E Shtunë, 31 Tetor 2026

Politikanët, rregulla të reja për survejimin e pasurive

SHKRUAN: Blerina Hoxha 28-01-2011 12:21

Drejtoria për Parandalimin e Pastrimit të Parave, ka bërë gati një projektligj që zgjeron rregullat e hetimit për llogarinë bankare të politikanëve dhe të afërmeve të tyre dhe pasuritë e tyre jashtë bankave

Survejimi në banka për llogaritë e politikanëve dhe të afërmve të tyre do të forcohet. Lajmi bëhet i ditur në një projektligj që ka përgatitur Drejtoria për Parandalimin e Pastrimit të Parave, i cili është depozituar për miratim në Kuvend dhe përfshin edhe survejimin për pasuritë e tyre jashtë bankave. Projekti përfshin një hetim më të thellë edhe për llogaritë e politikanëve të huaj dhe të afërmeve të tyre, në bankat që kryejnë veprimtarinë e tyre në vendin tonë. Ky ndryshim në legjislacion, sipas relacionit që shoqëron projektligjin, erdhi si pasojë e rekomandimeve që la Komiteti MONEYVAL i Këshillit të Europës, gjatë një vizite që bëri në Shqipëri, në nëntorin e vitit 2010. Kështu për të adresuar kriteret esenciale të rekomandimit, është propozuar ndryshimi i nenit 8 të ligjit në fuqi. Kështu ndryshimi në ligj detyron subjektet raportuese, që janë kryesisht bankat, që të hartojnë dhe të zbatojnë sisteme efektive të menaxhimit të rriskut, nëse një klient ekzistues apo potencial, ose pronari përfitues, është një person i ekspozuar politikisht. Gjithashtu sipas ndryshimeve ligjore, subjektet raportuese në rastet kur klientët kanë marrëdhënie biznesi me personat e ekspozuar politikisht, ato duhet të mbikëqyrin me vigjilencë këtë marrëdhënie. Subjektet raportuese për pastrim parash, duhet të marrin miratimin e drejtuesve të lartë, për vendosjen e marrëdhënieve të biznesit me personat e ekspozuar politikisht. Gjithashtu, në rastet kur marrëdhënia e biznesit me klientin është vendosur dhe subjekti konstaton që klienti apo pronari përfitues është, ose bëhet më pas, përkon i ekspozuar politikisht ai duhet të marrë miratimin e drejtuesve të lartë për vazhdimin e marrëdhënies së biznesit. Sipas ndryshimeve ligjore, subjektet raportuese duhet të marrin masa të arsyeshme, për të kuptuar burimin e pasurisë dhe të fondeve të klientëve, të ekspozuar politikisht. Gjithashtu, një nga rekomandimet për ndryshime në ligj, subjektet raportuese duhet t’i kushtojnë vëmendje të veçantë ndaj të gjitha transaksioneve komplekse, jashtëzakonisht të larta dhe të pazakonta, të cilat nuk kanë qëllim të dukshëm ekonomik dhe ligjor. Subjektet duhet të analizojnë arsyet dhe qëllimin e kryerjes së transaksioneve të tilla dhe të mbajnë të dhëna për konkluzionet, të cilat duhet të mbahen për një periudhë prej 5 vjetësh dhe t’u vihen në dispozicion autoriteteve përgjegjëse dhe auditorëve. Ndryshimet e reja në legjislacion, që bankat duhet të marrin masat e duhura, në mënyrë që bankat e huaja dhe bankat korrespondente nuk lejojnë që llogaritë e tyre të përdoren nga bankat guackë. Ndryshimet përfshijnë edhe raportime të APPP-ja të transaksioneve të dyshimta para se këto kryhen. Për këtë duhet marrë një udhëzim në APPP, i cili kthen përgjigje për 48 orë. Gjithashtu, në përputhje me propozimet e Bankës së Shqipërisë, është parashikuar që diapazoni i gjobave të jetë i përcaktuar në vlera minimale dhe maksimale, pasi një gjë e tillë e bën më të lehtë përllogaritjen e gjobës në rast mosraportimi. Kështu, sipas projektligjit të ri, personat fizikë, në rast refuzojnë raportimin, gjobiten nga 300 mijë -1.5 milionë lekë. Gjithashtu personat juridikë gjobiten nga 1 milionë, deri në 5 milionë lekë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›