Organizatat e medieve kryqëzojnë qeverinë shqiptare
Organizata “Reporterë pa Kufij” kritikoi qeverinë shqiptare në lidhje me dyshimet se po përpiqet të mbyllë një gazetë të përditshme të Tiranës, për shkak të artikujve kritikë për korrupsion dhe skandale.
E përditshmja “TemA” është përqendruar në raportime investigative, shumica e artikujve të saj janë kundër zyrtarëve të dyshuar për abuzime dhe korrupsion. Të premten e kaluar, policia e përzuri nga zyrat e saj në një godinë qeveritare, pavarësisht një vendimi të gjykatës kundër dëbimit.
“I bëjmë thirrje ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani, të respektojë vendimin e gjykatës dhe të lejojë gazetarët e “TemA”-s të kthehen në zyrat e tyre”, - u shpreh në një deklaratë për mediet kjo organizatë. “Ne i bëjmë thirrje gjithashtu edhe qeverisë që të ndalojë përdorimin e aparatit shtetëror kundër shtypit”, - thuhej në deklaratë.
Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, i ka mohuar akuzat për korrupsion dhe e ka akuzuar botuesin e gazetës “TemA” si vegël të liderit socialist të opozitës, Edi Rama.
Konflikti u përshpejtua më 16 dhjetor, kur Ministria e Ekonomisë anuloi në mënyrë të njëanshme pa paralajmërim një kontratë 20-vjeçare që gazeta kishte për zyrat e saj brenda një godine shtetërore, duke e detyruar gazetën t’i drejtohej gjykatës.
Qeveria tha se po e largonte gazetën nga mjediset e saj për arsye të sigurisë kombëtare, pa dhënë shpjegim për arsyet. Në fillim të javës së kaluar, gjykata urdhëroi ministrinë të hiqte dorë nga dëbimi, por të premten, policia rrethoi zyrat e “TemA”-s dhe nuk i lejoi gazetarët të hynin në zyra.
“Rrethimi policor i papritur dhe arroganca e kryeministrit në përpjekje për të na mbyllur gojën, siç duket, nuk njeh kufij”, - shkroi botuesi i “TemA”-s, Mero Baze, në një deklaratë pas veprimit të policisë.
BMW luksoze e Bazes u dogj në prag të Vitit të Ri, një veprim që Baze e quajti sulm, ndërsa policia e përshkroi si djegie për shkak të një qarku të shkurtër elektrik.
Ministria e Ekonomisë e mohoi që vendimi i nxjerrjes nga mjediset të ishte i motivuar politikisht dhe me anë të një deklarate të dielën, pretendoi se nuk kishte marrë asnjë vendim gjykate, ndërsa anulimi i kontratës ishte “i domosdoshëm për nevoja publike”.
Edhe “Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve”, me qendër në Nju-Jork, reagoi për bllokimin qeveritar të zyrave të gazetës “TemA”.
“Policia duhet menjëherë të lejojë gazetarët e “TemA”-s të hyjnë në redaksi dhe të bëjnë punën e tyre”, - tha në një deklaratë për shtyp Nina Ognianova, koordinatore e KMG për programin e Evropës dhe Azisë Qendrore, të premten e shkuar.
“Në vend që të dhunojnë gazetarët, autoritetet duhet të hetojnë shpërthimin e makinës së botuesit Mero Baze. Metoda të tilla për të frikësuar mediet kritike janë të papërshtatshme me rrugën demokratike që ka zgjedhur Shqipëria.”