Pritja zyrtare, qeveria harron Withers*
Protokolli i shtetit shqiptar ka rrezikuar dje që të acarojë marrëdhëniet disi të tensionuara prej kohësh mes qeverisë shqiptare dhe ambasadës amerikane në Tiranë.
Një “gabim” i protokollit pothuajse ka lënë jashtë pritjes së përvitshme që organizon Presidenti i Republikës përfaqësuesin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ftesa e nisur drejt tij ka “humbur rrugës” dhe kjo është zbuluar vetëm në momentin e fundit.
Pritja
Bëhet fjalë për pritjen që organizon çdo fillim viti Presidenti i Republikës me të gjithë përfaqësuesit e diplomacive të huaja në vend. Pritja e këtij viti ishte parashikuar për pasditen e djeshme dhe Presidenca kishte njoftuar protokollin e shtetit që të bënte edhe lajmërimet përkatëse.
Në bazë të ligjit, protokolli i shtetit ka për detyrë organizimin dhe realizimin e të gjithë veprimtarisë kryesore protokollare të Presidentit të Republikës, kryetarit të Kuvendit, kryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme për të gjithë veprimtarinë e tyre brenda dhe jashtë vendit.
Në paragrafin e pestë të pikës së parë parashikohet që “Protokolli i shtetit përgjigjet për veprimtaritë shtetërore, ku është i ftuar Trupi Diplomatik i akredituar në Republikën e Shqipërisë. Për çdo veprimtari tjetër angazhohet protokolli i institucionit ose zyrtarë të tjerë të ngarkuar nga titullari i atij institucioni”.
Burime nga Presidenca pohuan se protokolli ishte ngarkuar për të ftuar të gjithë përfaqësitë e huaja në vend, por një verifikim krejt rastësor i minutës së fundit ka zbuluar mungesën e një prej përfaqësuesve më të rëndësishëm, atij të ambasadës amerikane në Tiranë.
Të pyetur nga Presidenca për këtë fakt, zyrtarët e protokollit kanë pohuar se e kanë nisur ftesën, por ajo ka humbur rrugës. Presidenca ka marrë masat e menjëhershme dhe ka arritur të dërgojë në kohë ftesën zyrtare në ambasadën amerikane në lidhje me këtë ngjarje.
Mungesa e ambasadorit
Nga ana tjetër, edhe pse ftesa ka mbërritur në limitet e kohës, ambasadori amerikan nuk është paraqitur vetë në pritje. Të kontaktuar nga “Shekulli”, përfaqësues të ambasadës kanë konfirmuar se vetë ambasadori, John Withers, nuk ishte i pranishëm në pritje. “Ambasadori është me pushime, ka marrë lejen zyrtare. Në pritje ka qenë i pranishëm zv/ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zoti Cristina”, - thanë dje burimet e ambasadës. Sipas tyre, në ambasadë ka mbërritur një ftesë zyrtare në lidhje me pritjen dhe zv/ambasadori Cristina ka qëndruar deri në fund.
Protokolli i shtetit
Protokolli i Shtetit është një institucion zyrtar, i cili është në varësi të Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Ai ka për detyrë organizimin dhe realizimin e të gjithë veprimtarisë kryesore protokollare të Presidentit të Republikës, kryetarit të Kuvendit, kryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme për të gjithë veprimtarinë e tyre brenda dhe jashtë vendit; bashkërendimin e veprimtarisë protokollare të anëtarëve të Këshillit të Ministrave dhe titullarëve të institucioneve të larta qendrore dhe bashkërendimin dhe zbatimin e programit të vizitave të delegacioneve të huaja të nivelit të lartë.
* Marrë nga “Shekulli” online