E Diel, 1 Nëntor 2026

Milto Kutali provokon: “S’ka burrë që tradhton gruan time”

SHKRUAN: Aida Tuci 17-12-2011 11:55

Regjisori do të shfaqë në prag të Krishtlindjeve në Teatrin Metropol premierën e komedisë, subjekti i së cilës ngrihet mbi tradhtinë bashkëshortore

Një grua dhe i dashuri i saj dentist kanë thurur intrigën për të mbytur në vaskë bashkëshortin. Plani funksionon deri në njëfarë pike, madje dhe vetë bashkëshorti jep ndihmën e tij sepse sigurisht, ai nuk beson se plani për eliminimin e tij do të funksionojë, por ngjarjet rrjedhin dhe burri e sheh veten në rolin e dashnorit dhe anasjelltas. Kjo ndodhi fillon natën e Krishtlindjeve. “S’ka burrë që tradhton gruan time” është komedia e shkruar nga dy autorë amerikanë, Samuel Bobrick dhe Ron Clark, që do të ngjitet në sallën ‘Shekspir’ të Teatrit Metropol, pikërisht në prag të Krishtlindjeve. Mëkatarët; një grua, bashkëshorti i saj dhe dashnori sillen dhe dialogojnë si në një rreth të mbyllur, ku ndëshkimi herë kalon te njëri e herë tek tjetri personazh. Në fakt, tjetër mesazh nga ai i mëkatit bashkëshortor synon të përcjellë me këtë komedi regjisori Milto Kutali. Një mesazh që në fakt tejkalon subjektin e komedisë ashtu si dhe titullin që ka përzgjedhur vetë regjisori Kutali. “Njerëzit sot duhet t’u largohen më së shumti skenave të dhunës dhe ky është një nga mesazhet konstante të veprës, me të cilën duam t’i themi shoqërisë shqiptare: mjaft me vrasje”, - thotë regjisori Milto Kutali. “S’ka burrë që tradhton gruan time” vjen në skenën e Metropolit, nën interpretimin e aktorit Guri Koçi, Armela Demaj dhe Florian Agalliu, skenografi të Kastriot Roshit dhe muzikë nga Albana Petrela, në datat 22, 23 dhe 24 dhjetor.

“S’ka burrë që tradhton gruan time” duket sikur provokon me premierën në prag të Krishtlindjeve. Ka qenë e qëllimshme kjo?

Po, sepse dhe vetë ngjarjet e kësaj komedie fillojnë ditën e Krishtlindjeve dhe mbarojnë natën e ndërrimit të vitit pasues. I gjithë subjekti, si të themi është i shtrirë në harkun kohor të një viti. Paradoksi ky është, sepse edhe momenti që zgjedhin ata faktikisht fillon natën e Krishtlindjeve, që është lindja e Krishtit. Pikërisht në këtë natë, dy dashnorët mendojnë që të vrasin bashkëshortin e gruas, por ndoshta dhe vetë nata e Krishtlindjeve i pengon që ta bëjnë këtë vrasje. Por në këtë vepër ka dhe një moment të dytë. Tani është gruaja që pasi është shkëputur nga i shoqi, tenton të vrase veten sepse dashnori e ka braktisur, por e ndihmuar nga bashkëshorti ndërrojnë mendje dhe vendosi të vrasin dashnorin. Kjo ndodh më datë 4 korrik, Ditën e Pavarësisë së Amerikës. Dialog pas dialogu e batutë pas batute vijmë tek nata e ndërrimit të viteve, ku tashmë janë dy burrat që planifikojnë të vrasin gruan, për të cilën të dy mendojnë se i ka tradhtuar. Pra personazhet sillen si në një rreth të mbyllur. Pikërisht pas gjithë këtyre ndodhive njerëzit, në këtë rast shoqëria shqiptare të mësohet e të kultivohet që më së shumti bëhet fjalë për teatër sesa për vepra konkrete. Pra njerëzit sot duhet t’u largohen këtyre skenave të dhunës. Dhe ky është mesazhi konstant që duam t’i themi shoqërisë shqiptarë, mjaft më me vrasje! Në fund vetë vepra ka një moment shumë interesant, ku të tre protagonistët ulen me njëri-tjetrin dhe reflektojnë duke pyetur vetën se: Çfarë po ndodh me njeriun? Pse po bëhemi kaq të egër sa të mendojmë dhe vrasjen?. Në fakt, asnjëri prej tyre nuk ka qenë dhe nuk bëhet një vrasës, por më së shumti kjo komedi është një thirrje për njeriun. Sigurisht që për të treguar se e gjitha ishte një lojë, në momentin që bie dera ata kthehen tek ato instinktet gati-gati shtazarake që zhvillohen brenda natyrës njerëzore dhe përqeshin veten e tyre për si kanë bërë e si kanë vepruar.

Përse jo me titullin origjinal siç e kanë shkruar dy autorët amerikanë, por zgjodhët titullin “S’ka burrë që tradhton gruan time”?

Faktikisht, nga titulli duket si ato veprat moderne; burri, gruaja dhe dashnori. Samuel Bobrick dhe Ron Clark janë dy autorë amerikanë të njohur në botën e skenarëve dhe së bashku kanë krijuar një komedi brilante, titulluar “Vdekje në hotelin Hauard Xhonson”. S’ka burrë që tradhton gruan time” e kam përzgjedhur unë, që është në fakt një shprehje e huazuar në një nga replikat e komedisë.

Pra, kjo në thelb nuk është një komedi që subjekt ka tradhtinë bashkëshortore?

Shoqëritë e sotme i kanë tejkaluar vetëgjyqësitë, vendimet e pakontrolluara të gjaknxehtësisë që të çojnë në mendime gati kanunore. Shoqëritë moderne sot operojnë më së shumti me virtualen. Nëse flasim për një dashnor, një grua të martuar, që thurin fillimisht një intrigë për të vrarë burrin e saj vetëm e vetëm për të fituar lumturinë, jam i bindur se kjo është një krizë e dy personazheve në vetvete. Ata më së shumti luajnë me mendjen e tyre, pa qenë të zotë të bëhen vrasës.

Për të përcjellë këtë mesazh përmes një komedie që në fakt ngrihet mbi tradhtinë bashkëshortore, keni zgjedhur një aktor karriere, siç është Guri Koçi dhe dy aktorë të rinj, Armela Demaj dhe Florian Agalliu. Përse kjo zgjedhje?

Është zgjedhur Guri Koçi, sepse bashkëshorti nevojitej një burrë në moshë të pjekur, në krah të dy aktorëve të rinj, Armela Demaj dhe Florian Agalliu. Edhe skenografi Kastriot Rroshi është gjithashtu një djalë i ri, i sapodalë nga dyert e shkollës dhe kjo është një prirje e imja si regjisor për t’iu dhënë sa më shumë mundësi këtyre djemve dhe vajzave të talentuara që duan të promovohen. Kjo të shërbejë si një mundësi që ne duhet t’u japim këtyre të rinjve për të shfaqur vlerat e tyre. Për sa i përket pyetjes se përse zgjodha këtë treshe, ka qenë në fakt një zgjedhje e përbashkët, ndoshta dhe e kontaminuar mbi disa baza të miqësive mes tyre. Kështu p.sh., Florian Agalliu me Guri Koçin ishin miq dhe personazhet duhej të ishin dy njerëz që të ishin të afërt me njëri-tjetrin.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›