“Policia e Gjirokastrës të pastrohet nga trafikantët”
GJIROKASTER- Policia e Gjirokastrës duhet të pastrohet nga punonjës që kanë lidhje me trafiqet ilegale. Ka qenë kjo deklarata e bërë mesditën e djeshme nga zv.drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Agron Kuliqi. “Tolerancë zero ndaj kultivimit të bimëve narkotike dhe atyre që e suportojnë këtë veprimtari të paligjshme”, u shpreh ai gjatë ceremonisë së prezantimit në krye të Policisë së Gjirokastrës të drejtorit të ri, Emri Vata. Ky i fundit rikthehet në Gjirokastër pas një viti kur posti i fundit që ai ka mbajtur në Policinë Rajonale të jugut, ishte ai i zv.drejtorit. Lëvizja e tij është certifikuar dje me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj. Kuliqi ka gjetur rastin të kritikojë punën e deritanishme të Policisë së Qarkut të Gjirokastër rreth luftës ndaj krimit të organizuar, megjithëse vlerësoi kontributin e drejtorit të larguar, Arben Hyseni, në minimizimin e sipërfaqeve të mbjella me bimë narkotike në hapësirën jugore. Kuliqi i ka kërkuar drejtorit të sapoemëruar që së bashku me strukturat e policisë që ka në varësi, të rrisin forcën goditëse ndaj krimit të organizuar dhe krimit në përgjithësi dhe veçanërisht ndaj kultivimit të bimëve narkotike. Ai ka theksuar me forcë se qysh tani të merren masa parandaluese në të gjitha format që lejon ligji në drejtim të kultivimit të bimëve narkotike, veçanërisht në zonat e identifikuara më parë. Kreu i sapoemëruar, Emri Vata, premtoi një bashkëpunim të frytshëm me të gjitha institucionet, pushtetin vendor, agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit, mediat, shoqërinë civile dhe komunitetin. Po dje u bë prezantimi i drejtuesve të rinj të policisë në Elbasan e Vlorë, respektivisht të Saimir Muçës dhe të Ylli Metkos. p.n