E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipja në bashkëpunim dhe në përplasje me gjuhët e tjera



Më shumë se 60 kumtesa, nga albanologë të vendit dhe të huaj, kanë “zotëruar” programin e ditës së parafundit të Seminarit XXIX Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Me to, kanë nisur sesionet shkencore të gjuhësisë dhe të letërsisë. “Kontaktet e sotme të shqipes”, është tema qendrore që këtë vit është zgjedhur të trajtohet në kuadër të sesionit shkencor të gjuhësisë, ndërsa “Poezia e sotme shqipe” në atë të letërsisë. Huazimet dhe përshtatja e koncepteve të shumë fushave nga gjuhë të ndryshme të botës në gjuhën shqipe, përplasja e saj me gjuhët e vendeve fqinje dhe ato më gjerë kufijve të Ballkanit, kanë qenë vetëm disa nga çështjet që studiues të shumtë kanë sjellë në dy seancat, të para dhe pas ditës, në sesionin shkencor të gjuhësisë. Ndërkaq imazhe dhe figura të ndryshme që sot përdoren në poezinë shqipe, si dhe studime mbi poezitë e emrave të mëdhenj të letrave, si Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Ali Podrimja, Fatos Arapi, etj, kanë qenë në qendër të dy seancave të së enjtes në Seminarin e 29-të.
“Në zhvillimin e standardit dhe në zbatimin e tij në Kosovë, bëhet fjalë për përplasje ngërçesh gjuhësore, jo për faktin se shprehje gjuhësore i mungonin dhe i mungojnë shqipes, po për një fakt të paimagjinueshëm e absurd, që është mosnjohja e thesarit, madje as e elementeve tërësisht të shtrira në tërë shqipen”, ka thënë ndër të tjera studiuesi Isa Bajçinca, teksa ka referuar me temën “Kontakte e përplasje gjuhësh – shqipja dhe gjuhët fqinje”. Për ndikimin e gjuhëve të tjera, që nga latinishtja, turqishtja, serbishtja e të popujve tjetër të Ballkanit, pastaj gjuhëve të Evropës si anglishtja, gjermanishtja, italishtja e spanjishtja, e vendeve të popujve të shteteve të ish-bllokut sovjetik, është diskutuar me kumtesat e referuesve të sesionit shkencor të gjuhësisë.
Studiuesi Asllan Hamiti ka folur për “Përqasjen fonetike-fonologjike ndërmjet shqipes dhe maqedonishtes”. “Për arsye të faktorëve historikë, gjeografikë dhe gjuhësorë ndërmjet këtyre dy gjuhëve janë krijuar shumë ngjashmëri në gjitha sferat gjuhësore: në sferat fonetike-fonologjike, në sferën e gramatikës (morfologji dhe sintaksë), në sferën leksikologjike dhe në sfera të tjera”, ka thënë Hamiti. Albanologia e re bullgare, Anna Kapidanova, ka paraqitur hulumtimin e ekspeditës së saj filologjike dhe etnologjike që i ka bërë fshatit të vetëm të banuar me shqiptarë në Bullgari, Mandricë. Ajo ka dhënë shembuj të ndikimit të gjuhës bullgare në atë të të folmes shqipe të mandricianëve. “Në vend të ‘kodër e lartë’ ata përdorin ‘larta kodër’”, ka treguar Kapidanova.
Çështja e problemeve të përkthimit në gjuhët e sllavëve të jugut pas ndryshimeve në Ballkanin Perëndimor, ka qenë ajo që e ka trajtuar në kumtesën e tij, studiuesi slloven Drago Flis.
Një mori kumtesash, në sesionin shkencor të gjuhësisë janë lidhur me fushën e medieve. “Tautologji mediatike të shqipes në kontakt”, ka qenë tema me të cilën është paraqitur studiuesi Qemal Murati. Ai ka vërejtur se në gjuhën e medieve dhe të politikanëve, ka të meta të mëdha, që siç i quan ai janë të paformuar sa duhet filologjikisht.
“Shkaqet e krijimit dhe përdorimit të shprehjeve tautologjike janë kryesisht varfëria e fjalorit të folësve të gjuhës, si dhe mania për t’u dukur më të ditur”, ka thënë Murati.
Poeti Agim Vinca, me kumtesën e tij “Imazhi i hënës në poezinë e sotme shqipe”, ka shëtitur në krijimtarinë letrare të shumë shkrimtarëve të huaj dhe vendës. Ai ka sjellë shembuj të shumtë të përdorimit të imazhit të figurës kozmike, kryesisht në poezinë shqipe. Poeti tjetër kosovar Sali Bashota, ka trajtuar “vetminë” në poezinë e sotme shqipe. Për këtë ai ka shëtitur në nëntë autorë të ndryshëm.
Studiuesi Ymer Çiraku trajtoi dy elemente të tjera të jetës, dhembjen dhe dashurinë, por duke u ndalur kështu vetëm në krijimtarinë e poetit shqiptar Fatos Arapi.
“Koherenca në veçoritë e tij stilistike ishte bërë zëri i gjerë në krijimtarinë e tij letrare ndërsa kontrastet ishin tendenca, që Arapi përdorte në shkrimet e tij”, ka thënë Çiraku, në kumtesën e tij me titull “Koha tjetër e poetit”.
Krijimtaria e Ali Podrimja në sesionin e letërsisë
Krijimtaria e një tjetër shkrimtari shqiptar, Ali Podrimja, u diskutua në sesionin e
letërsisë, përmes studiueses Resmije Kryeziu, teksa ka referuar me kumtesën “Poetika e Ali Podrimës”. “Në vargun e Podrimës rrallë e më rrallë përdoren foljet, derisa ai krijon fjalë të reja duke i ngjizur ato. Ai shpesh herë karakterizohet nga përdorimi i trajtës së vdekjes. Poezia e Podrimës cilësohet si prekje e së kaluarës dhe projektim i së ardhmes”, ka thënë Kryeziu. Edhe trajtimi i poezive të poeteshave shqiptare të pas viteve ’90, si Mimoza Ahmeti, Luljeta Lleshanaku dhe Lindita Ahemti, kanë zënë vend në sesionin shkencor të letërsisë. Studiueset shqiptare Etjona Hoxha dhe Mariglena Meminaj kanë evidentuar të përbashkëtat tematike dhe motivore, si tregues të shqetësimeve, brengave dhe luhatjeve gati të njëjta shpirtërore tek këto tri poetesha.
“Përpos të përbashkëtave, natyrisht ato janë personalitete të ndryshme krijuese, mjaft të spikatura dhe me një krijimtari letrare krejtësisht të veçantë nga njëra-tjetra”.
Mark Marku, me kumtesën e tij “Poezia e sotme: rezistencë e klandestinitetit” ka tërhequr paralele në marrëdhënien e poetit me shoqërinë bashkëkohore. Për këtë, ai motiv ka marrë një lexim të hershëm të një tregimi mbi mënyrën se si e shohin botën e jashtme disa të burgosur, të dënuar me vdekje. “Njeriu modern, ose i tëhuajësuar siç quhet rëndom nga kritikët e modernitetit, u ngjan pak a shumë të burgosurve. Poeti gjithashtu. Nga pozita e bashkëvuajtësit, poeti merr përsipër t’ua ofrojë një alternativë bashkëvuajtësve të tij: poezinë duke u shërbyer në mos me vdekje, të paktën me shpërfillje”, ka thënë Marku. Në sesionin shkencor të letërsisë, të enjten janë paraqitur edhe studiuesit, Bajram Kosumi, Besim Rexhaj, Vehbi Miftari, Agron Gashi, Ag Apolloni, Gëzim Aliu, etj.

