Islami: Grupi parlamentar nuk duhet trajtuar si sallë gjyqi për mua
I rezervuar në qëndrimin e tij, Islami ka deklaruar mbrëmë se ai do të marrë pjesë në mbledhjen e radhës të grupit vetëm nëse do të jetë rutinë. Për qëndrimet e tij, ai do të konsultohet edhe me kolegët e vet deputetë në PS
TIRANË Kastriot Islami nuk ka shumë për të thënë pas vendimit të dy ditëve më parë të kryesisë së Partisë Socialiste. Sipas këtij vendimi, grupi parlamentar i Partisë Socialiste pritet të vendosë të martën që vjen për çregjistrimin ose jo të Islamit pas propozimit të beftë nga vetë kryetari i PS-së, Edi Rama. Vetë deputeti i PS-së, Islami ende nuk e ka vendosur se çfarë qëndrimi do të mbajë, dhe nëse do të jetë ose jo në mbledhjen e radhës të grupit parlamentar. I rezervuar në qëndrimin e tij, Islami ka deklaruar mbrëmë se ai do të marrë pjesë në mbledhjen e radhës vetëm nëse do të jetë rutinë. Në të kundërt, ashtu siç në fakt është vendosur nga Kryesia, nëse propozimi për përjashtimin e tij nga grupi do të shqyrtohet, atëherë ai do të konsultohet paraprakisht me deputetë brenda grupit parlamentar të PS-së. Islami është shprehur se konsultimi me kolegët do të jetë i nevojshëm për të mos u trajtuar mbledhja e radhës si një sallë gjyqi. Ndërkohë, deputeti tjetër, Andis Harasani ka deklaruar dje se çregjistrimi nuk ka ndodhur ende, duke u treguar i rezervuar në dhënien e një qëndrimi. Dy ditë më parë, kryetari i PS-së, Edi Rama propozoi në mbledhjen e parë të Kryesisë së re, çregjistrimin e Kastriot Islamit nga grupi parlamentar, me argumentin se ai theu vendimin politik duke mos marrë pjesë në votimin kundër ndaj Bujar Leskajt si kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit. Ndaj kësaj kërkese ka reaguar deputeti Arben Malaj. Ai ka sugjeruar që të mos nxitohet në këtë çështje e të dëgjohet dhe vetë deputeti. Ndërkohë Ben Blushi ka propozuar që çështja t’i kalojë grupit dhe aty, Islami të mund të shprehë qëndrimin e tij. Në një situatë të tillë, Kryesia ka vendosur që të ngarkojë kryetarin e grupit, Gramoz Ruçi, të bisedojë me të për të dëgjuar shkaqet e mosprezencës në seancën parlamentare. Pasi të dëgjojë Islamin, Ruçi është ngarkuar që të hartojë edhe një raport, të cilin do ia paraqesë grupit parlamentar në mbledhjen e ardhshme. Do të jetë pikërisht grupi parlamentar që më pas do të vendosë nëse do i pranojë argumentet e thëna prej tij, apo do t’i rrëzojë. Rrëzimi në këtë rast do të sillte në mënyrë automatike dhe përjashtimin e Islamit nga grupi socialist. Dy ditë më parë, vetë Islami i kontaktuar nga media u shpreh se për këtë çështje nuk kishte ende një vendim zyrtar e për rrjedhojë nuk mund të jepte një reagim konkret. Vendimi i kryesisë së PS-së si pasojë e propozimit të kryetarit të PS-së, Edi Rama, për çregjistrimin e Kastriot Islamit erdhi pas reaksionit të krijuar në grupin parlamentar të PS-së lidhur me mungesën e Islamit, Majkos dhe Seserit në votimin e fundit në Kuvend. Në seancën e së enjtes, socialistët kishin parashikuar mundësinë e rrëzimit të kandidaturës së Bujar Leskajt, në rast se të gjithë deputetët e PS-së do të ishin të pranishëm në sallë. Nëse nuk do të kishte mungesa në grup dhe votës së tyre unanime do t’i bashkohej edhe ajo e Vangjel Dules dhe Dritan Priftit, atëherë me abstenimin e tri votave nga e djathta dhe mungesën e Shpëtim Idrizit, Bujar Leskaj nuk do të mund të merrte votat e mjaftueshme për të drejtuar KLSH-në.
N.P
Argumentet e deputetëve që munguan në votimin e fundit për Bujar Leskajn:
Pandeli Majko: “Çështja është delikate dhe s’doja ta thosha, por meqë më duhet të argumentoj mungesën time, jam i detyruar të them ndoshta një sekret, se kam qenë në një intervistë në ambasadën gjermane, pasi më kanë propozuar për ndihmës të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së”
Rudina Seseri: “Njoftoj zyrtarisht se për arsye personale nuk do ta kem të mundur të vazhdoj detyrën e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë. Rishtazi kam vendosur të marr angazhime më të mëdha profesionale”