Milo: Petrolifera e pafajshme, nuk rezultoi monopol
Pas një hetimi të thelluar nga Institucioni i Konkurrencës në vend, kompania italo-shqipatare ka rezultuar e pafajshme në lidhje me akuzën e sjelljes monopolistike në tregun shqiptar për ngarkim-shkarkim dhe depozitim të gazit të lëngshëm.
Petrolifera shpallet e pafajshme nga Autoriteti i Konkurrencës. Në këtë mënyrë, kompania italo-shqiptare në fjalë ka rezultuar se nuk është monopol në tregun e ngarkim-shkarkimit dhe të depozitimit të gazit të lëngshëm. Pas një procesi të gjatë, rreth një vit të hetimit të thelluar, Autoriteti i Konkurrencës ka shpallur të pafajshme Petroliferën, për abuzim me pozitën dominuese në treg. Autoriteti në fjalë i ka dhënë të drejtë kompanisë Petrolifera, në lidhje me konfliktin me disa ndërmarrje importuese të gazit të lëngshëm. Duke iu referuar hetimit të thelluar të Autoritetit të Konkurrencës, shoqëria Petrolifera i ka dhënë me qira të dyja depozitat e gazit që zotëronte shoqëria importuese Kalaja, me një kontratë 1-vjeçare. Ndërkohë, në mungesë të kapaciteteve të lira, Petrolifera nuk mund t’ju ofrojë shërbim ndërmarrjeve të tjera, të cilat, për të përfituar shërbim mund vetëm të lidhin marrëveshje me shoqërinë Kalaja. Në të njëjtën kohë, pas hetimit të thelluar, edhe pse nuk i ka shpallur fajtore shoqëritë nën hetim, Autoriteti i Konkurrencës ka konkluduar se ndryshimet strukturore në tregun e ngarkim-shkarkimit dhe të depozitimit të gazit të lëngshëm në rrugë detare kanë ngushtuar hapësirat fizike të depozitimit dhe për rrjedhojë kanë sjellë rritjen e shkallës së përqendrimit në tregun e importit të gazit. Gjithashtu, Autoriteti i Konkurrencës, pas hetimit në fjalë ka bërë përgjegjëse të gjitha palët se nuk kanë bashkëpunuar për të realizuar një zhvillim të qëndrueshëm dhe me kosto të arsyeshme ekonomike, si në ofrimin e shërbimit nëpërmjet terminaleve bregdetare, ashtu edhe në realizimin e kërkesës. Në të njëjtën kohë, pjesë e të njëjtit hetim, është konkluduar nga Autoriteti i Konkurrencës se edhe dy shoqëritë e tjera depozituese të gazit, Romano Port sh.a dhe Intergaz, sh.a janë të pafajshme, në lidhje me pozitën dominuese në treg.
Ndërsa një vit më parë, me një vendim të datës 18.03.2010, Autoriteti i Konkurrencës detyroi kompaninë italiane, “La Petrolifera Italo-Albanese”, të hapë menjëherë depozitat e saj për të gjitha kompanitë e interesuara. “Komisioni i Konkurrencës, pas shqyrtimit të kërkesës së ndërmarrjes ‘La Petrolifera Italo-Albanese’ sh.a., për revokimin e vendimit nr.140, datë 10.03.2010, të Komisionit të Konkurrencës, arriti në përfundimin se kërkesa e ndërmarrjes ‘La Petrolifera Italo-Albanese’ sh.a., është e pabazuar në ligj dhe në prova”. Kufizimi i tregut të gazit të lëngshëm. për shkak të bllokimit të ngarkim-shkarkimit dhe ndalimit të depozitimit, nga koncesionari “La Petrolifera Italo-Albanese”, i detyroi në atë kohë autoritetet të marrin masat. Në atë kohë, në bazë të marrëveshjes koncesionare u ndërtuan dy sfera për depozitimin e gazit me kapacitet 2450 m³ secila, por që përdoren deri në 2000 m³ për arsye sigurie. Të dy depozitat sferike iu dhanë për shfrytëzim kompanisë “Kalaja” sh.a., e cila pas hetimit paraprak që kreu Autoriteti i Konkurrencës, rezultoi se ishte e vetmja ndërmarrje nga pesë të tilla, që kishte të drejtën të shkarkonte dhe të depozitonte produktet e saj në depozitat në pronësi të ‘La Petrolifera Italo-Albanese’ sh.a.” Pas hetimit paraprak të institucionit të konkurrencës, rezultoi se marrëveshja mund të sillte kufizime në konkurrencë në tregun e importit të Gazit të Lëngshëm, sepse nuk i jepte mundësinë ndërmarrjeve të tjera që operojnë në këtë treg për shkarkimin dhe depozitimin e këtij produkti. Në këtë mënyrë, Autoriteti i Konkurrencës i kërkoi Petroliferës, që jo më vonë se pesë ditë nga njoftimi i vendimit të mundësojë ankorimin, shkarkimin, trajtimin dhe depozitimin e GLN-së, për çdo operator të licencuar kombëtar ose ndërkombëtar, të interesuar të operojë në këtë terminal. Moszbatimi i këtij vendimi përbënte shkelje të rëndë të konkurrencës dhe ndëshkohej me gjobë 2-10 për qind të xhiros vjetore. Ndërsa, afërsisht pas një viti hetim të thelluar, Autoriteti i Konkurrencës konkludoi se Petrolifera është e pafajshme dhe nuk ka sjellje monopolistike në treg.