E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mimozat

TIRANE- Pasi kalon si në balet një seri gropash zigzage në rrugë që ngjajnë si shumë sy të mbushur me lot, e hipën në trotuar, mendja të shkon të shtysh derën e ndonjë prej bareve të pafundmë. Ku?...Tafti-bafti! Njësoj janë të gjitha. E shtyn njërën që të duket si më afër. Mjegull tymi dhe grahmash. Kujtohesh që edhe ti ke në xhep një paketë cigaresh që do ta shtojë edhe më kontributin mjegullor. Kontribut me goxha vlerë! Epo, është pjesa e kafenesë që lejohet duhani, fundja. Nuk është ajo më e thella që s’lejohet. A, harrova të marr një gazetë se nuk shtyhet kafja pa të. Refleks i kushtëzuar. Kthehem dhe me të nën sqetull rifutem. Plot me meshkuj. Vetëm meshkuj. “Shyqyr që ka klientelë dhe punë për të zotët e lokalit”, të vete mendja. Nuk është se sheh trishtim në fytyrat e gjindjes. Ca edhe qeshin me të madhe dhe bëjnë hoka nga larg me njëri-tjetrin. A mbase të tjerët nuk e shfaqin mërzinë edhe po e kanë. Jemi të fortë ne shqiptarët për të mos e dhënë veten ndaj të tjerëve. Të paepur. Duket sikur më të paepur janë të papunët, se s’kanë ndaj kujt të epen. Secili njeri në punë të vet. Ulem në një vend bosh. Kamarieri ende s’i ka hequr tavllën plot dhe ca gota dhe filxhanë. Në një tavolinë, pranë dy-tre meshkuj të moshuar bisedojnë. Njëri, si për mburrje mbase që ta dëgjojnë dhe tavolinat rrotull, e ngre zërin në maksimum duke u marrë me një politikane që pretendonte se e njihte me dhëmbë e dhëmballë familjarisht dhe farefisnisht. I ati i saj që punonte aty, dhe u transferua këtu. Një dajë që ishte i paralizuar. Nja dy kunetër me gjithë peripecitë e tyre...Dy të tjerët dëgjonin me kërshëri. Vetëm nervat e tua fillojnë të acarohen nga ky zëlartë krenar, sidomos kur, pasi ke hapur gazetën, zëlarti nuk të lë të përqendrohesh askund në rreshta dhe foto. Mirë ta bën!...Ja ku vjen kamarieri, dhe pasi mbledh gjërat e ngelura në tavolinë, të pyet me ton indiferent; ç’do marrësh. Ia thua gjënë dhe rihap gazetën. Një njeri tjetër në krah që duket se e ka mbaruar kafen me kohë, por s’ia ka ënda të largohet se po sheh një ekran TV-je, paska një ilet. Kruan fytin vazhdimisht në çdo 15-20 sekonda. Tingujt e mbytur që nxjerr fyti i tij tregojnë se nxjerr “minerale” plot. Përtypet dhe gëlltitet. Ca mornica të drithërojnë, por rri me shpresë se mbase e pushon iletin sapo të mbërrijë kafja jote. Por jo, s’qenka fat të ndodhë kjo, edhe pasi rrufit gllënjkën e parë. Duhet mobilizuar shpirti, mendja, dhe trupi që edhe tjetri të vazhdojë të kruajë fytin e vet, edhe ti ta pish kafen me ëndje. Po hajde bëje këtë, po je burrë! Hmm..., duhet ndezur cigarja që të neutralizojë sadopak me hidhësinë e saj ndjesinë e neveritshme. E megjithatë, ia dola deri diku kësaj sfide të vështirë...
Tek-tuk ca të tjerë merren me lloto. Sa mirë që ka shpresë kjo llotoja! “Edhe njëmijë herë të humbasësh në lloto, prapë guxo!”, thotë seriozisht një i njohuri im, që s’i ka ngelur asgjë tjetër, veç guximit për këtë lojë shpresëplotë...
