E Shtunë, 31 Tetor 2026

Milloshoski: Heqja e vizave europianizon Maqedoninë



Ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Antonio Milloshoski ka deklaruar se heqja e regjimit të vizave me vendet e BE-së do të europianizojë edhe më tej shoqërinë maqedonase. “Mendoj se regjimi pa viza do të mundësojë europianizimin e shoqërisë së Maqedonisë, si dhe do të ketë shumë rëndësi në procesin e afrimit të vendit drejt BE-së”,- ka pohuar Milloshoski. Shefi i diplomacisë maqedonase është shprehur optimist se pas heqjes së vizave do të caktohet shumë shpejt data për fillimin e negociatave të anëtarësimit në BE. Një tjetër çështje e rëndësishme për Maqëdoninë konsiderohet mosmarrëveshja me Greqinë për emrin. Bisedime u zhvilluan dje në Gjenevë mes përfaqësuesve greke dhe maqedonas. Ndërmjetësi Metju Nimiç u takua me negociatorin maqedonas, Zoran Jolevski dhe atë grek, Adamantis Vasilakis. “Ka gatishmëri nga të dy anët, që të negociohet, por nuk ka zhvillim real, pasi të dyja palët mbrojnë pozitat e tyre”, theksoi Nimiç.

Koreja e Veriut e “papërshkueshme” për 16 ditë

Koreja e Veriut ka paralajmëruar botën që të mos u afrohet ujërave lindore koreane për 16 ditë duke filluar nga dita e enjte. Ky vendim u bë i ditur nëpërmjet një njoftimi dërguar Rojes Bregdetare japoneze. “Koreja e Veriut po përgatitet për organizimin e një stërvitje ushtarake në ujërat në verilindje të Uonsanit në bregdetin lindor të vendit, nga 25 qershori deri më 10 korrik”- njoftoi Roja Bregdetare japoneze. Vendi komunist nuk bëri me dije pasojat për anijet që do të shkelnin ujërat gjatë stërvitjes. Datat e stërvitjes ushtarake përputhen me kohën e parashikuar nga media japoneze për një sulm të mundshëm me raketë ndaj Havait nga Peniani.

Zgjedhjet presidenciale në Ukrainë, vitin e ardhshëm

Parlamenti i Ukrainës ka vendosur që zgjedhjet e ardhshme presidenciale të mbahen më 17 janar. Gjatë zgjedhjeve pritet të zhvillohet një garë e ashpër ndërmjet kryeministres aktuale, Julia Timoshenko, dhe ish-kryeministrit Viktor Janukoviç. Rezultati i votimeve pritet të përcaktojë pasardhësin e presidentit aktual, Viktor Jushçenko, i cili po përfundon mandatin e tij pesëvjeçar. Kohë më parë, parlamenti vendosi që zgjedhjet të mbaheshin në muajin tetor, por Jushçenko këtë vendim e cilësoi si jolegjitim. Vendimi i parlamentit u hodh poshtë edhe nga Gjykata Kushtetuese e Ukrainës.

24 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›