E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjinushi: Topalli s’ua heq dot mandatin deputetëve

Kryetari i PSD-së, Skënder Gjinushi e cilëson presion të Topallit zëvendësimin e deputetëve të PS-së. Ai thotë se këta deputetë po bojkotojnë me një arsye shumë të madhe, ndaj edhe Topalli nuk ka pse e merr këtë vendim. Ai i ka sugjeruar asaj që të “veprojë njëlloj si me Fatos Nanon”, të cilin nuk e hoqi, por e pagoi edhe pse mungoi 4 vjet në Kuvend. Gjinushi propozon se vetëm bashkëqeverisja e vendit pa kryeministër Sali Berishën do të ishte një zgjidhje e mirë në këtë situatë.
Zoti Gjinushi ju jeni një nga mbështetësit kryesorë në këto protesta për PS-në. Keni lajmëruar edhe një protestë të madhe në 20 nëntor. Ndërkohë që kryeministri Berisha e ka thënë qartë se nuk ka hapje të kutive. Çfarë do të ndodhë pas kësaj?
Së pari, Berisha nuk flet kurrë qartë. Gjithmonë flet pa përgjegjësi dhe sigurisht që kërkon të mbrohet, por është një mbrojtje krejtësisht e dobët, sepse nuk mund të marrë vendim ai nëse hapen apo jo kutitë. I vetmi që nuk ka të drejtë të shprehet kur kërkohet të vërtetohet një vjedhje është hajduti. Hajduti është i detyruar që të nxjerrë xhepat, pra të pranojë që të verifikohet akuza që ngrihet ndaj tij. Por, për sa i takon PSD-së, ajo ka qenë e qartë që në fillim që këto zgjedhje nuk do të jenë me standarde. E kemi thënë këtë që në 2007, kur i bëhej presion PS-së për të hyrë në zgjedhje në kushtet e Salës, kur LSI-ja bëri lojën e shëmtuar për të shitur zgjedhjet lokale dhe për të detyruar opozitën të futej në kushtet e Saliut, sepse i duhej gjithmonë një fitore jo e fortë e së majtës dhe një dobësim i PS-së dhe forcim i LSI-së në kurriz në PS-së. LSI-ja nuk deshi zgjedhje të parakohshme, pra nuk deshi largimin e Berishës. Kështu që ne kemi paralajmëruar që edhe zgjedhjet e 2009 nuk do të jenë më të mira, dhe këtu ja vlen të kujtoj debatin e madh, argumenti që jepnin kundër kërkesës sonë të drejtë që ishte e gjithë popullit, që 2007 ishte një krizë tashmë. Në 2007 Saliu i kishte shfaqur të gjitha simptomat e sëmundjes së tij e karakteristikave të tij qeverisëse, dhunë ndaj medias, antireformë, korrupsion galopant, pra krijimi i klaneve ekonomike, dhe për pasojë e vetmja zgjidhja ishte largimi i tij dhe argumenti që jepej ishte që Shqipëria nuk duron dot zgjedhje se nuk është e përgatitur. Nuk është bërë reforma. Erdhi 2009 dhe nuk u bë asnjë lloj reforme edhe zgjedhore. Nuk mund të quhet reformë miratimi i Kodit me konsensus. Ai është miratuar që në vitin 2000. Përveç përvojës së ’96, kodet gjithmonë janë miratuar me konsensus. Vjedhja nuk vjen nga kodi. Vjedhjet vijnë nga shkelja e kodit. Pra, në 2009 ne bëmë zgjedhje jo sipas standardeve. Populli ka votuar dhe ka nxjerrë 70 mandate te majta dhe 70 të djathta, ku 70 ishin për “qëndrimin” e Sali Berishës dhe 70 ishin për largimin urgjent të tij. Ndërsa populli ka votuar qartazi mbi 100 mijë për largimin e Berishës, duke votuar të majtën. Kur mandatet dalin baras, sigurisht pastaj përcaktuese është vota e popullit. Ndaj, në këtë situatë imponohet një bashkëqeverisje, jo siç e interpretojnë disa. Se, është meraku që të gjitha partitë të jenë në qeveri.
Ç’do të thotë bashkëqeverisje, atëherë?
