Protesta paqësore sot, bizneset paralajmërojnë të mbyllin aktivitetin
Bizneset në kryeqytet kanë paralajmëruar se do të mbyllin aktivitetin e tyre sot që në mesditë. Frika për një demonstratë të ngjashme me atë të 21 janarit, një javë më parë, i ka detyruar bizneset e kryeqytetit të paralajmërojnë qytetarët se nuk do të ofrojnë për konsumatorët shërbimin e zakonshëm, pasi i frikësohen trazirave të mundshme gjatë protestës paqësore të paralajmëruar nga opozita. Një javë më parë, bizneset në kryeqytet, të papërgatitur për atë që ndodhi, zhvilluan aktivitetin e tyre normalisht si çdo ditë tjetër të javës, duke ofruar shërbim të zakonshëm për qytetarët e Tiranës. Ndërsa sot, ata paralajmërojnë se frika për një situatë të ngjashme i ka vënë përpara përgjegjësisë, për të pezulluar aktivitetin e tyre që në orën 12. Sipas tyre, kjo do të ndikojë në bizneset e tyre, pasi xhiroja e ditës do të ndërpritet. Pritet që vetëm baret e Tiranës të qëndrojnë të hapura.