Xhaferaj: Banorët do marrin tapitë brenda pak ditësh

Durrës/ Ndahen kontratat e privatizimit për 145 familjet te magazinat e ish-Agroeksportit
“Në zbatim të vendimit të Këshillit të Ministrave, banorët do të përfitojnë, brenda pak ditësh, certifikatat e pronësisë. Unë ju premtoj se, jo vetëm ju këtu, por të gjithë banorët e Durrësit, brenda vitit nuk do të kenë më shtëpi të pa-hipotekuara”
Në një moment shumë domethënës për dhjetëra e dhjetëra familje, kryefamiljarët morën në dorëzim formularët për të nënshkruar kontratat e privatizimit me Entin Kombëtar të Banesave. Të pranishëm ishin deputeti Eduard Halimi, drejtues të Entit Kombëtar të Banesave, si edhe Ferdinand Xhaferaj, kandidati i koalicionit “Aleanca për Qytetarin” për kreun e Bashkisë së Durrësit.
Deputeti Halimi tha se “tani është koha për të mbyllur një punë të gjatë dyvjeçare. Bashkia e drejtuar nga Vangjush Dako kurrë nuk deshi ta zgjidhte problemin tuaj, ndonëse i kishte të gjitha mundësitë”, shtoi deputeti Halimi. Pas, kandidati demokrat Xhaferaj tha se, “në zbatim të vendimit të Këshillit të Ministrave, banorët do të përfitojnë, brenda pak ditësh, certifikatat e pronësisë”. Xhaferaj e shoqëroi këtë ceremoni të rastit edhe me projektin e tij të ndërhyrjeve për rehabilitimin e infrastrukturës aty.
Ai tha se “e gjithë zona ku gjenden godinat e apartamenteve të tyre do të kenë investimet e nevojshme, si: rrjeti i kanalizimeve, ujësjellësi, rikonstruksioni i rrugëve dhe trotuareve, gjelbërimi i hapësirave të lira”.
Xhaferaj tha se “gjendja në këtë zonë është e tillë sepse Vangjush Dako nuk ka menduar ndonjëherë për ju. Për katër vjet me radhë, Bashkia e Durrësit nuk ka qenë dera ku ju të hyni e të gjeni zgjidhjen e problemeve tuaja, tha Xhaferaj, në fakt ka qenë vendi prej të cilit vetëm Dako me betonin e tij përfitoi”.
Kandidati i koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, me këtë rast, bëri të njohur edhe një pikë tjetër të programit të tij për të sjellë Bashkinë sa më afër qytetarëve. Ndonëse nuk është shërbim i drejtpërdrejtë i Bashkisë, Xhaferaj premtoi se, brenda vitit, nuk do të ketë shtëpi pa u hipotekuar në Durrës.
“Unë ju premtoj se, jo vetëm ju këtu, tha Xhaferaj duke iu drejtuar banorëve të apartamenteve të magazinave tek ish-Agroeksporti, por të gjithë banorët e Durrësit, brenda vitit nuk do të kenë më shtëpi të pa hipotekuara”.
Në fakt, hipotekimi i banesave është një problem që prek mjaft njerëz, pasi procedura zgjat në kohë sepse kërkon dokumentacion të hollësishëm, por Xhaferaj premtoi se do të ndihmonte pikërisht në këtë pikë që të lehtësonte dhe të përshpejtonte procedurat.
Së bashku me deputetin Eduard Halimi dhe drejtuesit e Entit Kombëtar të Banesave, kandidati demokrat Xhaferaj kreu shpërndarjen e disa prej kontratave të privatizimit, të shoqëruara këto edhe me kopje të vendimit të Këshillit të Ministrave që sanksiononte këtë veprim. Procesi i shpërndarjes së kontratave të privatizimit do të vazhdojë për mbi 700 familje të tjera në Plazh dhe Shkozet, të cilat janë strehuar prej më se 20 vitesh në godina në pronësi të shtetit.