Bashkëqeverisje do të thotë një qeverisje që ka mbështetjen e të gjithë Kuvendit. Do të thotë një qeveri që garanton konsensus për reforma, që garanton reforma të paanshme. Për pasojë, kjo hap rrugën menjëherë për heqjen e vizave. I hap rrugë çdo lloj pengese për marrjen e statusit të vendit kandidat, dhe sigurisht që një qeveri e tillë garanton jo vetëm reforma të paanshme, por edhe zgjedhje të paanshme për zgjedhjet e radhës, çka do të thotë që për një periudhë 18-20 mujore Shqipëria hyn në zgjedhje dhe i tregon botës që e keqja nuk ka ardhur nga partitë në tërësi, por nga disa në veçanti, dhe veçanërisht Berisha. Kjo do të thotë që tranzicioni shqiptar merr fund dhe duhet të kuptojmë që sa herë që Shqipëria ka ofruar zgjidhje të tilla, këto kanë qenë momente të kalimit të situatave të vështira dhe janë përshëndetur nga ndërkombëtarët, se janë quajtur si momente të pjekjes së klasës politike shqiptare.
Ju thatë që pas 20 nëntorit do të ketë protesta të tjera, apo do të ketë një tjetër lloj reagimi të opozitës?
Protestat nuk mbarojnë, përderisa nuk respektohet vullneti i popullit. Populli i 28 qershorit, 800 mijë vetë kanë votuar për largimin e Sali Berishës. Berisha ka krijuar një shumicë jo me votën e popullit, por me pehlivanllëqet e LSI-së. Pra kemi një matrapazllëk të mandateve. Lëvizja e tipit “Xhuveli”, pasuar tashmë me lëvizjen e Metës, absolutisht kudo quhet mashtrim i pastër elektoral. Çdo votues i LSI-së ka të drejtë të ngrejë edhe çështje penale për mashtrim. 70-80 mijë vetë votuan për LSI-në, që ajo bashkë me ne të hiqnim Berishës, ndërsa LSI-ja bëhet me Berishën për të hequr të gjithë këta votues nga puna.
Duke u kthyer tek bashkëqeverisja, a ja keni sugjeruar këtë ide kryetarit të PS-së, Edi Rama, meqenëse është PS-ja që ka tashmë e vetme mandatet e deputetëve?
Kuptohet që kur cenohen zgjedhjet ka zgjidhje politike. Pra, vetë rezultati i qershorit imponon një zgjidhje politike dhe në tavolinë ishin dy variante, varianti normal që vendos populli. Dhe populli, meqenëse nuk i ka dhënë 71 asnjë krahu, atëherë sipas rregullit, kur ndeshja del barazim ka shtesë loje. Atëherë detyrohesh të bashkëqeverisësh, dhe për Shqipërinë kjo binte mirë, sepse të mos harrojmë që këtu nuk është problem kapja e 71 mandateve, por e 84. Dhe, këtë 84 e do për të bërë reforma, dhe jo për antireforma siç ka treguar kjo qeveri, që përpiqet të “qeverisë” vendin. Pra, vetë ky rezultat do impononte këtë zgjidhje. Aq më tepër kur problemi shtrohet thjeshtë. Opozitës i është shkelur një e drejtë themelore, e drejtë ligjore që ajo kishte kërkuar për të kontrolluar zgjedhjet. Pra, në këmbim të gjithë këtyre lëshimeve që ju bënë shumicës, deri edhe në hyrje në zgjedhje pa karta, opozita kërkoi të ketë kontrollin me monitorim dhe verifikim, pra të kryejë monitorimin e kutive sa herë që e kërkon pakica, atje ku pakica e sheh të arsyeshme. Dhe, kjo u kërkua për Berat, Tiranë, Shkodër, pjesërisht dhe nuk u dha arbitrarisht. Hapja e kutive, e ka thënë me të drejtë Sala, është ogurzezë, sepse Saliut t’i thuash hap kutitë është njëlloj si t’i thuash hape vetë me duart e tua... sepse ai e di që është fundi i tij politik. Hapja e kutive do e komprometonte më rëndë procesin.
Ju e toleroni hapjen e kutive në këmbim të bashkëqeverisjes...?
Jo, nuk e tolerojmë. Bashkëqeverisja do të thotë jo më Saliu kryeministër. Bashkëqeverisja është për të gjithë, dhe u jepet shqiptarëve që ta ndiejnë veten të përfaqësuar me një qeveri të përbashkët dhe janë të bindur që këtë qeveri nuk ka kush ta pengojë në kryerjen e reformave. Përfaqësohen të gjithë, nuk ndihet i tradhtuar askush. Nuk është lëshim, nëse thuhet kjo. Nëse pranohet kjo, do të thotë që ai ka pranuar që vota është e deformuar. Atëherë kuptohet, bëhet më e panevojshme, jo se është lëshim, sepse kutitë kërkohet të hapen për të nxjerrë mësime, që nuk mund të qeverisësh më në Shqipëri duke vjedhur. Kur hajduti dorëzohet, atëherë kuptohet që kontrolli është i tepër, por jo se bëhet lëshim. Kur shumica pranon këtë deformim, atëherë hapja e kutive mbetet vetëm një problem statistikor. Ai e di më mirë se ne se ku është manipuluar. Këtë e ka thënë OSBE/ODIHR-i. Këtë e ka thënë edhe LSI, dhe ne po çojmë në vend një amanet të Ilirit që e la pa kryer, i cili i tha që po më preke një votë Sali Berisha, ne do dalim me mijëra. Ai preku 70 mijë vota, ne po dalim me dhjetëra mijëra për të vazhduar këtë amanet të pakryer, sepse mëkatet e së kaluarës nuk e lejuan ta çonte deri në fund këtë kërcënim, sado që e ka kërcënuar edhe më rëndë se i tha, “mos u masturbo me Gani Bobin”. LSI-ja që është më anti hapjes së kutive, nga 4 mandate, dy i ka marrë me mesazhe, Iliri në Tiranë dhe Prifti në Fier.
