E Diel, 1 Nëntor 2026

Lamtumirë Ardian Klosi! Korifeu i letrave përcillet për në banesën e fundit

Tiranë- Korifeut të letrave shqipe Ardian Klosi iu dha sot lamtumira e fundit ngaa familjarë, miq, kolegë të një jete dhe dashamirës.

Homazhet për publicistin e vetëvrarë, Ardian Klosi u zhvilluan gjatë gjithë paraditës së sotme dhe në orën 14:00 trupi i pajetë u përcoll në banesën e tij të fundit në varrezat e Sharrës.

Nderimet e fundit për Klosin u mbajten prej orës 12:00 në hollin e Bibliotekës Kombëtare në kryeqytet, ku gjeniu i letrave kaloi orët më plotësuese për të dhe nga ku prodhoi modele unike që do na shoqerojnë në shekuj.

Në homazhet për Klosin ministri i Kultures, Aldo Bumçi deklaroi se publicisti shqiptar ishte një emër i shquar i letrave shqipe dhe humbja e tij e parakohshme ishte tragjike.

Kreu i PS-së, Edi Rama pasi bëri homazhet për sivëllain e tij Ardian Klosi shkroi në Twitter: ‘Ardian Klosi, vdiq për të mos vdekur kurrë. Njerëz të letrave e njerëz të zakonshëm po i japin lamtumirën Danit në Bibliotekën Kombëtare ku miku i tij Aurel Plasari organizoi homazhet. Dani do të dalë nga biblioteka për të shkuar në shtëpine e fundme në varrezat e Sharrës, ashtu siç vendosi vetë’.

Miku dhe kolegu i një jete, Aurel Plasari shprehu hidhërimin e thellë për humbjen e Klosit duke nënvizuar se vendi ka humbur një kritik të madh të shoqërisë. Sipas tij modeli që publicisti Klosi ka lënë në shoqëri dhe kulturë është unik.

Aktori i njohur, Timo Flloko vlerësoi figurën e Klosit duke e quajtur intelektual shumë dimensional.

“Si njeri i madh që ishte, ai bëri një zgjidhje dhe të mëdhenjtë nuk gjykohen për zgjidhjet që bëjnë”, – u shpreh Flloko.

Pas kryerjes së homazheve politikani Paskal Milo tha se Klosi do të kujtohet përherë si një ndër korifejtë e intelektualizmit shqiptar.

“Nganjëherë nga kjo botë kështu si pa e kuptuar lindin mjaft njerëz që nuk i manifestojnë vlerat e tyre të vërteta sepse janë shumë thjeshtë, janë njerëz që mbi të gjitha tregojnë me anonimalitetin e tyre, gjithë botën e tyre të brendshme intelektuale që kanë. Dhe Ardiani kishte një botë shpirtërore të pasur dhe nuk lodhej të manifestonte ato vlera.Të vjen keq për çdo humbje njerëzore, por kur humbin vlera të tilla të rralla, është e vështirë ta pranosh. Dani do kujtohet si një nga korifejtë e intelektualizmit shqiptar, kështu do kujtohet përherë- tha Milo.

Ardian Klosi i dha fund jetës së tij mbrëmjen e së enjtes, pasi më parë i kishte dërguar një mesazh në celularin e së shoqes më këtë tekst: “Kaluam shumë bukur. Ishte fjala për atë pak kohë që kaluam aty. Unë nuk mund të vazhdoj më. Kur të kthehesh eja pa vajzën”.

Kohët e fundit, publicisti po vuante nga një gjendje depresive, duke tentuar edhe dy herë më parë të vetëvritej duke pirë një sasi të madhe ilaçesh, por që i shpëtoi vdekjes falë ndërhyrjes së shpejtë të ndihmës mjekësore. Veprim të cilin e përfundoi tragjikisht të enjten në darkë kur ndodhej i vetëm në banesën e tij në Tiranë.

/IDEA/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›