E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tare “luan” me të gjithë, nga Lacio... tek Interi



Igli Tare, drejtori sportiv i Lacios, është shndërruar në një personazh të merkatos, jo të futbollistëve, por në atë të tavolinës, pra të menaxherit të klubit bardhekaltër. Tare pritet të udhëtojë edhe drejt Milanos për të biseduar me drejtuesit e Interit për shitjen e mbrojtësit të majtë Kolarov, pas interesimit të skuadrës së Moratit. Çmimi i lojtarit mendohet të jetë 8-10 milionë euro. Nga ana tjëtër, drejtori sportiv i Lacios, Igli Tare ka paralajmëruar të gjitha klubet që janë në kërkim të maqedonasit Goran Pandev se duhet të paguajnë 18-19 milionë euro për të pasur shërbimet e tij. “Pandev ka dëshirë që të ndryshojë skuadër në sezonin e ardhshëm dhe në do tia plotësojmë dëshirën, - është shprehur ish-sulmuesi i Lacios dhe Breshias në mikrofonin e radios “Kiss Kiss Napoli”, - Çmimi i lojtarit? Napoli pagoi 18,5 milionë euro për Kualjarelën, i cili është një sulmues shumë i mirë dhe besoj se Pandev nuk vlen më pak se ai. Nuk mund të them se kur mund të largohet Pandev pasi në futbollin e sotëm mund të ndodhë gjithçka shumë shpejt. Ju e patë vetë më Kakanë që u largua në pak ditë”. Ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare i ka hyrë seriozisht punës për të qenë një menaxher profesionist dhe është duke ndjekur Universitetin e Koverçanos në Itali për të marrë edhe licencën përkatëse. Lajmi jepet nga faqja Laroma24.it. Në program janë marrëdhëniet midis drejtorit sportiv e shoqërisë, ato me lojtarët dhe të karakterit administrativ të klubit

Valon Behrami me “humor” të mirë

Valon Behrami, mesfushori kosovar i Uest Hemit, është duke bërë një progres të mirë pas problemeve që pati me krucialin e ligamenteve të gjurit. Ish-lojtari i Lacios shpreson të kthehet në fushë në muajin gusht. Ndërkombëtari i Zvicrës do të mungojë në fillimin e sezonit, por ai shpreson se do të jetë plotësisht gati për stërvitje, pas dëmtimit të pësuar në fitoren shtëpiake kundër Mançester Sitit, më 1 mars 2009. “Puna ishte duke ecur shumë mirë dhe unë shpresoj se nëse do të vazhdoj kështu, më 10 gusht do të filloj stërvitje me ekipin, të përpiqem të godas topin dhe të bashkohem me shokët e skuadrës. Pas dy ose tri javësh duke punuar me intensitet të lartë, në javën e fundit të gushtit unë shpresoj se do të jem në ekip i gatshëm për të luajtur”, - tha Behrami për faqen zyrtare të Uest Hemit.

Kievo “përzë” Bogdanin... dhe kërkon Filipin

Kievo, skuadra veroneze që ia doli të mbijetojë në Serinë A, falë edhe kontributit të sulmuesit Erjon Bogdani, është hedhur në sulm për një tjetër shqiptari, Brian Filipit. Në fakt, “Bogu” është në listën e largimit nga verdhblutë italianë (kërkohet nga Bari i porsangjitur në Serinë A), por Kievo këmbëngul në sigurimin e shërbimeve të fantazistit të Ravenës e të Kombëtares shqiptare U-21, Brian Filipi. Lezhjani ka shumë mundësi që sezonin e ardhshëm të realizoje ëndrrën e tij duke luajtur me ndonjë nga ekipet e Serisë A. Briani është në pronësi të dyfishtë, pasi kartonin e tij e zotëron në kuota të barabarta (50-50) Palermo e Serisë A dhe Ravena e Serisë C1. Filipi luajti si i huazuar te Ravena sezonin e kaluar, dhe tashmë sipas medieve italiane duhet të rikthehet te Palermo. Ravena e Palermo në vitet e fundit kanë ndërtuar një bashkëpunim në merkato, duke huazuar lojtarë njëra-tjetrës. Drejtori sportiv i Ravenës, Xhorxho Bufone e vlerësoi kontributin e Filipit. “Do ta lejojmë të kthehet me synimin që dhe ne të kemi disa alternativa. Do të isha i kënaqur që (Filipi) të shkonte te Palermo, por di që janë edhe disa skuadra të tjera të interesuara për të”. Trajneri i Ravenës, Xhanluka Aztori, duke folur disa ditë më parë për MelitoOnline.it, e përshkruan kështu Filipin. “Është një sulmues i dytë shumë i lëvizshëm, shumë i zoti për moshën që ka. Mund të luajë edhe si sulmues anësor. Është një djalosh që ka shumë për të mësuar dhe që është rritur shumë në këtë periudhë. Ka rënë në sy në të gjitha rastet që i është dhënë mundësia për të luajtur”.

Marseja kërkon zëvendësues për Canën

Lorik Cana shihet gjithmonë e më larg Olimpikut të Marsejës, teksa pista “Hamburg” është më e kuotuara. Madje klubi francez po punon me ritëm të larë për të gjetur zëvendësuesin e ndërkombëtarit shqiptar. Sipas omplanete.com, një faqe interneti e afërt me Marsejës, flitet se mesfushori shkatërrues kamerunas M’Bia shihet edhe si një nga prioritetet e nënkampionëve të Francës. Në një anketë që Omplanete.com kishte organizuar me tifozët për skuadrën ideale dhe lojtarin më të mirë, Lorik Cana gëzonte 72% të mbështetësve (rekordmen portieri Stiv Mandanda me 99.9%), teksa theksohej se loja e shqiptarit në mesfushë kishte pësuar pak rënie. Në fakt, trajneri i ri i Marsejës, Didier Deshamps, nuk është se e ka shumë qejf Lorik Canën, të paktën me ato që ka shkruar media franceze.

24 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›