Diku, pak më tej, ulet një mashkull rreth të tridhjetepesave, trupmadh; që dukej që qe nga të fortët, i shoqëruar nga tre meshkuj të tjerë; këta të fundit veshur me rroba dhe kapele me ngjyrë të paidentifikueshme qartë. Duket që mashkulli trupmadh ka ca hesape me ta, se sakaq nxjerr një copë letër dhe një stilolaps dhe fillon dhe iu bën ca llogarira duke iu folur me zë imponues. Të tjerët shikojnë si të druajtur, si të tulatur mbi copën e letrës, me ç’duket nga zëri imponues dhe madhështia e trupit të tij. Pastaj i forti nxjerr celularin, dhe kushedi se kë fillon të kërcënojë dhe shajë me zë të lartë. Tre njerëzit e tjerë tulaten edhe më dhe rrufisin kokulur gjërat që kanë përpara. Hmm, duhet ikur nga këtu. Kthej gllënjkën e fundit të kafes, bashkë me tingujt e mbytur gëlbazshëm të kruarjes së fytit të tjetrit që vazhdonte në të vetën, dhe kthej kokën për nga banaku për të thirrur kamarierin. ç’të shoh! Pas banakut ishte një mrekulli! Një robot? Një alien? Jo!...
Një vazo blu e errët kristali mbushur plot e përplot me mimoza. Uaa! I paskemi harruar fare mimozat tërë këto kohë! Si ka mundësi?!...Ato janë çdo vit! Trokitja e pranverës. Dukej sikur kishte njëmijë vjet pa i parë, ndonëse me siguri do t’i kemi parë dhe vjet. Degët e tyre të harlisura shkujdesshëm, të ngazëllenin një ndjesi parajse në shpirt. E verdha e plotë dhe e magjishme e mimozave, freskia dhe pafajësia e luleve dukej sikur të ngrinin lart prej supesh drejt qiellit. Instinktivisht m’u rikujtua aroma e magjishme dehëse e tyre. Po më dukej sikur vazoja dhe mimozat filluan të zmadhoheshin gjithnjë e më tepër, derisa u bënë gjigante dhe e mbushën krejt lokalin. Cep më cep lokalit, deri në tavan. Ne të tjerët të veckël, si liliputët e Guliverit në tavolinat tona para kësaj madhështie. Nuk ekzistonin më as televizorët me lajme ankthndjellëse, as zërat e lartë të meshkujve, as mjegulla e tymrave të cigareve, as njeriu që kruante fytin vazhdimisht, as llotomanët, as kamerier e bufetier. Të gjithë qemë mbuluar nga degët gjigante të mimozave. Bah, na mbytën iluzionet. S’thotë kot një miku im: Ndjenjat e tepërta janë fukarallëk!...Prandaj duheshin marrë masa të menjëhershme. “Ej ti, shkundu, ktheju realitetit! - i thashë vetes. –Leri ndjesirat për mimozat e pranverat në punë të vet! Ja, shiko me vëmendje dhe dashuri më mirë shumëgropëshat e rrugës jashtë dritares! Kënaqu me tymrat e cigareve dhe smogun e makinave! Hapi mushkëritë mirë! Mos i shkul sytë deri sa të verbohesh nga televizorët me lajme dhe njerëz pa fund që performojnë në të seriozisht dhe artistikisht! Lexo sa më shumë gazeta me dritën e diturisë! Nuhat me ëndje aromat e fekaleve kur kalon pranë pusetave! Mos shih kurrë magjinë e borës në majat e maleve, por vëzhgo dhe kënaqu me rrëpirat e zhveshura dhe pyjet e prerë!...” Të gjitha këto porosi u përpoqa t’ia jap vetes, por jo domosdoshmërisht të tjerëve. Edhe vazoja me gjithë mimozat e harlisura duket se e kuptuan këtë gjë, ndaj u zvogëluan, u zvogëluan, dhe u bënë aq sa ishin në fillim, aty pas banakut. Të gjithë ne të tjerët dolëm në dritë të lehtësuar. Meqë kamerieri po pinte për qejf të vet një kriko birrë tek banaku, shkova vetë tek ai për të paguar. Megjithatë, para se të dilja, u përvodha disi me marifet, dhe iu nuhata pak mimozave aromën e magjishme me shpejtësi. Shpresoj të mos ma kenë vënë re këtë gjest të tjerët, se jo për gjë, por ta marrin për dobësi...
(GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›