Berisha: Mafiozët e Edi Ramës do të kenë fatin e Aldo Bares
Kryeministri Berisha publikon listën e biznesmenëve punisto-mafiozë që drejtojnë Partinë Socialiste, duke paraqitur edhe dokumentacionin që demaskon aferat antiligjore të kryebashkiakut Edvin Rama. Kokëdhimët, Dulakët e Leskajt, në krye të listës së klientëve që kanë lëvruar përqindjet mafioze të kryesocialistit, të cilat sipas një përllogaritjeje të afërt, kanë mbërritur në shumën e 750 milionë eurove
Kryeministri Sali Berisha denoncoi dje në mbrëmje gjatë një konference për shtyp, aferën galopante të Edvin Ramës, Kokëdhimës, Dulakëve, Leskajve, Tom Doshit, Fidel Yllit dhe Besnik Sulës me parcelizimin e pronave publike në kryeqytetin shqiptar. Kryeministri konstatoi dhënien e mijëra lejeve ndërtimi në mënyrë ekstra ligjore.
Kjo aleancë, siç e cilësoi kryeministri Berisha, punisto-mafioze, ka shkelur në mënyrë flagrante çdo ligj të këtij vendi, duke vendosur në rend të parë interesat mafioze, përfitimin vetjak dhe dëmtimin e çdo qytetari shqiptar.
Ky klan mafioz, tha kryeministri ka vendosur të mos njohë legjitimitetin e zgjedhjeve, vullnetin e qytetarëve shqiptarë, qeverinë dhe institucionet legjitime të dala nga zgjedhjet e përgjithshme të 28 qershorit. “Këta punistë dhe mafiozë, njëlloj si në kohën e tyre, duan të imponojnë pushtetin legjitim të dalë nga vota e qytetarëve, shqyrtim politik nga komisionet parlamentare të vendimeve të gjykatës, pasi ata nuk arritën me mjetet e tyre të përcaktonin rezultatin njëlloj si në kohërat e shkuara. Hapja e kutive dhe numërimi i votave është kërkesa ultimative e këtij grupi punist dhe mafioz që kërkon me çdo kusht të nxijë, njërën prej arritjeve të mëdha në rrugën e demokracisë, zgjedhjet e 28 qershorit. Kërkon të bllokojë me një donkishtotizëm aventuresk rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian, heqjen e vizave dhe procesin e integrimit në tërësi. Ky grup punistësh, dua të theksoj se, nuk udhëheq Partinë Socialiste, por udhëheq klanet e mafies me të rrezikshme në Ballkan, që ka shndërruar Tiranën në një lavatriçe gjigante parash të pista, krimin monstruoz ekonomik. Udhëheq kupolën e mafies shqiptare Tan Dulaku, Kokëdhima, Besnik Sula, Tom Doshi, Ylli i Partisë, apo Fidel Ylli, Dash Peza, Leskaj etj,. Këta zotërinj nuk kanë as edhe një interes demokratik, kombëtar, njerëzor. Këta që shpenzuan me dhjetëra miliona euro, për të dhunuar votën, morën bërrylin. Ata kanë një hall të madh. Ju garantoj se nuk kanë hallin e kutive, por se perandorinë e tyre të krimit e pret fati i Aldo Bares. Ky është zotimi im solemn. Nuk kanë këta hallin e kutive. Jo. Kanë hallin e ekonomisë së tyre të bazuar në punën e tyre mbi krimin”, u shpreh kryeministri duke iu referuar dosjes voluminoze.
Berisha bëri publike dosjen e cila dëshmon se Tan Dulaku, Leskajt, Kokëdhima, Sula, Tom Doshi, Ylli i Partisë Socialiste, por edhe ndonjë tjetër, vetëm 2-3 vitet e fundit kanë marrë duke dhunuar ligje dhe pronat, 500 mijë m2 sipërfaqe ndërtimi. Dhe kjo është akoma e pafinalizuar me një vlerë totale duke filluar nga zemra e Tiranës e deri e gjitha brenda në Unazë që shkon në 750 milionë euro. “Ilir Mata apo kunati i Dashit ka me firmën e Edi Ramës 21 850 m2 leje ndërtimi.
Të gjitha në dhunim të pronave dhe ligjeve. Pas tij vjen ‘Nard konstruktori’. Keni parë ju ‘Nard Countructions’, demokristiani ka 27 743 m2, plotësisht në dhunim të ligjeve dhe pronave. Koço Kokëdhia apo Koço Bashkia ka 24 800 m2 leje të ndryshme ndërtimi. Tom Doshi ka 29 600 m2 ndërtimi. 15100 i ka marrë në vitin 2007, kurse 14 500 m2 në vitin 2008, të dyja vendimet me firmëtar kryetarin Edi Rama. Fideli - Ylli i Partisë Socialiste - ka në total 47 384 m2 leje ndërtimi. Besnik Sula ka 45 977 m2. Sadri Abazi 53 800 m2.
Dhunime monstruoze në pronat e qytetarëve të Tiranës.
Edhe në pronat publike ka mijëra e mijëra të shitura nga Edi Rama me 3 euro m2. Arjan Leskaj ka në total 61 840 m2, që të gjitha me firmën e Edi Ramës. Tan Dulaku ka në total 145 366 m2”, deklaroi kryeministri Berisha. Sipas kryeministrit Berisha, në zemër të Tiranës Tan Dulaku ka përvetësuar me firmën e Edi Ramës plot 54 158 m2.
Kreu i mazhorancës Berisha, ofertë opozitës për kthimin në parlament
“Opozita t’i drejtohet kuvendit, kompromisi për ndarje të pushtetit siç kërkon ai”
“Me përgjegjësi të plotë ftoj opozitën në kuvend. Nuk do të jetë kurrë e anashkaluar. Do ketë vendin e saj që i takon. Shqipëria është i vetmi vend në Evropë, ku një pinjoll i Bllokut deklaron se nuk njeh zgjedhjet, do të shkelë vullnetin e qytetarëve, kërkon të dalë mbi vendimet e gjykatave. Nesër a pasnesër do të kërkojë lirimin e Aldo Bares dhe Dritan Dajtit. Do të kërkojë të marrë KRRTRSH-në.
Ndaj edhe nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë lloj kompromisi për ndarje të pushtetit siç kërkon ai. Le të vazhdojë të gjitha përpjekjet, unë do të vazhdoj betejën time me zero tolerancë me mafian shqiptare. Ekzekutivi do të përdorë të gjithë forcën e tij. Opozitës i është bërë një ofertë, por mafia kërkon me çdo kusht pushtetin. Kërkon të imponojë ndarjen e pushtetit me të. Por, unë ju garantoj se kjo nuk do të ndodhë”, u shpreh midis të tjerave Kryemsitri Sali Berisha.
Lista e shkelësve të ligjit me firmën e Edi Ramës
Ilir Mata -21 850 m2 leje ndërtimi
“Nard Countructions” - 27 743 m2
Koço Këdhima- 24 800 m2
Tom Doshi - 29 600 m2
Fidel Ylli - 47 384 m2 leje ndërtimi
Besnik Sula - 45 977 m2
Sadri Abazi- 53 800 m2
Arjan Leskaj- 44 896 m2
Tan Dulaku - 145 366 m2