E Shtunë, 31 Tetor 2026

Minarolli: Dega e PS-së në Athinë dhe PASOK, dënuan “protestën” e turpshme të Ruçit dhe Ballës në Greqi

Ambasadori i Shqipërisë në Athinë zbardh aferën e pisët të Gramoz Ruçi dhe Taulant Ballës, duke keq përdorur disa emigrantë në Athinë dhe duke sajuar një “protestë të madhe”, para selisë së OSBE. Përfaqësuesi diplomatik i Shqipërisë në vendin fqinj, sqaron për opinionin publik se kjo pseudo protestë u dënua fuqimisht nga dega e PS-së Athinë dhe njëherazi edhe nga strukturat e PASOK-ut atje. Sipas Minarollit interesi i shqiptarëve është ta shohin e vendin e tyre të integruar dhe jo të bëhen palë e klikës së bojkoteve që po inspiron me anë të mashtrimeve dhe keqpërdorimeve Partia Socialiste. 

“Me ndjenjën e përgjegjësisë për detyrën  e ngarkuar,
Me detyrimin për të mbrojtur të vërtetën,
Me  qëllimin për të kontribuar në jetën e qytetarëve shqiptarë që jetojnë e punojnë në
Greqi dhe për të denoncuar praktikat e  përcarjes të tyre, për interesa partiake,
Me datën 1 dhjetor 2009, Zv/kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, zoti Ilir Meta  mori pjesë në Konferencën  e Ministrave të Jashtëm të vendeve të OSBE-së në Athinë.Në takimet me drejtuesit më të lartë të OSBE-së dhe me kolegë nga vende të ndryshme u shprehën vlerësime për arritjet e qeverisë shqiptare në drejtim të proceseve integruese, por  duke përmëndur edhe  arritjet në fushën ekonomike. Ministri shqiptar mori urimet për Rezolutën e PE, për vlerësimet nga KE  dhe sigurisht vlerësime të vecanta  për konkluzionet e OSBE-së në lidhje me standartet më të larta në zgjedhjet e fundit.Duke qënë gjatë gjithë kohës në ambjentet e Konferencës, me një organizim të shkëlqyer nga mikpritësit grekë, nuk dëgjuam as për ndonjë protestë, që për të thënë të vërtetën janë të shpeshta në Athinë dhe as për ndonjë peticion drejtuar OSBE-së.Përkundrazi të nesërmën  në ndarje, Ministrit Meta iu kërkua nga disa drejtues të OSBE-së të përcillnin përshëndetje të vecanta për Kryeministrin Berisha.
Me datën 2 dhjetor duke dëgjuar pasqyrën e shtypit shqiptar, u habita kur mësova se një natë më parë ishte bërë “Një protestë e madhe” përpara hyrjes ku bëhej konferenca, nga PS e Athinës dhe emigrantët për “votën e vjedhur”. Pas kësaj pyeta disa drejtues të PS në Athinë dhe ata më informuan se gjithcka ishte sajesë e tre deputetëve të PS që kishin organizuar një “shfaqje të turpshme” të disa dhjetra emigrantëve vetëm e vetëm që të mashtonin publikun në Shqipëri. Pjesmarrësit ishin edhe socialistë, por shumica klientë të një klubi në Omonia që i kishin marrë me dy autobuza pasi i kishin qerasur në klub.
PS e Athinës, partnere e PASOK-ut ishte distancuar nga ky inskenim dhe për këtë i kishin drejtuar edhe një deklaratë me shkrim departamentit me jashtë të PASOK-ut, me të cilin  mbajnë  kontakte të vazhdueshme. Po ashtu me thanë se edhe  nga ana e tyre  partnerët partiakë kërkuan sqarime tek PS e Athinës se përse në media ishte përmëndur që “ protesta”, ishte bërë në bashkëpunim me strukturat e PASOK-ut. (Disa orë më parë zoti Meta bëri një takim  shumë të ngrohtë, shumë miqësor dhe me dëshirë bashkëpunimi me Kryeministrin dhe Kryetarin e PASOK-ut, zotin Papandreu). Po ashtu, gjatë ditës kam marrë disa telefonata nga drejtues të PS në qytete të ndryshme të Greqisë ku më thonin se  distancoheshin nga këto “protesta” që nuk i shërbejnë as vendit dhe as atyre si emigrantë. Me shkrim në ambasadë u paraqit nga një grup emigrantësh, ndërmjet tyre edhe socialistë një peticion të firmosur nga më shumë se dyfishi i atyre që ishin në atë “shfaqje”, ku i bëjnë thirrje PS të heqë dorë nga bojkoti i Parlamentit, etj, të cilin do e dërgoj të plotë.
Emigrantët shqiptarë që jetojnë e punojnë në Greqi, i kanë dhënë vlera vendit të tyre dhe vetes të tyre. Është vepër antikombëtare t’i përdorësh ata si fasadë dhe të shpërdorosh  dëshirën e tyre për të milituar në një forcë të caktuar politike, për arritje të qëllimeve politike të forcave politike në Shqipëri. Po t’u jepet të gjithëve mundësia të votojnë, ata  do ta shprehin bindjen e tyre me votën e tyre. Partitë politike në Shqipëri, nëqoftëse duan  t’i ndihmojnë emigrantët në Greqi dhe kudo në botë, le të hartojnë ligje edhe për të mirën e tyre. Jeta e tyre në vende demokratike, u ka mësuar shumë  dhe ata s’mund të përdoren si rezervate votash nga partitë në Shqipëri, apo si sponsorë  për të mbuluar shpenzimet  për  vakancat e “udhëheqësve”, që gjoja vinë për t’u qarë hallet. Ata duan ta shohin vendin e tyre si vendet ku jetojnë që një ditë të kthehen krenarë, duan që në Shqipëri të funksionojë demokracia si në vendet ku jetojnë që i munduri të njohë rezultatin  në zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe fitimtari të respektojë opozitën. Duan që së bashku  pozita dhe opozita të punojnë së bashku në Kuvendin e Shqipërisë dhe në Pushtetin Lokal  për të mirën e vendit dhe të popullit”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›