E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mustafi zgjedh heshtjen për t’u mbrojtur

Ish-shefi i Task Forcës antikorrupsion, Nazmi Mustafi, ka zgjedhur heshtjen si variantin më të mirë për dhënien e mbrojtjes, në gjykimin që po zhvillohet kundër tij. Në konsultim me avokatin e tij, Bajram Tmava, Mustafi ka vlerësuar se mosdeklarimi do ta ruajë më së miri pozicionimin e tij, siç pretendon ai, se është i pafajshëm dhe se gjykimi i është montuar. Në seancën e së hënës, në Gjykatën Themelore të Pejës, në heshtje është mbrojtur edhe Mirela Ndoci, e bashkakuzuara e Mustafit.

Ndërsa gjykimi ka vazhduar me dhënien e mbrojtjes së Xhelal Zherkës, i cili ka rrëfyer ndërlidhjen e tij dhe të vëllait të tij me Nazmi Mustafin, ku ka vlerësuar se fajtorët janë ata që kanë iniciuar këtë gjykim, e dëshmitarin bashkëpunues të Prokurorisë, Pashk Mirashin, e ka quajtur manipulues.

Prokurori i suspenduar, Nazmi Mustafi, kësaj radhe ka ardhur në seancë i pashoqëruar nga njësitet e policisë dhe me duar të lira, pas deponimit të 10 mijë eurove paradhënie, sipas kushtit të vënë nga gjykata për heqjen e paraburgimit.

Akuzave të ngritura kundër tij Mustafi kësaj radhe iu ka përgjigjur me heshtje. Ndërsa avokati i tij, Bajram Tmava, ka thënë se pas analizimit dyditor të aktakuzës, kemi ardhur në përfundim se kjo lloj mbrojtjeje është zgjidhja më e mirë.

“ Kemi analizuar për dy ditë aktakuzën dhe e kemi parë se më së miri është mos të deklarohet, sepse kështu edhe e mbron atë që ka thënë deri më tani se është i pafajshëm ”, tha Tmava.

Mustafi i kishte kundërshtuar akuzat që i vishen për “shpërdorim të detyrës ose autorizimit”, në kohën sa ka qenë prokuror i Prokurorisë Speciale të Kosovës, kur kishte hetuar rastin e guvernatorit të Bankës Qendrore, Hashim Rexhepi, e në grupin e të cilit kishte qenë edhe Pashk Mirashi, tani dëshmitar bashkëpunues i Prokurorisë.

Ai kishte mohuar edhe akuzat që e ndërlidhin me të akuzuarit e tjerë në gjykimin kundër tij, Mirela Ndocin, si bashkëpunëtore, dhe vëllezërit, Reshat e Xhelal Zherka, se kanë kërkuar para tek të tjerët në emër të Mustafit. Të gjitha këto akuza dhe gjykimin kundër tij Mustafi i ka vlerësuar si të orkestruara nga zinxhiri i personave që janë të lidhur me krimin e organizuar, të cilët me qëllim të fshehjes së keqpërdorimeve dhe shpëlarjes së parave të fituara nga disa banka vendëse, po e mbajnë atë në paraburgim dhe, siç ka thënë, po ia shkatërrojnë jetën.

Ndërkohë, Xhelal Zherka që akuzohet se bashkë me vëllanë e tij bashkëpunoi me Mustafin për marrje të parave në emër të tij, ka dhënë mbrojtjen duke i kundërshtuar akuzat si të montuara. Ai ka rrëfyer për kontaktet që i ka pasur me Mustafin duke pretenduar se si grup janë të pafajshëm.

“Kemi pasur lidhje shoqërore me Mustafin, e kemi takuar disa herë së bashku me vëllanë tim, Reshatin, e në disa raste kur kam qenë në Shqipëri ata të dy janë takuar vetmas ”, ka thënë Zherka.

Xhelal Zherka ka folur edhe për 28 mijë eurot që i kishte marrë nga Lukë Nikollëbibaj dhe Gjon Hasani, për të cilat para kishte folur edhe dëshmitari bashkëpunues i Prokurorisë, Pashk Mirashi.

Ndërsa paratë e kërkuara nga ai, kinse për fshehjen e një lënde nga Mustafi qe po e hetonte atë, Zherka i ka mohuar sërish. Po ashtu, se do ta kthente si likuidator në “NLB Bank”. Pashk Mirashin e ka quajtur manipulues dhe gënjeshtar të gjykatës.

“Deklaratat e Pashk Mirashit kanë qenë të pavërteta dhe ju si trup gjykues e keni kuptuar këtë”, ka deklaruar Xhelal Zherka, duke shtuar se Mirashi gënjeu edhe për Mustafin.

“Ai (Mirashi v.j.) gënjeu se do të mund ta kthente Mustafi në punë si likuidator i ‘NLB Bankës’, pasi atë e kishte shkarkuar vetë Bordi udhëheqës ”, tha Zherka.

Seanca për dhënien e mbrojtjes nga të akuzuarit do të vazhdojë të mërkurën me të akuzuarin tjetër Reshat Zherka, i cili ishte larguar nga seanca për të mos u ndikuar nga deklarimet e vëllait të tij si i bashkakuzuar./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›