“Vrasja e Fundit” e shkrimtares Anne Holt në shqip

Pena e politikanes skandinave vjen këtë herë për lexuesin shqiptar me romanin “Vrasja e fundit”. Ky roman vjen direkt pas romanit “Atë që meriton” të botuar vitin që shkoi, nga botimet IDK. Anne Holt, me romanin “Vrasja e fundit”, konfirmohet si një ndër përfaqësuesit më të rëndësishëm të letërsisë së sotme skandinave, aq të suksesshme sot në mbarë botën. Protagonistët e romanit të ri të ish-ministres së drejtësisë të Norvegjisë janë po ata të romanit “Atë që meriton”; detektivi Ingvar Stubo dhe psikologia Johanne Vike.
Pjesë nga Libri
Në lindje të Oslos, atje ku shpatet e maleve zbresin drejt qytetit të Lërenskugut, përgjatë linjës hekurudhore që çdo pranverë zhytet nën ujërat e lumit Nita, makinat ishin akoma të ngrira nga ngrica e natës. Kalimtarët i kishin ngjeshur kapelat fort përmbi vesh dhe shtrëngonin shallet pas qafës teksa përshkonin me hap të shpejtë deri te stacioni i autobusit në rrugën kryesore, nja një kilometër më tej. Shtëpitë në rrugicën e vogël qorre dukej sikur i kishin ngritur barrikadë thëllimit me perdet e ulura dhe pirgjet e dëborës që bllokonin rruginat para oborreve. Në një vilë të vjetër prej druri, në fund të rrugës, buzë pyllit, helle akulli një metërshe vareshin prej strehës së çatisë si fatkeqësi të afërta...

Një shqiptare në Reality Shoë “X Factor”

Dorina Leka është konkurrentja e parë shqiptare, e cila do të marrë pjesë në Reality Shoë “X Factor”, i rrjetit italian “Rai 2”, një format televiziv që vë në garë këngëtarët e rinj. Lajmin e kanë bërë të ditur mediat e Triestes, ku artistja 24-vjeçaria jeton prej vitesh. “Një zë me ndjeshmëri të madhe që dridhet në ritmet e muzikës. Shpirti i rrok-ut, shpirti i saj rebel dhe mosha e re, u morr fillimisht me skepticizëm...”, shkruan e përditshmja italiane “Il Piçolo” për artisten shqiptare. Dorina Leka, 24 vjeç, ka sudiuar në Itali për pianoforte, por ka edhe një zë me ndjeshmëri të madhe. Ajo vjen në këtë edicion të katërt të "X Factor" si "gjetje" e Anna Tatangelos, një nga pjesëtaret e jurisë.

28 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›