E Diel, 1 Nëntor 2026

Qytetarët në radhë, sigurohen kuponë për më pak se 1% të kryeqytetasve

Nga Rildo Ngjela

Radhët e gjata vazhdojnë të shtohen çdo ditë pranë minibashkive të kryeqytetit. Qytetarët janë të detyruar të presin përpara këtyre institucioneve me orë të tëra për të bërë një aplikim të thjeshtë për kartat e biometrike. Ata janë përballur me mungesën e kuponëve dhe me aparaturat defektoze që lexojnë me vështirësi shenjat e gishtërinjve. Vendimi i nxituar i qeverisë, duke vendosur sanksione për ata që nuk aplikonin për kartat e identitetit deri më datë 1 shkurt, detyroi një pjesë të madhe të qytetarëve t’i drejtoheshin radhëve të gjata pranë minibashkive duke humbur kështu edhe ditën e punës. Qytetarëve të irrituar prej radhëve të gjata i është shtuar edhe një problem tjetër, mungesa e kuponëve, problem i cili i detyron ata që të humbin përsëri ditën e punës.

Dje, Posta Shqiptare ka shpërndarë për qytetarët e Tiranës 11 mijë kuponë të aplikimit për kartat e identitetit, por asgjë nuk u zgjidh. Shifrat flasin vetë. Tirana përbëhet nga 11 minibashki dhe çdo minibashki ka të regjistruar mesatarisht 70-85 mijë banorë, atëherë 11 mijë kuponë të aplikimit përbëjnë rreth 1/80 e popullsisë së çdo minibashkie.

Ndërtesa ku do të prodhohen kartat

Ndërkohë, godina ku do të prodhohen kartat e identitetit dhe pasaportat biometrike është ende në ndërtim, mes tullave dhe llaçit, mes punëtorëve me karroca dore, mes llucës dhe baltës dhe mes rrethimit me policë, ku është e bllokuar edhe redaksia e gazetës “TemA”. Premtimi i kryeministrit Berisha dhe zëvendësministrit të Brendshëm, Ferdinand Poni, është vënë përpara një sprove të vështirë, faktit që tregon se godina është ende e papërfunduar dhe koha është e pamjaftueshme.

Vendimi i qeverisë për çmimet

Rreth 800 mijë persona do të përfitojnë ulje të çmimit të letërnjoftimit biometrik. Në mbledhjen e qeverisë këtë të mërkurë është miratuar vendimi për kompensimin e pagesës për pajisjen me letërnjoftim për shtresat në nevojë. Në këtë mënyrë, çdo qytetar që trajtohet me ndihmë ekonomike dhe që është mbi 18 vjeç; çdo person me aftësi të kufizuara, si dhe anëtarët e familjes mbi 18 vjeç, kur kryefamiljari është me aftësi të kufizuara; personat që përfitojnë asistencë dhe studentët do ta marrin kartën e identitetit me vlerën 500 lekë të reja. Personat që përfitojnë pension pleqërie, të të gjitha llojeve, si dhe ata që kanë në ngarkim pensionistë, do ta blejnë kartën për 800 lekë, ndërsa punonjësit e administratës që marrin pagë bruto deri në 35 mijë lekë, do ta blejnë kartën e identitetit për 1 mijë lekë të reja. Sipas relacionit të qeverisë, ‘nisur nga impakti që mund të ketë çmimi i përcaktuar për marrjen e letërnjoftimit te shtresa të caktuara të shoqërisë, në politikat e qeverisë parashikohet edhe mbështetja e atyre shtresave, të cilat preken më shumë. Numri i personave që preken nga ky projektvendim, llogaritet në mbi 800 mijë veta dhe efekti financiar shkon në rreth 500 milionë lekë’.

Sanksionet

Çdo shtetas shqiptar do të privohet për të dalë jashtë shtetit, si dhe nga shërbime të tjera të domosdoshme, nëse nuk aplikon brenda 1 shkurtit për kartën e re të identitetit. Në vendimin e nxjerrë më datë 7 janar nga qeveria, asnjë shtetas nuk do të lejohet të udhëtojë jashtë Shqipërisë, nëse më parë nuk ka aplikuar për marrjen e këtij dokumenti pranë bashkive dhe komunave. Vendimi i nxjerrë i ngjan periudhës para viteve ‘90, ku shqiptarët ndaloheshin për të kaluar kufirin shqiptar, duke u bllokuar nga klone. Nëse nuk realizohet procesi i pajisjes me karta identiteti, Shqipëria mund t'i ngjajë një ‘shtetrrethimi’, ku shtetasit e saj do të privohen nga shërbimet kryesore. Sanksionet e çuditshme dhe ekstreme të qeverisë shkojnë akoma më tej. Marrja e pasaportës për jashtë shtetit do të bllokohet për ata shtetas që nuk kanë aplikuar për kartën e re të identitetit. Shërbimi tjetër që do të privohet është edhe ai në zyrat e Gjendjes Civile. Penalizime kanë edhe bizneset, ku përfaqësuesit e saj brenda 1 shkurtit duhet të aplikojnë, pasi bashkitë dhe komunat nuk do të lejojnë që të rinovojnë licencat e tyre. Në të njëjtën kohë qeveria ka vendosur që pas kësaj date nuk do t’u ofrohet asnjë shërbim shtetasve të saj për marrjen e patentave dhe në kryerjen e kolaudimeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›