E Shtunë, 31 Tetor 2026

Milo: PS të na trajtojë si vlera, jo si të vegjël

Kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo ka shpjeguar dje, për "Gazeta Shqiptare", propozimet që tri parti të vogla të opozitës i kanë adresuar komisionit të reformës zgjedhore. Milo shpjegoi edhe përpjekjet që po bëhen për të krijuar një grupim të partive opozitare, i cili do të mund të dalë vetëm në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, në rast se dy partitë e mëdha nuk do të përfillin kërkesat e tyre për reformën zgjedhore. Kreu i PDS-së tha se tashmë marrëdhëniet me kreun e PS-së, Edi Rama janë futur në rrugën e mirëkuptimit, por ai ka një kërkesë, e cila nuk ndryshon: PS të na trajtojë ne, jo si të vegjël që kërkojmë lëmoshë, por si vlera të pazëvendësueshme të alternativës së majtë në Shqipëri, - shprehet Milo.
Zoti Milo, ju tre parti të opozitës keni përgatitur disa propozime për reformën zgjedhore. A i keni depozituar ato në komision?
Po. I kemi dërguar në emër të tre partive politike tashmë të njohura për synimin e tyre për të pasur një bashkëpunim më të ngushtë, me synimin veçanërisht për tu paraqitur bashkë në zgjedhjet për parlamentin e ardhshëm shqiptar.
Ju keni propozuar korrigjim kombëtar të sistemit proporcional rajonal nëpërmjet formulës 100 plus 40. Kjo formulë që ju keni propozuar si mund të aplikohet?
Ajo është një formulë alternative. E para që mbetet brenda koalicionit opozitar për të maskimalizuar votën e subjekteve tona politike, në rastin kur ne do të kemi një korrektim të sistemit zgjedhor dhe e dyta, kur në një moment kur dy partitë e mëdha që kanë edhe monopolin e reformës zgjedhore nuk do të bien dakord, ne do të bashkohemi për të dalë si një subjekt elektoral në ballafaqimin e ardhshëm.
Bëhet fjalë për një bashkim të tre partive të opozitës?
Tri partitë, por që nesër mund të bëhen 4,5, 6, madje edhe më shumë.
Keni pasur kontakte për ta zgjeruar grupimin. Mund të na thoni ndonjë tjetër që do të bashkohet me ju?
Patjetër që kemi 2-3 parti të tjera që janë gati të bashkohen me ne, por që në proces e sipër ne do të hedhim hapat e duhura gjithmonë duke qenë të kujdesshëm që të veprojmë brenda kampit opozitar.
Po me parti jo të majta, p.sh. me zotin Ndoka mund të ketë një bashkëpunim?
Çdo opsion është i hapur dhe ne do t'i konsiderojmë në të ardhmen në varësi të zhvillimit të situatave dhe më shumë, të paktën unë e nënvizoj, çdo taktikë elektorale do të bëhet e dukshme vetëm pas përfundimit të reformës zgjedhore. Çdo gjë që kryhet tani është më tepër një pasqyrim i shqetësimit në rritje që ne kemi për të mos u përsëritur ajo që mund të quhet drama e zgjedhjeve për opozitën në vitin 2009, por asgjë ende nuk është e përfunduar, por do të jetë dinamikën e zhvillimeve.
Zoti Milo, kam parasysh një deklaratë të zotit Rama, dy ditë më parë që tha se, PS është dakord për ndryshimin e sistemit zgjedhor, por nuk ka votat në parlament. E justifikon rolin e PS-së në reformën zgjedhore mospasja e votave në Kuvend?
