E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëvarja në qeli, gjobë 10 mijë USD Burgut 313

 

Fatos Mahmutaj

Burgu 313 duhet të dëmshpërblejë me 10 mijë dollarë familjen e studentit Mihallaq Karaj, të vetëvrarë në qeli. Institucioni u shpall nga gjykata përgjegjës për vetëvarjen e studentit të Stomatologjisë. Ky është vendimi i dy ditëve më parë i Gjykatës së Tiranës, e cila pranoi padinë që depozitoi një vit më parë i ati i studentit Petro Karaj nga Përmeti, i përfaqësuar në gjykim nga avokati i njohur kryeqytetas, Genci Terpo, i Grupit Shqiptar për të Drejtat e Njeriut. Familja Karaj nga Përmeti kërkoi 25 mijë USD dëmshpërblim nga burgu, pasi sipas tyre faji për humbjen e jetës në qeli të djalit të tyre është pikërisht institucioni i burgut, që nuk i garantoi jetën të paraburgosurit. Studenti i Stomatologjisë vrau veten rreth orës 02:00 të mesnatës pas 3 marsit 2006 në qelitë e paraburgimit 313 në kryeqytet. Karaj ishte dërguar në këtë paraburgim vetëm pak orë më parë dhe sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve shkak për kryerjen e aktit ekstrem ndaj vetvetes ishte mospërshtatja e tij me jetën e re pas hekurave të qelisë dhe ngarkesa e rëndë psikologjike. Ai akuzohej për vjedhjen në bashkëpunim të një kompjuteri në një lokal në Qytetin Studenti. Pas kësaj, gjykata, me kërkesë të prokurorisë, vendosi masën e sigurisë burg pa afat, ndërsa menjëherë pas masës ai u dërgua në paraburgim. Avokati Terpo gjatë gjykimit argumentoi se, në këtë rast ndodhemi përpara një çështjeje të një natyre krejt të veçantë, ku paditësi Petro Karaj, ka pësuar një dëm të pallogaritshëm si rezultat i humbjes së jetës së të birit, Mihallaq Karaj. Ndërsa paditësi Petro Karaj, pohoi se i biri student nuk kishte probleme ekonomike, pasi familja ia kishte siguruar të gjitha të ardhurat e nevojshme për të vazhduar shkollën dhe për të jetuar në standarde tejet të pranueshme. Gjykata argumentoi në vendim se i ndjeri Mihallaq Karaj ishte vendosur në një qeli së bashku me një person tjetër, ndërsa karakterizohej nga një situatë tejet e rënduar, pasi nuk kishte qenë asnjëherë në burg. “U vërtetua në gjykim se i ndjeri Mihallaq Karaj u përball me një ambient të papranueshëm dhe në kushte jonormale, çka ndikoi negativisht në gjendjen e tij. Gjatë natës katër punonjësit e Burgut 313 nuk i kanë kushtuar rëndësi gjendjes së Karajt dhe nuk kanë ushtruar kontrollin dhe mbikëqyrjen e duhur mbi të. Viktima ndodhej i traumatizuar dhe nuk iu ofrua asnjë analizë psikologjike për të përcaktuar gjendjen e tij. Ndërkohë ishte detyrim i personelit të burgut që ta kontrollonte atë për sende të ndaluara, gjë që nuk është bërë”, argumentoi gjykata fajësinë e institucionit. Pas kësaj gjykata argumentoi se i ati i të ndjerit kishte kërkuar 25 mijë USD dëmshpërblim, ndërsa nuk ishte bazuar në ndonjë akt të bërë nga ekspertët-kontabël, çka ka sjellë faktin se sasia e dëmit nuk ishte përcaktuar. E ndodhur në këtë situatë, gjyqtarja Elona Stavri ka argumentuar se dëmshpërblimi duhet të ishte në masën e 10 mijë dollarëve amerikanë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›