E Diel, 1 Nëntor 2026

Mima: Dëgjova vetëm deklarata te tatimet dhe asgjë për korrupsionin

Nga Fitim Zekthi

Qeveria shqiptare ka kritikuar dje administratën e tatimeve se është mjaft e ngurtë dhe mjaft jo-transparente dhe se jep vetëm shifra për mbledhjen e të ardhurave pa u kujdesur fare për marrëdhëniet me biznesin. Ishte zëvendësministri i Financave ai që i artikuloi këto kritika, teksa pak çaste më parë kishte dëgjuar Drejtorin e Përgjithshëm të Tatimeve të raportonte për shifra dhe për punë të madhe në luftën ndaj korrupsionit. Zëvendësministri, Florion Mima, tha qartë dhe ashpër se ky vend ka shumë vite që dëgjon deklarata, por nuk merr asnjë shifër prej kësi deklaratash. “Detyra e administruarës së tatimeve është në radhë parë, - tha zëvendësministri i Financave, - ndërtimi i marrëdhënieve të mirëbesimit me biznesin dhe lehtësimi i bashkëpunimit me të. Biznesi duhet të gjejë tek administrata e tatimeve një agjenci që e ndihmon atë dhe jo thjesht një taksambledhës.” Ndërkohë, drejtori i Tatimeve, Arben Sefgjini, deklaroi se programi i të ardhurave që ka mbledhur administrata e tatimeve është realizuar plotësisht. Drejtori i Tatimeve vijoi një ligjëratë të gjatë mbi sukseset e punës së tij duke mos bërë asfare dallim nga zulmat e zakonshme që kanë shoqëruar të gjithë drejtorët e kësaj administrate prej vitesh. “Një nga faktorët në rritjen e të ardhurave, - tha drejtori Sefgjini, në vijim të analizës së punës së suksesshme, - ka qenë përmirësimi i elementëve që kanë të bëjnë me administratën e tatimeve.” Ndërkohë, zëvendësministri i Financave, Florion Mima, reagoi duke thënë se është habi që nuk u tha asgjë për korrupsionin. “Unë nuk dëgjova asnjë fjalë, - tha zëvendësministri. - Ende ky vend vazhdon të thithë kritika për këtë sektor dhe të gjitha këto sinjale që ne marrim na bëjnë të dyshojmë se individë të veçantë vazhdojnë të nëpërkëmbin ligjet e shtetit për përfitime personale”. Sipas tij, nuk është dhënë asnjë shifër për njerëz përgjegjës për shkelje që minimalisht të jenë pushuar nga puna ose të jenë dërguar para drejtësisë. Kritikat e forta të numrit 2 të financave vijnë në një kohë kur të ardhurat nga tatimet dhe doganat po shfaqin një tendencë rënëse, e cila ka qenë më e theksuar gjatë dy muajve të fundit për shkak edhe të rënies masive të çmimeve në tregje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›