Arvizu: Përpjekje mbarëkombëtare për të luftuar korrupsionin. Berisha: Betejë e vështirë, por do t’ia dalim

Kryeministri Sali Berisha u shpreh sot se lufta kundër korrupsionit është një betejë e vështirë, por jo e pamundur. Sipas kryeministrit, para ligjit janë të gjithë të barabartë, por kur korrupsioni politizohet, neutralizimi i tij bëhet gjithnjë e më i vështirë. Deklaratat e kryeministrit u bënë në konferencën me titull “Kundër korrupsionit – sektori i mbrojtjes dhe i sigurisë”, të organizuar nga Qendra Evropiane George C. Marshall për Studime në fushën e Mbrojtjes. “Lufta ndaj korrupsionit bëhet shumë e vështirë nëse ajo politizohet. Përpjekjet për luftën ndaj korrupsionit janë të vazhdueshme. Përpara ligjit të gjithë janë të barabartë, por kjo luftë ka një të keqe, politizimin. Lufta ndaj korrupsionit është më e vështira, kjo është një temë qendrore dhe permanente, sepse nuk ka reformë që mund të ketë sukses pa luftën kundër korrupsionit. Jam dakord me ambasadorin, është duel permanent, i përjetshëm midis zbatimit të ligjit dhe këtij fenomeni, dhe duhet luftuar. Qeveria ime po bën përpjekje shumë të mëdha për të luftuar. Duhet të marrim parasysh se antidoti më i rëndësishëm dhe më i mirë në këtë proces është transparenca dhe duhet vullnet që të bëhet transparencë”- u shpreh kryeministri.
Konferenca u përshëndet edhe nga Drejtori i Qendrës Evropiane George C. Marshall zoti Keith Dayton dhe nga ambasadori i SHBA zoti Aleksandër Arvizu. Në këtë aktivitet merrnin pjesë 36 pjesëmarrës kryesisht nga vendet e rajonit ballkanik, por edhe të ftuar nga vendet e tjera të Evropës dhe Shteteve te Bashkuara.
Ambasadori i SHBA-së, Aleksandër Arvizu
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Aleksandër Arvizu, deklaroi sot në konferencën “Korrupsioni Rajonal” që u mbajt në Tiranë se, për luftën kundër korrupsionit duhen përpjekje mbarëkombëtare. Arvizu kujtoi se edhe SHBA ka patur dhe ka probleme në vazhdimësi të korrupsionit, por zbatimi i ligjit është unik dhe qytetarët i respektojnë këto ligje. “Për të luftuar korrupsionin duhen përpjekje mbarëkombëtare. Një nga gjërat që mund të them për Shtetet e Bashkuara të Amerikës është se edhe ne kemi patur dhe kemi probleme me korrupsionin. Nuk jemi imun ndaj korrupsionit, ai ndikon në shoqërinë tonë ashtu sikurse ndikon në shoqërinë e çdo vendi. Por e rëndësishme në SHBA është se, ne kemi ligje dhe qytetarët i respektojnë këto ligje. Dhe qytetarët e dinë se në qoftëse merren me korrupsion, ata rrezikojnë të kapen. Por në Shtetet e Bashkuara në qoftëse dikush kapet, do arrestohet, do t’i vihen prangat, do të gjobitet dhe burgoset. Në SHBA e dinë se mund të jesh një ushtar i thjeshtë në ushtri apo një gjeneral, mund të jesh zyrtar i lartë, madje dhe presidenti i vendit, por kurrkush nuk është mbi ligjin, të gjithë janë subjekt i ligjeve”- u shpreh Arvizu.