Deputetët: Do ta shkarkojmë Rexhepin

Opozita kërkon shkarkimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, përmes Kuvendit të Kosovës. Fillimisht pritet të merret pëlqimi i shumicës së deputetëve të Kuvendit të Kosovës për të kërkuar interpelancë për ministrin Rexhepi. Më aktivë në këtë iniciativë janë treguar deputetët e dy partive opozitare “Vetëvendosje” dhe LDK.
Rexhep Selimi, nënkryetar i Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri e Mbikëqyrje të FSK-së, i cili është përgjegjës për mbikëqyrjen e punës së Ministrisë së Brendshme, ka treguar se javën e ardhshme pritet të marrë pëlqimin e shumicës së deputetëve të Komisionit për të kërkuar interpelancë për ministrin Rexhepi.
“Kemi ardhur në një situatë që nga ky njeri as të mos presim përmirësim. Sapo ndodh një skandal, ai e prodhon tjetrin. Kështu si Komision jemi duke përgatitur kërkesën për interpelancë dhe pastaj aty mund të dalë edhe kërkesa për shkarkimin e tij, varësisht prej subjekteve politike”, ka thënë Selimi.
Sipas tij, më e mira do të ishte sikur Kuvendi të marrë hapa konkretë që t’i bëjë presion Qeverisë për shkarkimin e ministrit.
Iniciativa ka nisur më herët
Sipas Selimit, iniciativat individuale të deputetëve të shumtë për të kërkuar shkarkimin e tij, kanë nisur shumë më herët. Selimi shtoi se arsyeja pse ky ministër nuk po shkarkohet është se ai që e shkarkon atë, kryeministri është brenda këtyre skandaleve.
“Kryeministri Thaçi është përgjegjës pse nuk e ka shkarkuar dhe pse i ka krijuar mundësi një njeriu të tillë që të prodhojë skandale dhe në vend që ta luftojë krimin të prodhojë krim brenda Ministrisë së tij. Ndërkohë që ne jemi të vetëdijshëm se Rexhepi është vetëm pjesë e dukshme e skandaleve të kësaj Qeverie”, tha Selimi.
Vjollca Krasniqi, deputete e LDK-së, anëtare e Komisionit në fjalë, tregon për përgatitjet që të kërkohet interpelancë nga ministri Rexhepi.
“Ende nuk e kemi nënshkruar kërkesën, por javën e ardhshme do të konsultohemi dhe pas interpelancës do të shohim se çfarë rekomandime do të dalin, a do të kërkohet shkarkimi i tij apo çfarë”, tha Krasniqi për “Zërin”, e cila shtoi se realisht dorëheqje duhet të japë e tërë Qeveria, por në këtë ministri janë aferat më të hapura se kudo tjetër.
Ndryshe, prej këtyre deputetëve, anëtarja e komisionit nga radhët e PDK-së, Ganimete Musliu, flet ndryshe. Madje ajo thotë se as nuk ka dëgjuar nga deputetët e këtij Komisioni kërkesën për dorëheqjen e ministrit Rexhepi.
“Dihet që Vetëvendosje e ka kërkuar vazhdimisht dorëheqjen e ministrit, por sa i përket deputetëve të Komisionit është hera e parë që po dëgjoj se paska iniciativa të tilla. Unë mendoj se ministri është deklaruar disa herë dhe është kryeministri ai që nëse e sheh të arsyeshme dorëheqjen e tij, e përderisa nuk e ka parë, atëherë unë personalisht e përkrah punën e ministrit Rexhepi”, tha Musliu.
Rexhepi të largohet me riformatizim
Analisti Ardian Arifaj vlerëson se do të ishte mirë që Kuvendi të bëjë një vlerësim të të gjithë Qeverisë, sepse skandalet kanë qenë pothuajse në të gjitha ministritë.
Ai e vlerëson iniciativën e këtyre deputetëve për llogaridhënie të ministrit Rexhepi, por sipas tij, Kuvendi i Kosovës në përgjithësi nuk po e bën punën për çka është i thirrur.
“Është Kuvendi ai që e emëron edhe Qeverinë, edhe kryetarin edhe të gjithë, por për fat të keq Kuvendi nuk po e luan rolin që ka të përcaktuar me Kushtetutën e Kosovës, që të debatojë më shpesh e të gjejë përgjegjësit e skandaleve dhe të kërkojë llogaridhënie nga ta”, tha Arifi, i cili shtoi se kështu si është askush nuk po e merr seriozisht. Sa i përket dorëheqjes së ministrit Rexhepi, Arifaj përmendi paralajmërime për riformatizim të Qeverisë, dhe sipas tij, mbetet të shihet nëse aty do të futet edhe largimi i këtij ministri./Zëri/