Zoti Rama, për të qenë i sinqertë, në tavolinat tona dhe në deklaratën publike ka shprehur vullnetin e Partisë Socialiste për të mbështetur jo thjeshtë kërkesat e partive të treta, të cilat nuk janë kërkesa individuale apo kërkesa që shkojnë në kundërshtim me frymën e ligjit dhe të stabilitetit politik në Shqipëri. Zoti Rama e ka kuptuar që partitë e treta tashmë janë një faktor i rëndësishëm që përcaktojnë qeverisjen e ardhshme në Shqipëri. Kështu që ai me të drejtë i ka dhënë mbështetje frymës dhe transparencës në procesin zgjedhor duke e lënë topin në fushën e Partisë Demokratike. Tani do të varet shumë nga mënyra se si zoti Berisha, që është tashmë i njohur në fushën e manovrimeve elektorale do të reagojë. Kam parasysh këtu që në shtator të këtij viti deklaroi mbështetje për korrektimin e sistemit, por pastaj bëri hapa mbrapa, duke llogaritur këtu efektet potenciale të ndryshimit të formacionit politik nga krahu i djathtë nga ana e Presidentit Topi. Unë mendoj në logjikën e politikës shqiptare, më në fund pas 20 vjetësh nuk duhen kalkuluar interesat e çastit, por çdo veprim që bëhet në politikëbërjen e ligjeve duhet të ketë parasysh stabilitetin politik të Shqipërisë dhe të ardhmen evropiane të saj. Nëse do të udhëhiqemi edhe në këtë reformë zgjedhore nga mentalitetet e vjetra që dy partitë e mëdha do të shohin ngushtë dhe vetëm interesat e tyre të përkohshme për tu bërë pengesë për konkurrencën demokratike në betejat zgjedhore, atëherë do të mbjellim farën e keqe të lindjes së konflikteve të reja edhe në të ardhmen. Koha na ka dhënë shumë të drejtë ne, që kundërshtuam ndryshimet kushtetuese në vitin 2008, por nuk dua të besoj që dy partitë e mëdha, veçanërisht PD-ja do të marrë mbi supe përgjegjësinë e rëndë të ndërtimit të një sistemi tjetër zgjedhor ose të një kodi tjetër elektoral që do të jetë burim i konflikteve të ardhshme zgjedhore. Do të jetë një përgjegjësi e rëndë dhe që do të krijonte një precedent shumë të rrezikshëm për zhvillimet e ardhshme politike në Shqipëri.
Si i keni tani marrëdhëniet brenda koalicionit, ju me zotin Rama, pasi kemi parasysh se nuk ishin aq të mira pak kohë më parë?
Marrëdhëniet me PS-në nuk janë marrëdhënie individuale me zotin Rama. Janë dhe duhet të jenë marrëdhënie partneriteti, marrëdhënie bashkëpunimi të sinqertë për hir të objektivave të përbashkëta si alternativë e qendrës së majtë. Unë mendoj që Partia Socialiste nuk ka zgjedhje të tjera në kuptimin e aleancave, veçse të mbajnë fort dhe afër aleatët e saj tradicionalë, të cilët kanë dëshmuar historikisht se jo vetëm që i kanë qëndruar besnikë alternativës së majtë, por kanë qenë edhe në momentet kur kanë mbajtur qëndrime aleatët më të mirë të saj sepse i kanë vështruar zhvillimet brenda PS-së me gjakftohtësi dhe kanë reaguar në mënyrë shumë objektive. Ndërkohë që, kanë qenë jashtë emocioneve sepse mund të ketë dhe ka lojëra brenda partive politike. Në këtë kuadër Demokracia Sociale ka qenë dhe mbetet besnike e alternativës së majtë dhe jo e individëve të veçantë politikë brenda të majtës. Ajo këtë vendim e ka marrë që nga momenti që është krijuar dhe kushdo që i qëndron besnik programit të majtë dhe alternativës së saj është në mënyrë të natyrshme partner i saj dhe ne do të vazhdojmë të orientohemi drejt aleancave të tilla që në radhë të parë respektojnë vlerat demokratike evropiane që duhet të ketë politika shqiptare. Ne nuk kemi asgjë, në kuptimin personal kundër PS-së, përkundrazi kemi analizuar në mënyrë të natyrshme dhe jemi partnerë luajalë të saj, por kërkojmë gjithnjë që edhe PS të na trajtojë ne, jo si të vegjël që kërkojmë lëmoshë, por si vlera të pazëvendësueshme të alternativës së majtë në Shqipëri. Këtu bëhet gabimi shpeshherë dhe këtu jemi përpjekur që të ndërgjegjësojmë aleatët tanë. Unë shpresoj se jemi në një rrugë të mbarë, ku mirëkuptimi ka ardhur duke u rritur. Nuk shpresojmë të jetë i përkohshëm, as edhe demagogjik, por besoj se është një mirëkuptim që do të vijë duke u forcuar në funksion të interesave strategjike që kemi si përfaqësues të alternativës së majtë.
(Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›