E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Bashkimi me Kosovën? Të ruajmë kufijtë ekzistues

TIRANË Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar dje se bashkimi i Shqipërisë me Kosovën do të sillte veçse humbje territori. I pyetur nga studentët e Kosovës gjatë një bashkëbisedimi të zhvilluar në Kryeministri, Berisha ka theksuar se projekti i vetëm i bashkimit të shqiptarëve është projekti i integrimit në BE. “Ju garantoj se kur shqiptarët në Shqipëri e Kosovë të kenë realizuar ato standarde që kërkohen për të qenë anëtarë të BE-së, do të jenë më mirë se kurrë në historinë e tyre dhe me arritje më të mëdha. Pra, ky është projekti dhe ne duhet ta shohim të ardhmen tonë në BE. E theksova edhe njëherë se përse është interesi jetik i shqiptarëve për të ruajtur këta kufij. Interesi jetik i shqiptarëve për të ruajtur këta kufij është sepse shqiptarët nuk duhet të pranojnë në asnjë rast e në asnjë rrethanë tjetër të humbasin qoftë dhe një metër katror tokë të tyre. Në rast se shqiptarët, të supozojmë për një moment se do të kërkonin ndryshimin e këtyre kufijve në një rivizatim tjetër, unë ju garantoj se do shënonte humbje të pamerituar të territoreve shqiptare. Nuk duhet të harrojmë se këto territore, në një të shkuar absolutisht jo të largët, janë shtrirë nga kufiri me Bullgarinë deri në Novi Pazar e më thellë. Sot nuk janë më ata kufij, ndaj edhe në qëndrimin tonë ne duhet të jemi të durueshëm”, - tha dje Berisha. Kryeministri shtoi se Kosova dhe Shqipëria janë popuj të lirë, porse nuk mund të merret asnjë veprim që kërcënon humbje territoresh. “Ky është qëndrimi im. E theksova se çdo brez bën detyrat e tij. Ky brez i ka bërë ato, sepse e nënvizoj edhe njëherë se nuk ka ndonjë mrekulli më të madhe në historinë tonë që nga koha e Skënderbeut, sesa çlirimi dhe pavarësia e Kosovës. Ajo ka qenë një arritje e jashtëzakonshme sepse ishte një arritje në kundër-rrymë. Shqiptarët e arritën sepse ndoqën dhe organizuan një qëndresë të pashembullt paqësore dhe më pas luftarake, si dhe bënë miq të mëdhenj për vete, siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, - tha ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›