E Hënë, 2 Nëntor 2026

Studimi italian, në Tiranë, një e pesta e adoleshentëve janë përdorues droge

Nga Rildo Ngjela

Projekti “Tirana e shëndetshme”, një bashkëpunim me Bashkinë e Romës për toksikodipendentët dhe komunitetit “Emanuel” në Shqipëri ka nisur zbatimin këto ditë në kryeqytetin tonë. Ky projekt vjen dhe si një bashkëpunim me “Cooperazione Italiana”, si dhe me Agjencinë e Toksikodipendencës së Bashkisë së Romës.

Kështu, u arrit të bëhej realitet një projekt, i cili do të ofrojë jo vetëm shërbime për këtë kategori që tashmë është e pranishme edhe në Tiranë, siç janë përdoruesit e drogës, por dhe për krijimin e strukturave, forcimin e kapaciteteve, trajnimin e burimeve njerëzore për të përballuar fenomene të tilla.

Rezultatet paraprake të një sondazhi të kryer nga specialistë italianë, tregojnë se të rinjtë shqiptarë po bien pre e drogës. Nga 290 të anketuar, 20 për qind e tyre nga mosha 17 deri në 18 vjeç kanë pranuar se konsumojnë droga të ndryshme.

Projekti “Tirana e shëndetshme” ka për qëllim të ofrojë dhe të shpërndajë modelin bazë të përvojës së arritur në fushën e toksikodipendencës, nga një rrjet partnerësh si Agjencia Bashkiake për Toksikodipendencën, institucion i Bashkisë së Romës; Zyra e Komisariatit të qeverisë italiane për Koordinimin e Politikave kundër drogës dhe komuniteti “Emanuel”.

Për të realizuar me sukses objektivat e tij, projekti është planifikuar të zbatohet në katër faza, për një periudhë kohore prej 12 muajsh, të cilat përfshijnë: vlerësimin e shërbimeve ekzistuese të toksikodipendencës, si dhe përshkrimin e karakteristikave që ky fenomen shfaq në qytetin e Tiranës; vlerësimin e njohurive ekzistuese mbi toksikodipendencën dhe atyre të nevojshme për përmbushjen e projektit; krijimin e zyrës “Tirana”, e cila do të luajë rolin e koordinatorit dhe menaxhuesit të rrjetit të shërbimeve, si dhe krijimin e dy qendrave sociale, një qendër ditore dhe një qendër pritëse pranë komunitetit “Emanuel”.

Krahasimet

UNODC (United Nations Office on Drugs and Crime – Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin), institucioni më i lartë në fushën e toksikomanive, në raportin vjetor të vitit 2008, vlerëson se në Shqipëri 0,5% e popullsisë nga 15 deri 64 vjeç përdorin opiumet. Sipas statistikave të komunitetit “Emanuel”, për të kuptuar këtë të dhënë mund të bëjmë një krahasim me të dhënën italiane që është vlerësuar me 0,8%. Mesatarja evropiane është nga 0,3 deri 0,6%.

Një e dhënë tjetër interesante është ajo e toksikomanëve në trajtim, sipas së cilës, gjithmonë sipas UNODC, në Shqipëri rezultojnë të jenë 2.140 të ndarë në 7% konsumatorë të kanabisit dhe 93% konsumatorë të opiumeve.

Në Itali toksikomanët në trajtim rezultojnë të jenë 171.373 të ndarë në 9,6% konsumatorë të kanabisit, 72,3% të opiumeve, 14% kokainë, 0,2% amfetamina, 0,5% ekstazi dhe 0,6% qetësues/hipnotik.

Popullsia italiane e analizuar nga 15 deri 64 vjeç mund të themi se është rreth 40.000.000. Kështu, konsumatorët e opiumeve që janë toksikomanët që më tepër iu drejtohen shërbimeve rezultojnë të jenë rreth 320.000. Meqenëse nga 170.000 personat në trajtim në shërbimet italiane (rreth 550 shërbime janë shtetërore, 700 janë struktura private rezidenciale dhe 200 gjysmë-rezidenciale), 72,3% janë të varur nga opiumet, mund të pohojmë se, për këtë kategori toksikomanësh janë afërsisht në trajtim një në dy persona.

Duke bërë krahasimet e duhura ndërmjet popullsisë italiane dhe asaj shqiptare dhe duke marrë në konsideratë konsumatorët e opiumeve në bazë të përqindjeve të përshkruara më sipër, në Shqipëri këta duhet të jenë rreth 12.500. Ky numër duket koherent me të dhënat e UNICEF 2002 (Rapid Assessment and Response on HIV/AIDS among Young Drugs Users) që vlerëson në 30.000 numrin e toksikomanëve në të gjithë vendin (dhe nga këta 10.000 vetëm në Tiranë), kjo nëse kërkimi i UNICEF i merr në konsideratë të gjitha substancat së bashku.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›