Sa e realizueshme është kjo ide e bashkëqeverijes? Sepse, ne e dimë që në Shqipëri është e vështirë të gjendet një kompromis i tillë i së majtës me zotin Berisha?
Me zotin Berisha, fjala është do të vazhdojë pazarin apo kompromisin. Pazari është krizë, sepse s’ka vota për të qeverisur, s’ka vullnet për të qeverisur. Është një përvojë tashmë e provuar. Nëse në 2005 kishte disa që i jepnin kurajë vetes me shpresën se Sala mund të ketë ndryshuar, tani e kanë të qartë se të gjithë mund të kenë ndryshuar përveç Saliut.
Pse ndërkombëtarë i kërkojnë opozitës të kthehet në Parlament, në këtë situatë që pasqyron opozita?
Ndërkombëtarët kërkojnë qetësi. Kjo nuk është kërkesë që bëhet për herë të parë. Opozita duhet të kryejë misionin e vet. Kriza me Saliun ka nisur që në 2005, që kur rierdhi, ose që kur e risollën Meta dhe Nano. Në 2006 ne arritëm të vëmë në pah që ky po godet institucionet, ku në epiqendër ishte media, KQZ, pra ç’ka lidhje me zgjedhjet. Na bënë presion prapë, presion të mos bojkotojmë. Iliri s’e mbajti veten, madje u lëshua mbi barrikada. Ca kujtuan, që deshi të rrihte Jozefinën, në fakt ai deshi ta përqafonte. Por pavarësisht, ndërkombëtarët bënë presion për të bërë një marrëveshje as mish, as peshk. Përkundrazi, marrëveshje totalisht në kundërshtim me ligjin.
Kryetarja e Kuvendit ka thënë që nëse deputetët e PS-së nuk shkojnë në Kuvend, do t’i kërkojë KQZ-së që t’i zëvendësojë. Çfarë mund të ndodhë?
KQZ-ja shqyrton mandatet në zgjedhje, por nuk është ajo që merret me funksionimin e Kuvendit, e para. E dyta, kjo është fiks loja që bëhej në zgjedhjet lokale. Për t’ju kundërvënë bojkotit të opozitës hodhën tezën që në 20 shkurt do i nxjerrim nga zyra kryetarët e bashkive, duke filluar që nga Edi Rama, sepse mbaron mandati. Zgjedhjet lokale vajtën në 20 qershor. Të njëjtin lexim po i bëjnë edhe kësaj. Unë kam shkruar Kushtetutën dhe e di mirë që hiqet mandati kur nuk do të betohesh, dhe Kodi këtë e ka sqaruar. Mosbërja e betimit nuk do të thotë heqje mandati, sepse asnjë deputet socialist nuk refuzon mandatin, refuzon të hyjë në atë Kuvend pa u hapur kutitë e votimit. Fakti që thuhet, “kur mungon 6 muaj pa arsye...”, arsye më të madhe se sa arsyeja e deputetëve të PS-së nuk ka. Deputetët nuk po mungojnë se janë të papërgjegjshëm apo neglizhojnë, madje po përfaqësojnë absolutisht votën e atyre që kanë marrë. Opozita e luan rolin edhe në sallë, edhe jashtë salle. Sa i takon këtyre që thonë që i gjykojnë si Jozefina me shokë, ne ju themi, bëj siç bëre me Fatos Nanon që i dha rrogën 4 vjet se mungoi për qejf. Asnjë nuk e hoqi. Këta po mungojnë për hall. Jozefina nuk i zëvendëson dot. Aq sa dolën në rrugë dhe u hoq nga puna njeri pas 20 shkurtit, aq do ketë zëvendësime të deputetëve socialistë. Është e pafalshme që gjejnë oreks, kanë kurajë, në daç ndonjë brenda PS-së, në daç këta mercenarët e qeverisë që të merren me “zëvendësimin” apo bojkotin socialist, kur shteti ka ikur i tëri jashtë çdo lloj binari.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›