandidati socialist Rakip Suli, ndërkohë që në këtë akt të shëmtuar, janë identifikuar edhe njerëz që kanë lidhje të drejtpërdrejta me të.
Ngjarje të tilla të dhunshme janë pjesë e strategjisë që ndjek Partia Socialiste me strukturat e saj të kriminalizuara. Dëshmia më e qartë për këtë, janë aktet e rënda të provokuara brenda një jave në Kamëz dhe të dirigjuara nga kreu i PS Edi Rama.
Akti i dhunshëm ndaj punonjësit të policisë bashkiake, ndodhi vetëm pak orë pas sulmit banditesk që eksponentë socialist kryen ndaj posterave të kandidatit të “Aleancës për Qytetarin”, pikërisht ditën që në Kamëz është paralajmëruar një miting elektoral i PS me praninë e kryesocialistit Rama. Këto akte dhune kanë vetëm një autor, Partinë Socialiste dhe kreun e saj Edi Rama.
Partia Socialiste, Edi Rama dhe kandidati i tij në Kamëz Rakip Suli nuk njohin alternative tjetër përveçse dhunës. Këto akte ata i kanë intensifikuar pasi po përjetojnë agoninë dhe fobinë e humbjes së madhe që i pret me 8 Maj, kur qytetarët e Kamzës dhe të gjithë Shqipërisë do t’i ndëshkojnë rëndë me votën e tyre të lirë. Përmes një njoftimi për shtyp, shtabi elektoral i Partisë Demokratike dënon këto akte dhe bën thirrje për maturi e vetëpërmbajtje, pasi situata mund të precipitojë deri në destabilizim të gjendjes.
“Ne nga ana jonë jemi të angazhuar dhe kemi demonstruar vullnetin tonë për një fushatë elektorale të qetë, të kulturuar dhe qytetare, siç është në dinjitetin e qytetarëve të Kamzës. Por akte të tilla, të nxitura në vazhdimësi nga eksponentë kriminal të Partisë Socialiste, nuk i përgjigjen këtij vullneti. Gjithsesi, ne edhe njëherë i bëjmë thirrje Partisë Socialiste, Dega Kamëz, të vetëpërmbahet me qëllim krijimin dhe ruajtjen e standardeve të një fushate të denjë elektorale”, thuhet në njoftimin për shtyp të degës së Partisë Demokratike, Kamëz. 

Policia: Militantët e PS plagosën punonjësin e bashkisë Kamëz
I menjëhershëm ka qenë reagimi i Policisë së Tiranës, lidhur me incidentin në Kamëz, ku mbeti i plagosur punonjësi i policisë bashkiake Kamëz, Rasim Zenel Hoxha. Sipas njoftimin zyrtar të Policisë, Hoxha është qëlluar disa herë nga militantë të Partisë Socialiste. “Sot (dje), më datë 17. 04. 2011, rreth orës 13.25, në Kamëz Tiranë, në afërsi të rrugës ‘Manhatan’, pranë vendit ku po ngrihej tribuna për zhvillimin e takimit elektoral të subjektit Partia Socialiste, ka patur një konflikt ndërmjet simpatizantëve të Subjektit Partia Socialiste, dhe disa shtetasve midis tyre edhe një punonjës i Bashkisë Kamëz. Nga ky konflikt, është plagosur shtetasi Rasim Zenel Hoxha, vjeç 43, me detyrë Punonjës Policie pranë Bashkisë Kamëz, i cili në momentin e plagosjes ka qenë duke vendosur pankarta të Subjektit Politik Partia Demokratike e Shqipërisë dhe aktualisht ndodhet për trajtim mjekësor në Spitalin Ushtarak Tiranë, thuhet në njoftimin e Policisë së Tiranës. Nga veprimet e para hetimore të kryera në vendin ku ka ndodhur incidenti, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5 Tiranë, kanë bërë të mundur të identifikojnë, si autor të mundshëm të plagosjes së shtetasit Rasim Hoxha, i cili dyshohet të jetë shtetasi Petrit Ahmet Hoxha, 36 vjeç. Nga Strukturat e hetimit dhe të parandalimit të Komisariatit të Policisë Nr. 5 Tiranë, aktualisht po punohet për dokumentimin ligjor dhe procedurial të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje. Njëherazi materialet hetimore e proceduriale do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për hetime të mëtejshme”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Policisë së Tiranës, lidhur me incidentin e djeshëm në Kamëz. 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›