E Diel, 1 Nëntor 2026

Mimoza promovon hotelet e politikanëve në Berlin

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, e cila udhëhiqet nga Mimoza Kusari-Lila, nëpërmjet Agjencisë për Promovim të Investimeve ka paguar me mijëra euro për prezantimin e 5 hoteleve dhe tri agjencioneve në Panairin e Turizmit në Berlin të Gjermanisë, kompani këto të afërta me zyrtarët e partive kryesore politike në vend, ndërkohë që nuk është prezantuar asnjë broshurë për turizimin në Kosovë.

Në këtë panair është prezantuar oferta e hotelit “Emerald”, pronë e Ibrahim Bucaliut, i cili ka pranuar për “Zërin” se i financon të gjitha partitë politike në vend, hotelet “Sirius”, “Nartel” dhe “Victory”.

Ky i fundit është pronë e Bedri Selmanit. Para se të ndërtohej hoteli “Emerald”, në hotel “Victory” kryeministri Hashim Thaçi i mbante mbledhjet e Këshillit Drejtues e ato të Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës.

Në Berlin është prezantuar edhe hoteli “Swis Diamond”, i cili është pronë e presidentit të partisë së Kusari-Lilës, Behgjet Pacolli.Ndërsa agjencitë turistike pjesëmarrëse në panair janë: “Vas Tour”, “Vip Air”,etj.

Sipas një njoftimi për shtyp të lëshuar ditë më parë nga MTI, në shtandin e Kosovës në Berlin ka qenë prezent edhe zëvendësministri i Tregtisë, Cuneyd Ustaibo, i cili e ka familjarë pronarin e agjencisë “Ephesus”, Tarik Ustaibo.

Zyrtarët e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë janë arsyetuar se përzgjedhjen e hoteleve dhe agjencive turistike e ka bërë Shoqata e Turizmit Alternativ të Kosovës, pasi që, sipas tyre, Agjencia për Promovimin e Investimeve të Kosovës(APIK) nuk ka dashur të merret me përzgjedhje, siç kanë thënë ata, për shkak të ndonjë keqkuptimi të mundshëm.

“Agjencia për Promovimin e Investimeve ka marrë pjesë në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit në Berlin. Si bashkëpunëtor i këtij organizimi ka qenë
Shoqata e Turizmit Alternativ, të cilët kanë pasur përgjegjësinë e plotë për përzgjedhjen e pjesëmarrësve në shtandin e Kosovës, ku kanë qenë të pranishëm 5 hotele dhe 3 agjenci turistike”, ka thënë Arta Istrefi, këshilltare e ministres së Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila.

Gazeta “Zëri” ka tentuar disa herë gjatë ditës së hënë ta kontaktoj nëpërmjet telefonit edhe kryetarin e Shoqatës së Turizmit Alternativ të Kosovës, Baki Hotin, rreth mënyrës së përzgjedhjes së hoteleve dhe agjencioneve në panairin e Berlinit, mirëpo telefoni i këtij të fundit ka qenë i mbyllur.

Në anën tjetër, eksperti kosovarë i turizmit, Zekë Çeku, ka vërejtje të shumta sa i përket prezantimit të ofertës turistike të Kosovës në Panairin e Berlinit, prej 7-10 mars 2013, i cili vizitohet nga jo më pak se nga 170 mijë veta.

Sipas Çekut, organizimi i këtij panairi nuk ka qenë i përgatitur si duhet, pasi që nuk janë ftuar për këtë çështje as tour operatorët kosovarë.
“Në Berlin nuk është promovuar oferta reale e Kosovës. Në mënyrë të padenjë bëhet promovimi i vendit në panaire të tilla”, ka potencuar Çeku./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›