Padia për librin e Fevziut, pyeten Ilir e Teuta Hoxha

Teuta e Ilir Hoxha
Ilir Hoxha, djali i ish-dikatorit Enver Hoxha, së bashku me të shoqen, Teuta, janë marrë në pyetje nga Prokuroria e Tiranës në lidhje me padinë penale që kanë bërë ndaj Arkivit të Shtetit për zhdukjen e dorëshkrimeve personale të ish-udhëheqësit komunist.
Padia është paraqitur në Prokurori më 27 shkurt 2012, pak kohë pas publikimit të librit “Enver Hoxha” me autor gazetarin Blendi Fevziu. Burimet nga Prokuroria e Tiranës kanë thënë se shtetasi Ilir Hoxha, në cilësinë e kallëzuesit, së bashku me të shoqen, Teutën, kanë dhënë deklarime në lidhje me akuzat që kanë bërë për zhdukjen e materialeve personale të Enver Hoxhës. Ata kanë theksuar se familja i kishte dorëzuar në Arkivin e Shtetit shënimet personale të Enver Hoxhës, ditarë në letër dhe po ashtu disa regjistrime filmike të ambienteve private e familjare. Sipas Prokurorisë, kur janë pyetur për kohën në të cilën janë dorëzuar materialet në Arkiv, familjarët e ish-diktatorit kanë thënë se kjo duhet të ketë ndodhur në vitet ’60-’70. “Thirrja e shtetasit Ilir Hoxha për të dhënë deklarime është bërë pasi është firmëtar i kallëzimit penal për zhdukjen e materialeve personale të Enver Hoxhës nga Arkivi. Ndërsa Teuta Hoxha është pyetur pasi nga kallëzimi ajo përmendet si personi që ka kryer verifikime në Arkiv dhe ka konstatuar humbjen e dorëshkrimeve të ditarëve personalë të Enver Hoxhës, dhe po ashtu, në kallëzim thuhet se ka parë se ishin dhënë në përdorim dokumente të ndryshme, përfshi edhe kartelat mjekësore”, thanë burimet nga hetimi. Sipas tyre, për këto fakte të pretenduara në kallëzim janë marrë në

Gazetari Blendi Fevziu
pyetje dy bashkëshortët, Ilir e Teuta Hoxha. “Ne kemi dokumentacionin përkatës që vërteton se dokumentet origjinale si dhe filmat, negativat e materiale të tjera, që pasqyronin jetën private të Enver Hoxhës, janë dorëzuar në Arkivin e Komitetit Qendror të PPSH-së”, mësohet të ketë thënë Ilir Hoxha në Prokurori. Por, nga verifikimet dhe pyetja e personave të tjerë në lidhje me këtë çështje, Prokuroria thotë se nuk provohet dorëzimi i materialeve private të Enver Hoxhës në Arkivin e Shtetit. Para pyetjes së tyre ditën e enjte, Prokuroria ka marrë edhe dëshminë e drejtoreshës së Arkivit të Shtetit, Nevila Nika. Sipas Prokurorisë, drejtoresha e Arkivit, bazuar në dokumente dhe në fakte, ka thënë se materiale të tilla nuk kanë qenë ndonjëherë në institucionin e drejtuar prej saj. Pasi ka shpjeguar se nuk rezulton që materialet personale të Enverit të jenë dorëzuar në Arkiv, Nika ka ripohuar se “në Arkivin e Shtetit edhe një copë letër është me vlerë”. “Nuk mund të humbasë asgjë, kështu që nuk ka se si të kenë humbur dokumente kaq të rëndësishme. Këtu ruhen letrat e miqve e të armiqve, sepse ne nuk jemi institucion i politizuar”, ka pohuar zyrtarja e Arkivit të Shtetit.
TRAZHGIM SOKOLAJ